14.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Sovrani i mashtruar, politikanët e pandëshkuar

Vota po keqpërdoret nga pushtetarët.

Praktika e deritanishme e mungesës së llogaridhënies dhe të përgjegjësisë të të zgjedhurve në krye të institucioneve të vendit, atyre që besimin e kanë marrë me votën e qytetarëve, po vazhdon të dëshmojë se politikanët e Kosovës nuk janë aspak të lidhur me qytetarin, me atë që e mashtrojnë dhe ia marrin votën, por vetëm me grupet e ngushta klienteliste dhe ruajtjen e interesave personale.

Politikani i Kosovës ende është i lidhur vetëm me kolltukun që e zapton, ngase pas marrjes së besimit qytetar, me plot mashtrime elektorale, jo rrallë edhe me blerje e vjedhje të votave, krijohet bindja se të tillët as nuk i marrin votat për t’ u shërbyer qytetarëve, por për t’u rehatuar në pushtet sa më gjatë dhe me çdo kusht, veten e tyre, militantët e rrethit të ngushtë partiak dhe klientelen e tyre kriminale.

Sipas analistëve politikë dhe subjekteve politike në opozitë, është një fat i keq për Kosovën që qytetari ende nuk është bindur që të ngrihet dhe ta ndëshkojë përjetësisht një soj të tillë të politikanëve të pabesë dhe të pasinqertë.

“Kjo klase politike e ka shpërfillur kaherë votën e qytetarit. Nga ana tjetër, ne ende kemi edhe elektorat jo edhe aq të mjaftueshëm të edukuar në atë frymën e fuqishme shtetërore që të mund të vendosë për ndryshime rrënjësore, duke ndëshkuar mashtruesit me votën e tij”, thekson Blerim Burjani.

Manipulimi me elektoratin

Sipas Burjanit, kjo klasë politike në pushtet, për fat të keq, ka arritur ta manipulojë një pjesë të ndjeshme të elektoratit dhe tanimë është shumë e lidhur në mënyrë individuale me elektoratin, duke i premtuar vazhdimisht për angazhimet e tyre në të ardhmen, se ata do të përkrahin atë apo këtë grup të qytetarëve dhe grupet e tjera të interesit.

“Pra, ende ekziston një manipulim masiv i kësaj klase politike, madje pa dallim, në pozitë dhe opozitë, duke bërë për vete elektoratin përmes gënjeshtrave nga më të ndryshmet që dinë t’i artikulojnë dhe t’i dizajnojnë. Kjo situatë do të vazhdojë të mbetet e tillë derisa ta kemi një elektorat ku interesin e sheh në mënyrë të zgjidhjes së disa problemeve individual, por jo kolektive. Pra, edhe partitë politike po e shfrytëzojnë ende këtë mundësi dhe po bëjnë manipulim me individët, përderisa pasojat e rënda për shoqërinë po i pëson më vonë i gjithë kolektiviteti”, tha analisti politik Blerim Burjani, për Kosova Sot.

Ai ka pohuar se derisa nuk ka edukim më të mirë të votuesit për të gjykuar më drejt për interesin kolektiv, edhe shteti i tanishëm do të duket si shtet njëpartiak- si një shtet i sistemit të kaluar monist.

“Prandaj, kjo klasë politike ka sjellë zhvillimin e një shteti që thjesht është vetëm një lloj shteti partiak dhe familjar, sepse në vend se elektorati të vendosë se kush duhet të udhëheqë, vendin po arrin ta udhëheqë anarkia. Vetëm kështu mund të shpjegohet gjendja e vështirë në sundimin anarkik që po e përjetojmë sot në Kosovë, por jo demokratik”, tha Burjani. / Kosova Sot

Më Shumë

Parandalohet gara ilegale e shpejtësisë në autostradën “Dr. Ibrahim Rugova” (FOTO)

Njësia për Kontroll të Autostradave në kuadër të planit operativ “Parandalimi i garave ilegale të shpejtësisë”, sot në autostradën ”Dr. Ibrahim Rugova“ në Trudë...

Totaj priti në takim përfaqësuesit e Shoqërisë Kulturo-Artistike “Dogru yol”

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj priti sot përfaqësuesit e Shoqërisë Kulturo-Artistike “Dogru yol”, të këtij qyteti. Kjo shoqëri mban gjallë që 73 vjet...

Lajmet e Fundit