5.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Thahet lisi i Tupecit

Vidhi në malet e Krahinës së Hasit është mjaft i përhapur, kryesisht përdoret për lëndë djegëse. Por, një përhapje pak sa të çuditshme e ka edhe nëpër ara dhe livadhe. Madje, në shumë prej livadheve, preferohet që të jetë i mbjellë nga një vidh për dy arsye: që të shërbejë si hije e punëtorëve gjatë kohës së pushimeve dhe së dyti, që lëvorja e vidhit të përdoret për rastet urgjente në rast të dëmtimeve gjatë procesit të punës, e sidomos në livadhe në kohën e kositjes, kur janë prerë me kosë. Mirëpo, vidhi më i madh në gjithë hasin tashmë është vidhi i Tupecit apo siç quhet ndryshe lisi i Tupecit. Lëngu i lëvores së vidhit përdoret edhe si mjet dezinfektues i plagëve nga më të rëndat deri tek ato më të lehta, shkruan gazeta Kosova Sot.

Larja e plagëve me lëng vidhi ka qenë garanci se ato plagë nuk do të pezmatojnë, përkatësisht nuk do të qelbëzohen e do të shërohen shumë shpejt. Haxhi Qunaj nga fshati Kojush është shprehur për gazetën se vetëm lëvorja e vidhit është përdorur në raste urgjente të prerjeve në fushë ku është marrë një degë e vidhit, i është hequr lëkura dhe është lidhur plaga si me fashë. Ai ka thënë se pas këtij intervenimi është besuar se shërimi është i sigurt. “Në rastet të tjera, kur plagët kanë qenë të shkaktuara nga mënyra të tjera, atëherë është marrë lëvorja e vidhit, është zier në ujë deri sa gjysma e ujit është shtjerrë dhe lëngu i fituar është përdorur për dezinfektim të të gjitha plagëve”, është shprehur ai. Fazli Thaçi nga fshati Domaj tregon se ky lëng i përfituar nga zierja e lëvores së vidhit është përdorur edhe për lyerjen e plagëve të djegura dhe është treguar i suksesshëm.

“Thatësia nuk mund ta thajë, se i ka rrënjët e thella”

Sipas Thaçit, lëngu i zier i vidhit është përdorur shumë në të kaluarën edhe në pastrimin e plagëve të lëkurës, qofshin ato puçrra, apo sëmundje të tjera si majasili etj. “Ka pasur raste kur lëngu i vidhit është pirë në formë të çajit, por i shoqëruar me mjaltë dhe kjo ka ndodhur për shërimin e sëmundjeve të zorrëve dhe shërimin e të thatit të brendshëm”, tregon Ukë Deva, nga fshati Devë.

Mendohet se lisi i Tupecit qindravjeçar ka shëruar shumë banorë. Por, vidhi i Tupecit është duke shkuar kah tharja. Profesor Naser Bresa shprehet se Kosova për fat të keq ende këto raritete nuk i ka trajtuar siç duhet.”Unë mendoj se aty duhet të punojnë një ekip për ta pa se si ka ardhur deri këtu. Nga thatësia nuk mund të ndodhë, sepse ai i ka rrënjët e thella, por kjo është bërë nga ndonjë sëmundje e biodiverzitetit ose më keq ndonjë person ka shkuar e i ka vendosur aty ndonjë materie për ta tharë. Unë vazhdoj të mendoj se ato janë trashëgimi e rëndësishme për Kosovës. Tharja e tij e tërësishme po më befason dhe kjo është e trishtueshme”, është shprehur ai. Shton tutje se diku tjetër po të ndodhte kjo dikush do të burgosej për neglizhencë.”Sa e di unë as që ka hyrë në listën e trashëgimisë, edhe pse ka mbi 250 vjet. Kjo tregon se Kosova, por në veçanti Komuna e Prizrenit nuk është treguar e kujdesshme ndaj natyrës dhe mrekullive si kjo”, tregon Bresa. Ai mendon se si lis ka mundur të thahet edhe për shkak të ndonjë insekti që e ka dëmtuar, por nuk është dashur të lihet të shkojë dëm.

Askush nuk guxonte t’ia priste asnjë degë

Lisi i Tupecit mendohet se është më i madhi në gjithë Ballkanin. Bile në pak vende të tjera ka ndodhur që një vidh i tillë t’i mbijetojë kohës. Latif Çoçaj nga Gjonaj tregon se ky lis ka mbi dy tre qind, ngase brez pas brezi është përmendur ky lis. “Rëndësia e tij është e madhe, ka shumë njerëz që nuk guxojnë ta prekin me dorë, sepse tërheq ters”, është shprehur Çoçaj. Ai tregon se si një familjar e kishte dërguar një degë në shtëpi, por nga ai moment kurrë më ajo shtëpi nuk ka pasur ditë të bardha. Lisi ka hije të mirë dhe shfrytëzohej për ndeja të mira si ahengje apo ndonjë fjalë nuse.”Lisi i Tupecit dikur gjatë verës moti ka shërbyer si hije ku ka pasur pajtime të gjaqeve, pastaj ka qenë një vend i shenjtë. Shenjtëria e këtij vidhi shpjegohet edhe për faktin se është shërues. Tani edhe në këto ditë ka njerëz që i besojnë këtyre gjërave dhe vijnë marrin gjethe lëvore ose ndonjë rremb sa për shërim. Lisi iTupecit të thuash se në gjithë letërsinë gojore të Hasit është një lis i veçuar”, tregon prof. Nexhat Çoçaj nga Tupeci. Kurse gratë e moshuara flasim me pietet për lisin në fjalë. Të thuash se të rralla janë ato gra që kur përmendet ky lis të mos lëvizin nga vendi, në shenjë respekti për të. Naser Bresa mendon se ky lis nuk ka mundur të pësojë si edhe vidhat e natyrshëm.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Kurti vazhdon ta mbajë banesën 67 metërshe, deklaron 1.551 euro në bankë e kredinë deri në 2052-në

  Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Kreu i qeverisë ka deklaruar se pasuri të...

“Krizë” për Vjosa Osmanin: Veç 1 mijë e 168 euro në bankë

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka publikuar regjistrat e deklarimit të pasurisë. Në mesin e personave zyrtarë që kanë deklaruar pasurinë janë edhe krerët e...

Lajmet e Fundit