2.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Tyrbja e Krushës së Vogël ia hoqi patericat invalidit

Tyrbja e Krushës së Vogël ka një reputacion të madh në Përdrini e më gjerë. Aty çdo ditë e natë dikush bën ‘nezër’, duke kërkuar fat e mbarësi. Ata që besojnë në këto rite thonë “pasha babën Hasan”. Kjo tyrbe shquhet me këtë emër. Përgjegjësi i kësaj tyrbe, Agron Shehu, tregon se ajo është nën mbikëqyrjen e familjes së tij që 300 vjet, shkruan gazeta Kosova Sot.

Ai thotë se njerëzit besojnë se nëse luten në këtë tyrbe bekohen me fëmijë e mbarësi në familje dhe rehatim shpirtëror. Thuhet se aty pushon Dervish Hasani, njeri i mirë i kohës së tij.

“Pos banorëve të Përdrinisë janë edhe gjakovarët që vijnë e sjellin ‘nezra’ të ndryshme dhe kanë besimin të madh në atë. Aty hyhet me këmbën e djathtë, sillesh tri herë rreth vendit, duke u lutur për atë çka kanë më së shumti nevojë. Ka raste që njerëzit flasin me zë të lartë. Më pas ndizet një qiri dhe hidhen para apo dhuratat e sjella sipas mundësisë”, tregon Agroni.

Ai shton se më së shumti njerëz vijnë për ditën e Shëngjergjit, më 5 maj.

“Njerëzit të veshur mirë vijnë e pjekin ndonjë qengj, ziejnë hallvë, e tash po shtrojnë edhe pije të shumta deri ato alkoolike duke e bërë një ditë madhështore”, shprehet ai.

Sipas Agronit, njerëzit së pari kryejnë lutjet që kryesisht lidhen me ndonjë lindje të fëmijëve, pastaj për mbarësi në familje dhe deri tek besimi se vizita e heq brengën ose stresin.

Varri në qendër të objektit

Tyrbja është një godinë e ngritur rreth një varri, i cili gjendet në qendër, i rrethuar me dërrasa 80-100 cm dhe mbulohet me copë të bukur mëndafshi apo kadife me ngjyra karakteristike. Te koka, ku ngrihet në një lartësi më të madhe, vendoset “kapuçi i shehut”. Rreth varrit lihen korridore të mjaftueshme që vizitorët të qarkullojnë lirshëm. Për njerëzit e këtyre anëve qarkullojnë histori të ndryshme. Besimi thellohet në legjenda, sipas të cilave këtu janë shëruar shumë njerëz.

“Nuk është fenomen që ka përfshirë vetëm moshat e vjetra, siç mund të mendohet. Kohët e fundit janë shtuar të rinjtë që besojnë në këto vende”, thotë Agroni.

Afër tyrbes gjendet një lis që ka moshë 300-vjeçare as sa ka edhe tyrbja. Agron Shehu thotë se në fshatrat e rajonit të Hasit ka shumë tyrbe si në Gjonaj, Krajk, Planejë, Nashec dhe Lukinjë.

Kur e pyetëm Agronin se çka dallon kjo tyrbe nga të tjerat, ai u shpreh: “E gëzuara tyrbe…nuk ka sëmundje që nuk shëron, nuk ka njeriut që i përulet e nuk e ndihmon. Nuk ka lutje që nuk e plotëson… Sado tmerre që kanë ndodhur në Krushë të vogël, e veçmas në familjen Shehu, megjithatë të vetmen gjë që nuk kanë prekur ishte kjo tyrbe. Kurse mbajnë mend banorë të këtushëm se para lufte edhe vetë serbët e këtij fshati janë parë shumë shpesh të sjellin ndonjë qiri, pastaj ndonjë dhuratë për tyrben”, tregon ai.

Shton se gratë serbe kanë bërë be në këtë tyrbe.

“Në luftën e fundit serbët kanë djegur mijëra xhami e tyrbe anekënd Kosovës, por këtë nuk e kanë prekur”, shprehet Agroni.

Berisha: Rashë nga skelet, pas vizitës i hoqa patericat

Për rëndësinë e kësaj tyrbe flet edhe Afrim Berisha, 54-vjeçar, që tani jeton në Prizren.

“Jam krenar që kam mundësi të flas për formën që ka Tyrbja e Babës Hasan në Krushë të Vogël. Unë kam punuar mjeshtër dhe deshi fati i keq e një ditë jam rrëzuar nga skelja. S’kam lënë mjek pa shkuar jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë Kosovës. A besoni se megjithatë askush nuk arriti të më bëjë zgjidhje për shëndetin tim, kam pasur edhe intervenime kirurgjike, por unë mbeta keq, me paterica. Dikush ma propozoi të shkoj të Tyrbja e babës Hasan në Krushë të Vogël dhe shkova bëra një ‘nezër’. Jo më larg se atë natë jam ndier me lehtë dhe vetëm pas tri ditësh i kam hedhur patericat dhe sot punoj e jetoj i shëndoshë si molla”, është shprehur ai.

Berisha që ka përjetuar këtë fat të mirë, shprehet se baba Hasan ka pasur forcë e besim të madh në popull. Ai tutje shton:

“Nëna ime më ka rritur me benë ‘pasha babën Hasan’, por ne nuk e kemi ditur kaq të rëndësishme këtë forcë që ka ai për të shëruar njerëz. Besoj se nuk ka forcë më të madhe në botë që mund të shërojë sesa besimi në këtë tyrbe”, shprehet ai.

Tregon se ka dëgjuar se ka shumë raste të tjera që kjo tyrbe i ka shëruar. /Kosova Sot/

Më Shumë

Enea Koliqi, ‘Ylli i javës’ në Superligë

Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i javës”. Ky çmim për javën e 29-të...

Kurti: Sakrifica dhe beteja e banorëve të Lubizhdës së Hasit, pjesë e dhimbshme dhe e lavdishme e historisë së popullit tonë

Në 25 vjetorin e rënies së dëshmorëve e martirëve në Lugishtë të Hasit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe te varrezat...

Lajmet e Fundit