13.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Udhëtimi drejt vdekjes në shoqëri me pluhurin e bardhë

Konsumimi i substancave narkotike, duke filluar nga marihuana e deri tek heroina, po shënon rritje në Kosovë, ku pavarësisht gjendjes së rëndë ekonomike, të rinjtë po gjejnë zgjidhje për ta blerë atë.

Të dhënat zyrtare, të cilat i ka siguruar dhe i ka raportuar KosovaLive, alarmojnë për gjendjen ekzistuese, pasi tek numri i përdoruesve të drogës po përfshihen çdo ditë e më shumë moshat minore, nga 12 vjet e tutje. Ata po fillojnë me përdorimin e mariuhanës, e cila në zhargonin e tyre njihet si “bari”, pasi kjo është droga më e lirë dhe më e përdorura në Kosovë.

Një nga viktimat e kësaj dukurie negative, tashmë 24 vjeçari N.N, ka treguar për KosovaLive se si u bë që të konsumonte substanca narkotike qysh tetë vite më parë, bashkë me vëllain e tij, si dhe për shumë kujtime të hidhura nga koha kur konsumonte drogë.

“E gjitha filloi kur isha 16 vjeçar dhe isha në klasën e dhjetë, kurse vëllai im që ishte dy vite më i madh se unë, në klasën e dymbëdhjetë. Barin për herë të parë e provova me shoqërinë e tij, e cila përbëhej nga pesë djelmosha, të cilët po e konsumonin drogën kaherë, e në mesin e tyre edhe vëllai im”, rrëfen ai.

Bashkëbiseduesi ynë tregon se filloi me marihuanë, për të vazhduar me heroinë dhe tashmë ka përfunduar në kokainë, pavarësisht se nga droga ka humbur jetën para disa muajsh vëllai i tij, me të cilin nisi “udhëtimin drejt vdekjes”.

“Pas shtatë vite konsumimi, vëllai im u bë shumë keq dhe mjekët na thanë që ta dërgojmë për trajtim jashtë vendit, sepse në Kosovë tashmë s’mund të bëhej asgjë për të. E dërguam në perëndim dhe dukej se u shërua. Por pas pak muajsh nga kthimi, ai filloi përsëri ta përdorte drogën dhe ishte mbidoza ajo që ia mori jetën”, tregon ai.

Pavarësisht se ishte pluhuri që i mori vëllait jetën, ai prapë vazhdon ta konsumoj atë, madje duke shkuar nga dozat më të rënda.

“Unë prapë vazhdoj ta konsumoj, e edhe më shumë nga mërzia për vëllain. Për ta siguruar atë, jam në gjendje edhe të vjedh”, përfundon ai.

Brikena Krasniqi, është psikologe në Qendrën rehabilituese nga droga “Labyrinth” dhe për KosovaLive ajo tregon se çka i shtyn të rinjtë të përdorin drogë. Ajo ka thënë se shkaktarët më të shpeshtë të përdorimit të drogave janë qasja e lehtë tek drogat, presioni i bashkëmoshatarëve, stilet e reja të të jetuarit, kureshtja, dëshira për argëtim, vetëtrajtimi për t’i larguar dhimbjet e ndryshme fizike dhe psikike, si dhe mungesa kujdesit të përhershëm të prindërve dhe programeve të mirëfillta parandaluese.

“Fenomeni i përdorimit të drogës është shumë më i gjerë se sa Kosova. Edhe shtetet e regjionit kanë problem dukshëm të madh me përdorimin e drogave. Nëse fillohet që tani të zbatohen programet parandaluese dhe vetëdijesuese, atëherë efektet e këtyre programeve do të shihen pas 10 apo me shume viteve”, ka thënë ajo.

Sipas saj, një hap në parandalimin e përdorimit të drogës, do të ishte qasja shume dimensionale e problemit, që siç thotë ajo, nënkupton qasjen multisektoriale, duke përfshirë prindërit.

Krasniqi tha se Kosova ka Strategjinë dhe planin e veprimit për t’iu përgjigjur problemeve të drogës dhe tani për tani është e nevojshme që të zbatohet ky plan i veprimit.

“Përdorimi i rregullt i drogave të ndryshme ka disa pasoja. Efektet dhe pasojat varen edhe nga lloji i drogës që përdoret dhe sasia e konsumimit. Efektet e para nga përdorimi i substancave narkotike janë në tru dhe në të gjithë sistemin nervor. Ato shkaktojnë çekuilibrimin e funksionimit të trurit. Në këtë mënyrë, përdorimi i vazhdueshëm bën që ta largojnë personin nga jeta dhe veprimtaria e përditshme shoqërore”, ka thënë tutje ajo, duke shtuar se edhe shfaqja e çrregullimeve mendore është një prej pasojave.

Siç ka raportuar edhe më herët KosovaLive, “Labyrinth”, mosha mesatare e përdoruesve të drogës, sipas të dhënave të Qendrës rehabilituese nga droga, është 27 vjeçare, kurse mosha ekstreme më e re e përdorimit është 12 vjeçare. Sa i përket gjinisë, është ajo mashkullore që shënon një numër më të madh të përdoruesve krahasuar me atë femërore.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, përderisa në vitin 2004, ishin regjistruar 213 raste, kjo shifër në vitin 2014 ka arritur në 640, apo trefish më shumë. Ndërsa, në periudhën prej vitit 2004 deri në vitin 2014, Policia e Kosovës ka regjistruar 3.910 raste të përdoruesve të substancave narkotike.

Sa i përket numrit të personave të dyshimtë, në vitin 2004, Policia e Kosovës ka njoftuar për 260 persona, e ky numër në vitin 2014 ka arritur deri në 871. Gjithsej për dhjetë vite, policia ka bërë të ditur për 5.868 persona të dyshimtë. /KosovaLive/

Më Shumë

Paraburgim për dy të dyshuarit për dhunimin e të miturës nga Prizreni

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për dhunimin e një vajze të mitur. Të dyshuarit thuhet se janë...

Në SBASHK shtohen kërkesat për të rikthyer protestat e grevat

Në takimin e rregullt me kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve që ka organizuar SBASHK-u janë zhvilluar biseda për situatën aktuale në arsim...

Lajmet e Fundit