14.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

“Ujqit e vjetër” dhe “politikanët e rinj” në sfidë për Prizrenin

Kandidatet per Prizrenin 2013Mbi dhjetë kandidatë do të garojnë në zgjedhjet e nëntorit për kryetar të Prizrenit. Në mesin e tyre është edhe kryetari aktual, Ramadan Muja (PDK), ish-kryetari Eqrem Kryeziu (LDK) dhe kandidatët e rinj, që garojnë për herë të parë, Zafir Berish (BD), Lulëzim Kabashi (AAK-LDD), Arbër Rexhaj (VV), Naser Bresa (AKR), Pajtim Kosova (PD), Beni Kizolli (PK), Fadil Softa (ADK). Në zgjedhjet e nëntorit për kryetar të Prizrenit, do të garojë nga Iniciativa Qytetare për Prizrenin, Fadil Kryeziu dhe kandidatë të pavarur.

Kandidati i PDK-së Ramadan Muja, në këto zgjedhje rikandidon për mandatin e tretë për Prizrenin. Ai është i bindur se në këto zgjedhje do të fitojë pa balotazh. Nuk i pengon procesi gjyqësor, i cili po zhvillohet nga EULEX-i ndaj tij dhe pesë drejtorëve të tij. “Jam shumë i bindur se ky rast nuk do të ndikojë negativisht për arsye se në atë aktakuzë nuk ka bazë për vepër penale. Nuk kam bërë vepër penale, por kam bërë vepër humane. Trualli që ua kemi dhënë në shfrytëzim shkollës ‘Mehmet Akif’ dhe Fabrikës së Çokollatës është vepër humane”, ka thënë ai.

Muja thotë se nuk ia ka frikën asnjë kundërkandidati për garën për Prizren, as Eqrem Kryeziut. “Kryeziu është në siklet. Ai do ta përjetojë edhe më keq humbjen e 3 nëntorit se atë të zgjedhjeve të 2007-s”, është shprehur Muja.

Në një sondazh që po realizon “PrizrenPress”, kandidati i PDK-së,Ramadan Muja, deri në momentin e botimit të shkrimit është votuar vetëm nga 625 votues. Ai në bazë të këtij rezultati të portalit, renditet i katërti nga kandidatët e tjerë, që garojnë në zgjedhjet e nëntorit për kryetar të Prizrenit.

Edhe kandidati i LDK-së, Eqrem Kryeziu, shprehet i bindur se do të fitojë Prizrenin. Ai ndihet plot shpresë dhe vetëbesim për përballjen e 3 nëntorit. Thotë se nuk do të ketë nevojë as për balotazh, por se do të ngjitet sërish në kolltukun e Shtëpisë së Bardh të Prizrenit, pas 3 nëntorit. ”Në bazë të asaj që po shoh, tek reagimi i popullatës, ndoshta nuk do të ketë hiç nevojë për balotazh. Do të fitoj unë”, thotë ai.

Kandidati i LDK-së,Eqrem Kryeziu për shtatë vite ka qeverisur me Prizrenin. Ai thotë se qytetarët e Prizrenit i ka marrë malli për atë qeverisje. “Qeverisja ime në ato shtatë vite është vlerësuar si model jo vetëm nga vendorët por edhe nga ndërkombëtarët”.

Sondazhi Kryeziun e renditë para kandidatit të PDK-së, Ramadan Muja. Ai deri më tash është votuar nga mbi 900 votues.

Kandidatura e Ramadan Mujës dhe Eqrem Kryeziut, ndërkaq ka qenë befasi për kandidatin e BD-së, Zafir Berisha. Ai thotë se dy kandidatët është dashur që të shkojnë në pension e jo të jenë kandidatë për Prizrenin. “Këta kandidatë po më befasojnë si kanë marrë guxim me dalë në garë me lypë besimin e qytetarëve. Prizreni që nga paslufta ka pas nevojë për një qeverisje që është në shërbim të qytetarëve po qe s’ka ndodhë për fat të keq, pikërisht për shkak keqqeverisjes së këtyre kandidatëve dhe tash nuk e di si kanë fytyrë me kërku edhe një herë besimin e qytetarëve”, thotë Berisha. Sipas tij, qeverisja e këtyre kandidatëve është turpi më i madh që i ka ndodhë Prizrenit në këto vitet e pasluftës. ”Por, besoj se pas 3 nëntorit do t’i kthehet krenaria qytetit të Prizrenit në raport me institucionet komunale”, shprehet ai.

Zafir Berisha në këto zgjedhje për herë të parë kandidon për kryetar të Prizrenit. Ai tha se me ardhjen në pushtet të BD-së do të shpëtojnë qytetarët dhe qyteti i Prizrenit. “BD-ja punën e parë që do të bëjë kur të vjen në pushtet do të jetë kontrollimi i keqpërdorimeve që pushtetarët aktualë kanë bërë për gjatë këtyre viteve. Për të gjitha ato vjedhje qe i kanë bërë kanë m’u përgjigj para drejtësisë, sepse ne nuk guxojmë me kriju logjikën që vjedhë sa të muajsh dhe pastaj shko në shtëpi”,shprehet ai. Ndërkaq në sondazhin e “PrizrenPress-it”, Berisha renditet i treti me vota. Ai deri më tash është votuar nga mbi 800 votues.

Në zgjedhjet e nëntorit për herë të parë për kryetar të Prizrenit, garon edhe Lulëzim Kabashi. Ai është kandidat i AAK-LDD-së në Prizren. Kabashi thotë se në këto zgjedhje do të garojë me një platformë që do të mbështete nga qytetarët. “Jam i sigurt se platforma ime politike në këtëo zgjedhje do të përkrahet dhe votohet nga qytetarët”, thotë Kabashi. Ai është i bindur se në zgjedhjet e nëntorit do të dalë fitues para kundërkandidatëve. Pavarësisht, parashikimeve të tij, Kabashi në sondazh nuk ka marrë më shumë se 250 vota.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje! Arber Rexhaj, ndërkaq është më i riu që garon në këto zgjedhje në Kosovë. Ai thotë se në këto zgjedhje VV-ja do të jetë alternativa e vetme për Prizrenin. Sipas tij, dy doktor shkencash, Ramadan Muja dhe Eqrem Kryeziu, gjatë qeverisjes së pasluftës e kanë dergarduar qytetin e Prizrenit. “Deri më tani dy vetë kanë udhëhequr me Prizrenin. Që të dy kanë qenë të arsimuar deri në shkallën përfundimtare. Kanë qenë doktor shkencash. Eqrem Kryeziu ka qenë doktor i letërsisë dhe Ramadan Muja, doktor i shkencave historike. Dr. Eqremi, vetë me duart e veta e ka kallur komunën, duke dashur të fsheh keq-qeverisjen dhe korrupsionin dhe nepotizmin ndërsa Dr. Ramadan Muja, e ka denigruar deri në atë shkallë qeverisjen saqë tani përballet me drejtësinë”, vlerëson Rexhaj.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje! për kryetar të Prizren, Arbër Rexhaj është i bindur se në zgjedhjet e 3 nëntorit qytetarët do të lënë në harresë traumën e keq-qeverisjes të dy doktorëve. Ai thotë se keq-qeverisja e Prizrenit nga Eqrem Kryeziu dhe Ramadan Muja, do të mbetët, si një përvojë makthi të dy ish- doktorëve.

Kandidati i VV-Arbër Rexhaj në sondazhin parazgjedhor të “PrizrenPress-it”, deri më tash është njëri nga kandidatët më të votuar për kryetar të Prizrenit. Ai është votuar më shumë se 1000 votues.

Në zgjedhjet e nëntorit për herë të parë do të kandidojë për kryetar të Prizrenit edhe Beni Kizolli nga Partia Konservatore. Ai thotë se Platforma Politike e tij, do të sigurojë dhe rikthej besimin e humbur të qytetarëve të Prizrenit. “Ne kemi për detyrë që t’ia rikthejmë qytetarëve shpresën dhe buzëqeshjen përmes politikave mobilizuese, unifikuese dhe integruese me një alternativë pragmatike dhe racionale të bazuar në parime, duke vendosur si prioritet zhvillimin e qytetit dhe mirëqenien e qytetarëve”, thotë Kizolli.

Kizolli tregon se arsyeja kryesore që ka shtyrë të kandidojë për kryetar të Prizrenit, ka qenë qeverisja jovizionare, jo profesionale, diskriminuese dhe e pandershme që ka ndodhur deri më tash me Komunën dhe këtë qytet.“Politika e tyre jo etike, jo profesionale diskriminuese dhe antihumane është bërë pjesë e një qytetit, i cili në të kaluarën është njohur për unitet, kulturë,trashëgimi dhe humanizëm”, shprehet ai.

Kizolli thotë se nuk ndihet i rrezikuar nga kundërkandidatët e partive të tjera politike, pasi që koncepti i tij politik është mobilizues, unifikues dhe integrues. “Pikërisht për këtë fitorja ime dhe Partisë Konservatore të Kosovës do të sigurohet falë vullnetit të qytetarëve e jo pazarllëqeve të individëve”. Ndërkaq, Kizolli deri nuk në sontazh ka marrë mbi 250 vota. Në bazë të sondazhit kandidatët e tjerë nuk rrezikojnë kandidaturat e kandidatëve të partive të tjera. /PrizrenPress.com/

Më Shumë

“Shkrepi dhjetë plumba drejt viktimës”, aktakuzë ndaj të pandehurit për vrasjen në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.G., për shkak të dyshimit për vrasje të rëndë. Sipas aktakuzës, pasditen e 3 shtatorit në...

Hapet konkursi për Kryeshef Ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike “Hidroregjioni Jugor” në Prizren

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” SH.A. ka shpallur një konkurs publik për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv. Kjo pozitë ka përgjegjësi të rëndësishme në menaxhim...

Lajmet e Fundit