13.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Vetëvendosje! e ardhmja e Rahovecit

vv rahovecLëvizja Vetëvendosje! ka mbajtur të dielën tubimin elektoral në Rahovec. Kandidati për kryetar të Komunës, Dervish Çadraku, tha se Komuna e rahovecit është në duart e një grupi njerëzish të cilët në cilësinë e pushtetarëve krijojnë marrëdhënie të njëanshme abuzuese me të drejtat legjitime të qytetarëve. “Duke e trajtuar Komunën si pronën private të tyre, ata shpërblimin për punën e tyre e çojnë përtej pagës, duke plaçkitur kështu buxhetin e Komunës dhe xhepat e qytetarëve”, tha Çadraku.

Ai duke prezantuar në pika të shkurtra Alternativën Qeverisëse të Lëvizjes për Rahovecin, tha se sektori i bujqësisë është njëri nga sektorët më të rëndësishëm të kësaj komune, për sa i përket zhvillimit e punësimit.

Çadraku tha se bujqësia e Rahovecit do të subvencionohet në farëra, pleh dhe naftë, në hardhi të rrushit e makina bujqësore, në ngritjen e minibodrumeve të verës, në grumbullimin dhe finalizimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, varësisht nga nevojat e fermerëve.

Pas tij, fjalën e mori kandidatja për Kuvendin Komunal Florindë Kryeziu. Ajo theksoi faktin se qeverisjet e deri tanishme në Komunën e Rahovecit, kanë kontribuar mjaft në largimin e të rejave dhe të rinjve nga vendlindja e tyre. “Në qytetin e Rahovecit, ku papunësia e rinisë është e lartë, të rejat dhe të rinjtë duhen konsideruar si burimi i zhvillimit. Përmes politikave të punësimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ofrimit të trajnimeve shtesë pas diplomimit, përmes edukimit në përputhje me nevojat e tregut të punës, rruga e punësimit për të rejat dhe të rinjtë do të jetë e lehtësuar”, tha Kryeziu.

Kandidati për Kuvendin Komunal, Artan Ejupi, tha ndërkaq se popullit të Komunës së Rahovecit nuk i duhen udhëheqësit që qeverisjen e shohin si privilegj, por i duhen udhëheqësit që qeverisjen e konsiderojnë si përgjegjësi. “Vetëvendosje! në Rahovec, me gjithë kapacitetet e veta do të jetë zëri i qytetarëve të kësaj Komune, kundër çfarëdo lloj padrejtësie apo veprimin që tenton t’i humbë vlerat e kësaj Komune përplot bujq e fermerë”, theksoi Ejupi.

Kryetari i VV-së Albin Kurti, tha se në aspektin historik e kombëtar,Vetëvendosje! udhëhiqet nga fryma që lidh Skënderbeun dhe Adem Jasharin ndërkaq në aspektin politik e filozofik udhëhiqet nga koncepti i cili që lidh Sami Frashërin me Ukshin Hotin.

Duke folur për Alternativën Qeverisëse të Lëvizjes, Kurti tha se përmes saj ne synojmë t’i japim hov industrisë prodhuese, duke e ditur që industria prodhuese i krijon vendet e reja të punës edhe në industrinë e shërbimeve, atë të financave, si dhe në tregti. Lidhur me problemin e vreshtarëve të Rahovecit, Kurti tha se shitja e Bodrumit dhe ambientit të përpunimit të rrushit, bashkë me 1000 hektarët e vreshtave, i ka lënë kultivuesit e rrushit, i ka lënë vreshtarët, pa e shitur rrushin. Shembulli i dështimit edhe të bujqësisë edhe të industrisë është kjo fabrikë e shitur, ku dështimi i bujqësisë e sforcon dështimin e industrisë, dhe dështimi i industrisë e sforcon dështimin e bujqësisë.

Kurti foli për problemin politik në fshatin Hoçë të Madhe, ku vetëm sa po përforcohet e ashtuquajtura zonë e veçantë mbrojtëse, e cila në fakt e sulmon edhe funksionalitetin e Komunës, edhe trashëgiminë kulturore.

“Me Lëvizjen Vetevdneosje! në qeverisje, nuk do të ketë më këso mini-shtetesh brenda komunave tona, por do të ketë komuna të fuqishme të Kosovës, në një shtet të fuqishëm të Kosovës”.

Lidhur me rrugët që janë shtruar kohëve të fundit në këtë Komunë, në emër të përmirësimit të infrastrukturës, Kurti tha se infrastruktura nuk është vetëm asfalt i hollë si qilim, por është rrugë e shtruar me bazë dhe mbi të gjitha infrastruktura nënkupton edhe ujësjellësin edhe kanalizimin. “E keni parë kohëve të fundit se si këtu në Rahovec pushteti po mbjellë asfalt për të korrur vota. Po shtrohen rrugë vend e pa vend, të holla me asfalt si qilim, pa i paguar kompanitë e ndërtimit, me premtimin se buxhetin do t’ua shlyejmë në mandatin e ardhshëm ndërkohë që borxhi i Komunës tashmë është trashur në 3 milionë euro. Kjo qeverisje që e rrit borxhin e popullit, për t’ia zgjatur jetën vetes, vetëm sa ia nxin jetën qytetarëve”.

Kurti në fund u bëri thirrje qytetarëve të Rahovecit që të mos i votojnë këto subjekte që janë bërë bashkë për t’u pasuruar, por ta votojnë Vetëvendosje!-n që do ta bashkojë popullin për ndryshime.

 

Më Shumë

Abdixhiku nga Prizreni kërkon rindërtimin e besimit të LDK-së

Është shënuar 34 vjetori i themelimit të LDK-së në Prizren. Kryetari i këtij subjekti politik, Lumir Abdixhiku, ka ftuar të gjithë që t’i bashkohen LDK-së. “Ditën...

Kurti: Me guximin e familjes Haradinaj, Epopeja e Dukagjinit dëshmoi vendosmërinë për çlirim

Kryeministri Albin Kurti, tha se bashkë me guximin e familjes Haradinaj, Epopeja e Dukagjinit dëshmoi vendosmërinë e popullit për çlirim. “Kushtrimi i lirisë dhe lufta...

Lajmet e Fundit