10.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Visar Ymeri premton demonstrata

Visar Ymeri kryetar i VVKryetari i ri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, deklaroi sot se ashtu siç nuk u kursyen kurrë aktivistët e kësaj lëvizjes, ashtu nuk do të kursehet as ai kurrë dhe se do të jetë në punë, në terren, në demonstratë e protestë, në publik e media.

Këto deklarata Ymeri i bëri në mbledhjen e XIX të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj lëvizjeje, në të cilin ai u zyrtarizua si Kryetar i Vetëvendosjes.

“Besimin që ma dhanë është përgjegjësi për mua. Këtë përgjegjësi do ta shndërroj në angazhim të përbashkët me ta, për një Vetëvendosje më të fuqishme, drejtë një Kosove që vendosë vetë, e cila vendosë të zhvillohet, vendosë të barazohet, vendosë të solidarizohet, sovranizohet, dhe e cila vendosë të bashkohet”.

“Ashtu siç nuk u kursyet kurrë ju, ashtu nuk do të kursehem kurrë as unë – në punë, në terren, në demonstratë e protestë, në publik e media”, deklaroi Ymeri.

Sipas tij, Qeveria aktuale e Republikës së Kosovës e ka intensifikuar ofendimin dhe përdhosjen që po ia bën qytetarit.

“Nga deklarimet skandaloze të Mustafës për përgjegjësinë e prindërve në humbjen e jetës së fëmijëve shqiptarë të Kosovës në Hungari, e deri te deklarata e fundit e Stavilecit për madhësinë e familjes si shkaktare të mjerimit social të qytetarit të Kosovës, e shpërfaqin refuzimin kategorik të zyrtarëve qeveritarë të marrin përgjegjësinë për situatën ekonomike e sociale në vend”.

“Kjo mungesë përgjegjësie shtrihet në dy rrafshe: është ikje nga përgjegjësia e zyrtarëve për politikat dhe vendimet e tyre që po e shkaktojnë këtë gjendje; është po ashtu ikje e institucioneve shtetërore nga përgjegjësia që kanë karshi qytetarëve. Kjo po e shndërron Kosovën në një shtet që nuk mundet, që e bën shtetin të pamundur”, deklaroi kreu i VV-së.

Fjalimi i Visar Ymerit në mbledhjen e XIX të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje!

Të nderuar aktivistë e anëtarë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Të shumë respektuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm,

Mysafirë të nderuar, përfaqësues të mediave, pjesëmarrës në këtë mbledhje të XIX-të të Këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,

Më lejoni që fillimisht t’i përgëzojë të gjithë anëtarët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për një proces demokratik të zgjedhjeve që i organizuan fundjavën e kaluar, më 21 dhe 22 shkurt të këtij viti. Besimin që ma dhanë është përgjegjësi për mua. Këtë përgjegjësi do ta shndërroj në angazhim të përbashkët me ta, për një VETËVENDOSJE! më të fuqishme, drejtë një Kosove që vendosë vetë, e cila vendosë të zhvillohet, vendosë të barazohet, vendosë të solidarizohet, sovranizohet, dhe e cila vendosë të bashkohet.

Ashtu siç nuk u kursyet kurrë ju, ashtu nuk do të kursehem kurrë as unë – në punë, në terren, në demonstratë e protestë, në publik e media.

Organizata jonë është organizata politike më demokratikja në Republikën e Kosovës. Për shkak se është e barabartë, dhe insiston në barazinë mes aktivistëve. Demokracia nuk është vetëm formë a procedurë anemike që përmbushet vetëm kur plotësohen kriteret formale, sikur kjo të jetë tender publik që i kërkon së paku dy ofertues. Demokracia është hapësirë e përditshme dhe e barabartë e angazhimit e diskutimit politik, mundësi e gjerë pjesëmarrjeje në vendimmarrjen politike që nuk përjashton askënd, program i qartë politikash që afirmojnë sovranitetin popullor, të mirën e përgjithshme e pronësinë publike. Ashtu siç është në VETËVENDOSJE! dhe ashtu siç, fatkeqësisht, nuk është në Kosovë.

Se si mund të flasim për demokraci kur tash e 16 vjet nga çlirimi e 7 vjet nga shpallja e pavarësisë, asnjë prej vendimeve të rëndësishme për vendin, le që janë marrë pa u pyetur fare populli, por madje pa e marrë fare parasysh vullnetin e interesin e tij kolektiv. Dhe, për më tepër, si mund të quhet demokraci kur asnjë prej institucioneve ose udhëheqësve të tyre, asnjëherë nuk dhanë llogari për asnjë prej veprimeve të tyre, pavarësisht shkallës së dëmit të krijuar, apo gjerësisë së mundësisë së shpërdoruar e humbur.

Demokracia është një lëvizje e vazhdueshme drejt progresit. Pra demokracia është Lëvizje. Partitë politike në Kosovë janë statike. E ju e dini çfarë ndodh me ujin që rri në një vend.

Ne nuk do të qëndrojmë në një vend. Sepse jemi të pakënaqur.

Dhe kjo pakënaqësi vetëm sa do të shkojë e do të rritet.

Qeveria aktuale e Republikës së Kosovës e ka intensifikuar ofendimin dhe përdhosjen që po ia bën qytetarit. Nga deklarimet skandaloze të Mustafës për përgjegjësinë e prindërve në humbjen e jetës së fëmijëve shqiptarë të Kosovës në Hungari, e deri te deklarata e fundit e Stavilecit për madhësinë e familjes si shkaktare të mjerimit social të qytetarit të Kosovës, e shpërfaqin refuzimin kategorik të zyrtarëve qeveritarë të marrin përgjegjësinë për situatën ekonomike e sociale në vend. Dhe kjo mungesë përgjegjësie shtrihet në dy rrafshe: është ikje nga përgjegjësia e zyrtarëve për politikat dhe vendimet e tyre që po e shkaktojnë këtë gjendje; është po ashtu ikje e institucioneve shtetërore nga përgjegjësia që kanë karshi qytetarëve. Kjo po e shndërron Kosovën në një shtet që nuk mundet, që e bën shtetin të pamundur.

Të nderuar delegatë të Këshillit, aktivistë e anëtarë të Lëvizjes, të nderuar mysafirë,

Sot fillon një mandat i ri në drejtimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Në këtë mbledhje të sotme do ta zgjedhim kryesinë e re të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Dua ta shfrytëzoj këtë rast t’i falënderoj të gjithë ata aktivistë që me punën dhe përkushtimin e tyre e bënë Lëvizjen ajo që është sot. Të gjithë ata që me përgjegjësi i drejtuan pikat e Lëvizjes, Qendrat e saj, Këshillet e qendrave, Këshillin e përgjithshëm, Komitetet e Lëvizjes, Sekretariatin e përgjithshëm, deputetët e Grupit Parlamentar, qeverinë lokale në Prishtinë, kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin, Kryesinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe kryetarin e deritashëm të Lëvizjes, Albin Kurtin.

Por njëkohësisht ju thërras të gjithëve që ta shumëfishojmë përpjekjen dhe përkushtimin tonë. Sepse punët e përgjegjësitë e mëdha janë përherë para nesh, e asnjëherë prapa.

Ky vit do të jetë vit i zhvillimeve të rëndësishme për Republikën e Kosovës, por edhe për organizatën tonë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është në proces të ristrukturimit. Unë, bashkë me kryesinë e re, do të angazhohem pakursim në fuqizimin e aktivizmit të Lëvizjes nëpër Kosovë e jashtë saj. Do t’i forcojmë strukturat dhe kapacitetet tona organizative në të gjitha nivelet e organizatës, dhe në tërë hapësirën gjeografike e shoqërore të Kosovës. Kudo ku ka padrejtësi, kudo ku ka cenim të interesit të përgjithshëm, Lëvizja VETËVENDOSJE! do të jetë aty bashkë me qytetarin e kundër padrejtësisë, e kundër shkeljes.

E padrejtësi e cenim të interesit ka kudo. Te marrëveshjet me Serbinë që po e cenojnë shtetin e po e ndajnë territorin; te refuzimi i shndërrimit të Trepçës në ndërmarrje publike që po ia vazhdon asaj amullinë shumëvjeçare që po shkatërron atë por edhe interesin ekonomik e social të vendit; te tenderi për TEC Kosova e Re që po ia humb Kosovës mundësinë për kontroll sovran mbi resurset energjetike dhe përdorimin e tyre për zhvillim e mirëqenie ndërkohë që e kanos qytetarin me shtrenjtim të çmimit të energjisë; te Gjykata Speciale që po shtrembëron të vërtetën për luftën e po e tjetërson sovranitetin vendor në gjyqësi; te kontratat e vazhdueshme me Bechtel Enkan që po i shpërdorojnë paratë publike të Kosovës në projekte super të shtrenjta pa ndonjë planifikim ekonomik; te euforia privatizuese e Qeverisë që po e kanos me zhvleftësim dhe shitje secilën ndërmarrje publike duke e transformuar pasurinë e përgjithshme në përfitim privat; te uzurpimi i pronës publike që po ia ngushton hapësirën shoqërisë duke e rritur atë për një numër të vogël njerëzish; te bankat që përfitojnë nga paratë tona e nuk e kreditojnë fare ekonominë; te arsimi që nuk jep dije por e atomizon shoqërinë; dhe te shëndetësia të cilën e kanë shkatërruar për të përfituar zyrtarët qeveritarë.

Kështu koncentrohet pasuria në një klasë të vogël njerëzish. Dhe pastaj këta fillojnë të mendojnë se duhet të kenë më shumë të drejta, dhe e përdorin pushtetin për t’i siguruar vetes më shumë të drejta. Padrejtësisht.

Mirë që jemi shumica këndej. Këtë shumicë do ta bëjmë VETËVENDOSJE! Dhe për këtë na duhet VETËVENDOSJE! e organizuar mirë. Na duhen të gjithë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe secili prej tyre.

Bashkë është e mundshme. Është e mundshme të bëhemi bashkë. Dhe kur bëhemi bashkë çdo gjë është e mundshme.

Ju faleminderit!

Më Shumë

Konfiskohet drogë në vlerë rreth 70 mijë euro në Suharekë, arrstohen katër të dyshuar

Policia e Kosovës njofton se në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe prokurorinë, kanë arrit të realizojnë identifikimin e katër personave të...

Interi, kampion i Italisë — ylli i dytë vjen me fitoren në derbi

Interi është zyrtarisht kampioni i Italisë në futboll për sezonin 2023-2024. Zikaltërit, ashtu siç edhe e kishin paralajmëruar dhe ëndërruar më herët arritën të sigurojnë...

Lajmet e Fundit