2.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Vjosa Osmani shihet më premtuese për ndryshime në LDK

Gara për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës po vlerësohet si një garë demokratike, jo vetëm për konsolidimin e strukturave të partisë, por edhe për një lidership të ri, gjë që sipas analistëve dhe njohësve të çështjeve politike, nuk do të duhej të mbetej i njëjtë, ndonëse gjasat për këtë shihen bukur të mëdha.

Sipas tyre, rikandidimi i Isa Mustafës, tash edhe me postin e kryeministrit të Kosovës, pa marrë parasysh se si u fitua ai post, i ka të gjitha resurset në dispozicion dhe vetë strukturat e partisë për ta dizajnuar Kuvendin zgjedhor të LDK-së në atë mënyrë që “shefi të mbetet shef”.

Edhe një ditë para këtij kuvendi zgjedhor opinioni është i njoftuar se për postin e të parit të LDK-së ka kandiduar edhe deputetja Vjosa Osmani, ndërsa përmenden edhe emra të tjerë që pritet të hyjnë në garën për lider partie, prej ish-kryetarit të mëhershëm Fatmir Sejdiu, Lutfi Hazirit e deri te Arben Gashi.

Analistë dhe njohës të çështjeve politike më shumë preferojnë të flasin për deputeten Vjosa Osmani, tek e cila shohin një potencial për ndryshimet shumë të nevojshme brenda LDK-së, madje disa atë e shohin edhe si shpëtimtare të LDK-së. Nuk është i vogël numri i atyre që te Vjosa Osmani shohin edhe shpetimtaren e LDK-së, e cila rrezikon të shkapërderdhet edhe një herë, sikur në të ashtuquajturin kuvend i karrigeve, epitet ky që i mbeti Kuvendit VI të LDK-së, kur në përleshje të delegatëve u përdorën edhe karriget. Nga ai kuvend një numër i madh i anëtarëve u pozicionuan në anën të pakënaqurve, braktisen LDK-në dhe formuan Lidhjen Demokratike të Dardanisë në krye me Nexhat Dacin.

Politikologu Albinot Maloku, ka thënë për KosovaLive se në thelb të LDK-së ka nevojë për frymë të re, parime, koncepte e mendësi politike të reja e fuqizuese.

“Mendoj që befasia premtuese për ndryshim brenda LDK-së është kandidimi i Vjosa Osmanit, e cila do të mund të përfaqësonte parimet, konceptet e mendësitë politike të reja e fuqizuese për këtë parti. Kreu aktual i LDK-së, në kushte normale, nuk do të duhej fare as t’i hynte në mendje rikandidimi. Isa Mustafa as si kryetar i partisë së tij, por as si kryeministër vendi, nuk ka ardhur me fitoren e tij, ku kjo fitore të mbështet në meritat ose kredon politike të tij”, ka thënë Maloku.

Ai beson se Osmani është e përgatitur dhe ka një kredo politike që e ka krijuar, por edhe dëshmuar në shumë raste.

“Ajo ishte, e besoj do të mund të ishte avokatja kryesore e një LDK-je të re e premtuese si kryetare e partisë. Zonja Osmani nuk përfaqëson gruan e cila e ka fituar pozicionin duke ju falënderuar të ashtu njohurit ‘diskriminimit pozitiv’, e aq më pak emërimit në një pozicion nga të tjerët siç kemi raste në Kosovë. Duke u nisur nga kjo, konsideroj që ajo është ndryshimi më i mirë që do të mund ta përjetonte ish-partia e ish-presidentit Rugova.

Kur Kosova është vlerësuar se mund të udhëhiqet nga një femër e emëruar nga të tjerët, pse nuk do të mund ta zgjidhte LDK-ja një femër që asgjë, as brenda partisë, por as jashtë saj nuk e ka fituar pa meritë”, ka nënvizuar Maloku.

Publicisti dhe njohësi i rrethanave politike, Halil Matoshi, disa herë ka theksuar se Vjosa Osmani, e cila, ndonëse vlerësohet të jetë gruaja më e fuqishme për nga profili intelektual në parti, e ka më së vështiri, pasi sipas tij, strukturat e vjetra të partisë, që po rikonfirmohen nëpër degë, do ta ndajnë mejdanin mes ish-kryetarit Sejdiu dhe kryetarit aktual Mustafa.

Por, Matoshi thotë se Isa Mustafa do të ketë konkurrencë dhe presion të shtuar, që sipas tij, atë do ta nxjerr nga loja si të humbur në një garë demokratike, ose e fuqizon në parti si lider të fuqish,

“Zonja Osmani e ka të vështirë, sepse shumica e elektoratit naiv kosovar voton jo për partinë ose ideologjinë dhe reformat modernizuese, por për një ‘hyqymet’, pra për pushtetin klientelist, që e konsiderojnë se është i tyre, e që në fakt nuk është, sepse ky pushtet është kamikazllëk i disa krerëve të LDK-së për ta shpëtuar nga vdekja e sigurt politike PDK-në e Hashim Thaçin, për ta rehabilituar SHIK-un, pa u përballur me të vërtetën dhe për të mos i sjellë para drejtësisë atentatorët politikë dhe eksponentët e linjës terroriste-enveriste në skenën politike kosovare”, ka thënë Matoshi.

Matoshi ka një fije shprese se elektorati i gjerë i LDK-së po rizgjohet dhe se është krijuar një frymë mobilizuese për ta nxjerrë Vjosa Osmanin fituese të kësaj gare.

“Pra, ky elektorat i zhgënjyer besohet se do t’u kundërvihet strukturave demagogjike dhe lehtë të konvertueshme për ta bërë diferencën ndërmjet liderëve të së shkuarës dhe liderëve për një Kosovë evropiane si Osmani, e cila, ndonëse është pa konkurrencë më e afta, mjerisht nuk i ka në krah njerëzit e fuqishëm të partisë, mendërisht të kastruar”, ka thënë Matoshi në një opinion të tij.

Rikujtojmë se Kuvendi Zgjedhor i LDK-së do të mbahet të dielën duke filluar nga ora 9:00./KosovaLive/

Më Shumë

Zyrtare: Roma konfirmon se De Rossi do të vazhdojë si trajner në 2024-25

Dan dhe Ryan Friedkin njoftojnë se Daniele de Rossi do të qëndrojë në krye të Roma-s në sezonin 2024-25. Pronarët e Roma-s, Dan dhe Ryan...

Si u vra para syve të gruas e vajzës? – Zbulohen detaje tronditëse të vrasjes së Beqir Morinës në Prizren

Beqir Morina u vra në mënyrë mizore me dhjetë plumba në kokë para syve të bashkëshortes dhe vajzës së tij 8-vjeçare. Aktakuza e Prokurorisë Themelore...

Lajmet e Fundit