8.8 C
Prizren
E martë, 19 Mars, 2024

Vrasja e Skender Limajt në Banjë të Malishevës, nis rigjykimi

Në tri seanca Prokuroria Speciale dhe pesë mbrojtësit e të akuzuarve, nuk po merreshin vesh rreth aktgjykimit të Gjykatës Supreme, e cila e kishte kthyer rastin në rigjykim për katër nga pesë të akuzuarit në rastin e vrasjes së Skender Limajt në banjë të Malishevës.

Por ndërhyrja e kryetares së trupit gjykues, gjyqtares Raima Elezi, e ktheu në ‘binarë’ dhe i dha drejtim këtij rigjykimi, që po hyn në vitin e nëntë. Ndërkohë i akuzuari Emin Krasniqi gjendet në paraburgim më shumë se tetë vite, raporton KALLXO.com.

Përderisa mbrojtja, e kryesisht mbrojtësi i të akuzuarit Emin Krasniqi avokati Florin Vërtopi, drejtonte akuza ndaj Prokurorisë Speciale për joseriozitet në këtë çështje, prokurori Enver Krasniqi, që është prokurori i katër me radhë që po e përfaqëson këtë aktakuzë, në seancat e mëparshme kishte deklaruar që duhet të vazhdohej me aktakuzën e mëparshme, dhe nuk duhet precizim i aktakuzës.

I njëjti në seancën e datës 14 dhjetor 2018 kishte kërkuar një afat të arsyeshëm që të merr mendim nga Gjykata Supreme për aktgjykimin në fjalë.

E pas marrjes së mendimit të Gjykatës Supreme, pas udhëzimeve të kryetares së trupit gjykues Raima Elezi, dhe pas disa konsultave ndërmjet avokatëve dhe prokurorit special Enver Krasniqi, në seancën e katër me radhë u vendos që shqyrtimi kryesor të mbahej dhe të fillohet me leximin e aktakuzës së precizuar, pra nga pesë pikat e aktakuzës u lexuan pika e aktakuzës që ndërlidhen me të akuzuarit Emin Krasniqi, Durim Krasniqi, Astrit Krasniqi, dhe Hazir Krasniqi, raporton KALLXO.com.

Sipas aktakuzës së lexuar nga prokurori special Enver Krasniqi, i Emin Krasniqi akuzohet për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje. Durim Krasniqi, akuzohet për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, Astrit Krasniqi dhe Hazir Krasniqi, akuzohen për veprën penale të vrasjes së rëndë në ndihmë.

Për të gjitha veprat penale asnjëri nga të akuzuarit nuk e pranoi fajësinë, përveç i akuzuarit Durim Krasniqi i cili e pranoi fajësinë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Pas leximit të aktakuzës, dhe deklarimit të të akuzuarve rreth fajësisë, prokurori special Enver Krasniqi propozoi që deklarimet e palës së dëmtuar Minire Limaj, të lexohen, pasi që e njëjta sipas familjarëve të saj, nuk do të mund të paraqitet nëpër seanca për shkak të gjendjes shëndetësore.

Gjithashtu prokurori Krasniqi propozoi që të lexohen edhe deklaratat e nëntë dëshmitarëve që janë dëgjuar në Prokurori e dy herë në Gjykatë, dhe deklarata e tre dëshmitarëve që ishin dëgjuar dy herë në Gjykatë, pasi që prokurori nuk kishte kundërshtimet apo vërejte në deklaratat e dëshmitarëve.

Mbrojtësit e të akuzuarve, avokati Florin Vërtopi, avokati Shemsedin Piraj, avokati Emrush Kastrati, avokati Valon Kabashi dhe avokati Hajrip Krasniqi, nuk i kundërshtuan propozimet e prokurorit, por të njëjtit deklaruan që gjatë leximit të dëshmive, do të paraqesin vërejtjet e tyre veç e veç për secilën deklaratë.

Më tutje i dëmtuari Behlul Limaj, vëllai i viktimës Skender Limaj u dëgjua edhe si dëshmitar. I njëjti qëndroi pranë deklarimeve të dhëna më parë, ndërsa shtoi se familja Limaj dhe familja Krasniqi në nëntor të vitit 2017, kanë arritur pajtim dhe janë pajtuar që konflikti të përfundojë.

“Ne ia lëmë drejtësisë në dorë të vendos, por kërkojmë që gjykata ta merr rastin seriozisht, sepse ne pajtimin familjar e kemi bërë hatri fëmijëve të rinj që të mos kemi më vrasje në familje”, tha Limaj.

E trupi gjykues me Raima Elezi kryetare, Vjollca Buzhala e Nazim Vllaço, anëtarë, pas konsultimeve, iu sqaruan palëve se sipas udhëzimeve të Gjykatës Supreme të Kosovës, do të ftojnë si dëshmitarë ekspertët mjeko- ligjor, Gjithashtu edhe pas analizimit të të gjitha deklaratave të dëshmitarëve, kryetarja Raima Elezi shtoi se: “Sipas nevojës trupi gjykues do të ftojë dëshmitarë, për të sqaruar rrethanat e rastit që eventualisht kanë mbetur të paqarta”.

Prokuroria Speciale e Kosovës i ngarkonte Emin, Durim, Berat, Astrit dhe Hazir Krasniqin se më 1 janar 2011 në fshatin Banjë të Malishevës, pas disa mosmarrëveshjeve paraprake me familjen Limaj, duket për shkak të përkatësive të ndryshme politike, në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe shkaktimit të lëndimeve të rënda trupore.

Sipas aktakuzës dyshohet se Emin dhe Durim Krasniqi, kishin shkuar në restorantin “Kështjella”, ku Skender Limaj po shikonte TV-në me të afërmit, me ç’rast Emini me shufër e godet disa herë në kokë e trup tani të ndjerin Skender Limaj, derisa Durimi shtie me armë zjarri dhe e qëllon atë për vdekje. Të dy Krasniqët akuzoheshin për bashkëkryerje të vrasjes së rëndë.

Ndërsa Berat Krasniqi, sipas aktakuzës, ngarkohej për veprën penale të lëndimit të rëndë trupor, për gjuajtje me armë zjarri në drejtim të Ilir Limajt, i cili ishte plagosur në këmbë.

Astrit dhe Hazir Krasniqi, akuzoheshin se kanë ndihmuar të pandehurit e tjerë, duke i dërguar me veturë në vendin e ngjarjes, duke bërë roje dhe i udhëzuar përmes telefonave.

Më Shumë

Rizvanolli: Sivjet nuk pritet të ketë rritje të çmimit të energjisë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se qytetarët e vendit nuk pritet të preken sivjet nga rritja e çmimit të energjisë elektrike.   “Jemi në...

Për herë të parë në Prizren, nis vaksinimi kundër kancerit të qafës së mitrës

Komuna e Prizrenit, përmes një njoftimi, ka bërë të ditur se kryetari Shaqir Totaj, së bashku me drejtorin e Shëndetësisë, Simir Krasniqi, morën pjesë...

Lajmet e Fundit