14.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Xhamia në Mlikë të Dragashit më e vjetër në Kosovë dhe Ballkan

Xhamia në Mlikë të Dragashit konsiderohet si xhamia më e vjetër jo vetëm në Kosovë, por në mbarë rajonin e Ballkanit. Ajo mendohet se është ndërtuar nga një familje e ardhur nga Halepi i Sirisë në vitin 1289. Ky objekt aktualisht është në mbrojtje të përkohshme nga shteti.

Xhamia gjendet në fshatin Mlikë, rajoni i Gorës, komuna e Dragashit. Gjendet në lagjen “Oxhina” (“Halebak”), në rrugën kryesore të fshatit, me pjesën ballore të orientuar kah veriperëndimi. Në kuadër të xhamisë gjendet oborri me qasje në xhami, varreza, gërmadhat e tyrbes, shatërvani për abdes dhe një çezme e re në anën e jashtme të hyrjes së xhamisë. Xhamia është e rrethuar me shumë shtëpi të vjetra vernakulare të fshatit.

Sipas mbishkrimit që gjendet në fasadën e minares së xhamisë, xhaminë e rindërtoi Ahmet Aga në vitin 1238/1822, shekulli XIX. Në mbishkrim gjithashtu është i shënuar viti 688/1289, ku sipas supozimeve mendohet që është viti i themelimit të xhamisë, i ndërtuar nga një familje prej Halebi, Siri. Prandaj në bazë të argumenteve, Xhamia e Mlikës publikisht konsiderohet si xhamia e parë e ndërtuar në Kosovë dhe në rajon.

Ndërsa në bazë të gojëdhënave, xhamia rindërtohet përsëri prej themeli nga fshatarët, në vitin 1963, ndërkaq minarja në vitin 1968. Përforcimi i konstruksionit me shtyllat mbajtëse përreth xhamisë dhe zëvendësimi i kulmit me tjegulla të reja është realizuar pas vitit 2003.

Muret kryesore të xhamisë supozohet të jenë të ndërtuara prej guri me trashësi 64 cm, sot të suvatuara me llaç. Konstruksioni meskatësh i mafillit është i ndërtuar më vonë prej betoni, ndërsa rrethoja e çardakut të mafillit është prej druri. Konstruksioni i kulmit është prej druri, ndërsa kulmi është katërujor, i mbuluar me tjegulla të reja.

Dyert dhe dritaret janë zëvendësuara me PVC. Dyshemeja e sallës së lutjeve është e shtruar me dërrasa, ndërsa e hajatit me pllaka prej qeramike. Minarja është e ndërtuar prej tullave të pjekura. Salla e lutjeve ka planimetri katrore me dimensione 7.3 x 7 m, dhe është e mbuluar me kube e cila ka lartësi 744 cm prej dyshemesë.

Hajati ka planimetri drejtkëndëshe, shërben si parahyrëse për sallën e lutjeve dhe ndahet me një kthinë, e cila shërben si depo. Në kuadër të hajatit gjenden shkallët prej betoni që kanë qasje në mafil dhe minare. Në enterier nuk ka dekorime në mure. Pajisjet e paluajtshme: mihrabi, minberi, mbishkimi etj.

Minberi është i punuar dhe i gdhendur prej druri, i dekoruar pjesërisht me motive gjeometrike. Pajisjet e luajtshme: gurët mbivarrorë. Xhamia ka vlera historike dhe shoqërore, sepse është monument sakral në shërbim të komunitetit islam të fshatit Mlikë. Sot xhamia është relativisht në gjendje të mirë.

Më Shumë

Kujtimet poetike të Fahri Musliut

Gazetari Fahri Musliu ka publikuar në rrjetin social Facebook disa poezi të cilat i  ka shkruar në  fund të vitit  ’70-të . “Poezitë janë të...

Real Madrid e mposht Barcelonën, blindon kreun e La Liga-s

Real Madrid e ka mposhtur sërish Barcelonën, duke e blinduar kreun e La Liga-s. Skuadra madrilene triumfoi me rezultat të ngushtë 3:2, me anglezin që...

Lajmet e Fundit