6.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Zafir Berisha akuzohet për lidhje të paautorizuar të rrymës

Deputeti i Nismës në Kuvendin e Kosovës, Zafir Berisha, akuzohet se ka kryer lidhje të paligjshme të rrymës, çka cilësohet si vepër penale.

A është akuzuar nga Departamenti i Përgjithshëm i Prokurorisë Themelore të Prizrenit nën dyshimin se ka kryer veprën penale “lidhja e paautorizuar në shërbime”, vepër kjo e paraparë në nenin 321 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për të cilën dënimi është me gjobë dhe burg deri në tri vjet.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Shtetit, Zafir Berisha, si pronar i restorant “Kështjellës” akuzohet për rikyçje ilegale në shtyllën e rrymës.

Po i njëjti kishte deklaruar në muajin shkurt 2015, në Kuvendin e Kosovës, se qytetarët po manipuloheshin me njehsorët elektrikë.

“Prej datës së pavërtetuar e deri më 31 janar 2014, në fshatin Vlashnjë- Komuna e Prizrenit, pikërisht në lokalin e tij afarist, restorant “Kështjella” i pandehuri lidhet, apo rilidhet në përçuesin e rrymës elektrike apo në rrjetin për përçim apo shpërndarje të çfarëdo shërbimi komunal, në çfarëdo mënyre, drejtpërdrejtë apo tërthorazi, pa autorizim të furnizuesit të autorizuar, në atë mënyrë që edhe pse është ç’kyçur nga njehsori për shkak të borxhit, ka bërë rikyçje ilegale në shtyllë pa autorizimin e organit kompetent, respektivisht “KEDS”, Distrikti në Prizren”, lexon aktakuza e Prokurorisë së Shtetit të përpiluar nga prokurorja Elfete Purova.

Sipas aktakuzës, ai ngarkohet me veprën penale “lidhja e paautorizuar në shërbime”.

Sipas informatave zyrtare të marra nga KALLXO.com, arsyeja e çkyçjes nga rrjeti elektrik ishte për shkak të borxhit në lokalin afarist, që ishte në lartësinë mbi 7 mijë euro.

Seanca e shqyrtimit fillestar ishte planifikuar që të mbahet për ditën e martë, mirëpo deputeti Berisha nuk u paraqit në gjykatë.

Gjyqtari i rastit Refki Piraj, tha se i akuzuari nuk e ka arsyetuar mosardhjen në gjykim.

“Fletëthirrja e Gjykatës është kthyer e nënshkruar që është pranuar ftesa, nuk e di a ka nënshkruar ai apo dikush tjetër. Mosardhjen e sotme i akuzuari nuk e ka arsyetuar, unë do ta përsërisë edhe njëherë fletëthirrjen mirëpo kësaj radhe me vërejtje, nëse nuk vjen në seancën e radhës do ta sjellim me dhunë, me anë të policisë”, tha gjykatësi Piraj.

Ndërsa i kontaktuar nga KALLXO.com, deputeti Zafir Berisha tha se nuk ka pranuar fare ftesë nga Gjykata.

“Prej teje po dëgjoj që paskam pasë sot gjykim. Është e vërtetë që para dy muajve kam pas ftesë dhe i jam përgjigjur Gjykatës, mirëpo në atë kohë Gjykata ka qenë në grevë dhe është shtyrë gjykimi, por asnjëherë nuk kam pranuar ftesë nga Gjykata”, tha Berisha.

Ai, madje tha se është akuzuar gabimisht ngase personalisht ka kohë që nuk menaxhon më lokalin “Kështjella”.

“Unë që nga gushti i vitit 2007 nuk e menaxhoj lokalin, tjetërkush është menaxher i atij lokali dhe nuk e di se si KEDS ka ardhur në konstatimin që unë paskam bërë rikyçje të rrymës. Ata as që kanë mund të më shohin mu personalisht ndonjëherë, pos në televizor” u shprehë Berisha.

Për më tepër Berisha tha se nuk ka pasur arsye të mos i përgjigjet ftesës së Gjykatës.

“sidomos sot tërë ditën kam qenë në Prizren, sepse zakonisht gjendem në Prishtinë dhe me shumë dëshirë do t’ i përgjigjesha ftesës, nuk kam arsye të veproj ndryshe sepse siç ju thashë jam gabimisht i akuzuar në këtë rast, ngase tjetër kush menaxhon me lokalin”.

Gjykata, ende nuk e ka caktuar datën për seancën e radhës./kallxo.com/

Më Shumë

Sot varroset aktorja Shirine Morina

Sot në orën 16:00 do të bëhet varrimi i aktores së njohur, Shirine Morina. Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se sot do të organizojë...

Juventusi nis punën për transferimin e Zhegrovës

Juventusi në verë mund të nënshkruaj me yllin e Kosovës, Edon Zhegrova. “Zonja e Vjetër” rikthehet në Ligën e Kampionëve, prandaj do të investojë në...

Lajmet e Fundit