9.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Zgatari i shumë legjendave

Në Zgatarin e Opojës jetojnë rreth 700 banorë, rreth 40 për qind e banorëve jetojnë në diasporë, ndërsa në Prizren janë rreth 150 familje që janë shpërngulur nga Zgatari. Disa familje janë shpërngulur në Turqi

Zgatari shtrihet në skajin verior të fushëgropës së Opojës, rreth 22 km në verilindje të qendrës komunale të Sharrit, shpjegon Muharrem Qafleshi. Sipas tij, është vendbanim i shpatit i eksponuar lindjes.

“Në vitet e fundit në pjesë e tij është zgjeruar në rrafshin fushor, në formë të zgjatur”.

Sipas banorëve vendas thuhet se Zgatari është njëri prej vendbanimeve më të vjetra të Opojës. Ai dikur i kishte pasur 400 shtëpi dhe 7 mahallë. Mirëpo, fshati është “shkatërruar” për shkak të luftës dhe murtajës. Shtrija e gjatë në një luginë në mes dy kodrave malore, tregon edhe vetë toponimi shqip “i zgjatur”, “i zgatur”. Në Zgatarin e vjetër ka rënë një sëmundje dhe aty ishte mjaftë ftohtë, kështu që popullata është larguar nga aty dhe janë vendosur në Zgatarin e sotëm, Pllavë dhe Mlikë. Një kishë e vjetër krishtere ka qenë në vendin Guri i Gjermanit, në veri të Zgatarit, përmbi vendbanimin e vjetër. Aty janë ende themelet e saj, shkruan gazeta Kosova Sot.

Toponimi gjerman

Në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore nga familja e hoxhallarëve, disa prej tyre janë shpërngulur në Turqi.

“Disa familje janë shpërngulur në Reçak të Shtimës, ndërsa më se 60% të zgatarasve janë vendosur në Prizren”, tregon Qaflleshi.

Nga historia e këtij fshati në Opojë lidhet edhe me fakte nga mesjeta. Nëpër Opojë qarkullojnë tregime e legjenda fantastike për varrin e madh dhe toponimin “gjerman”, që gjendet në fshatin Zgatar, fshatin më të vjetër opojar. Një toponim (gjerman) dhe një objekt sakral (varri i madh), që mund të lidhet me ngjarjen më të rëndësishme të Ballkanit dhe të Evropës, që është nga viti 1689, kur forcat osmane ishin angazhuar në luftime me ushtrinë austriake, e cila marshonte me shpejtësi drejt jugut përmes Serbisë. Në saje të kryengritësve shqiptarë forcat austriake mundën të thyenin mbrojtjen osmane dhe të arrinin deri në Lumë. Vlen të thuhet se kryengritësve shqiptarë u printe Pjetër Bogadani, arkipeshkvi i Shkupit e i Prizrenit, që ishte njëri nga personalitet më të shquara të kulturës e të lëvizjes shqiptare të atij shekulli.

Varri i gjeneralit

Banorët e fshatit Zgatar e ruajnë të freskët rrëfimin që është përcjellë brez pas brezi, se ushtria e gjermanëve e kishte çliruar këtë trevë nga zullumi i madh i turqve osmanli, dhe nga atëherë ky vend për nder të çlirimtarëve është quajtur “gjerman”, kurse varri i oficerit quhet “Varri i Madh” dhe këtu banorët kërkonin ndihmë për hallet dhe brengat e tyre.

Nuhi Salihu nga ky fshat tregon se toponimi “gjerman” dhe objekti sakral “Varri i madh i gjermanit”, i cili edhe dallohet nga të gjithë varret e tjerë, lirisht mund të lidhet pikërisht me këtë ngjarje të madhe dhe shumë të rëndësishme për fatin e popujve të Ballkanit e në radhë të parë të shqiptarëve. “Gjermani” si emërtim kishte mbetur pas betejës austriake-osmane, ngase ushtria austriake zmbrapsi ushtrinë osmane, e cila deri në atë kohë mendohej se ishte e pathyeshme.

“Atëbotë ishte zhvilluar beteja pikërisht në vendin që edhe tash ruhet ky emërtuar “gjerman” afër katundit Zgatar të Opojës, që atëbotë i përkiste Rrethit të Lumës, kurse gjenerali i famshëm austriak Pikolomin kishte vdekur nga epidemia e murtajës, por nuk ishte varrosur në Prizren nga frika se mos përhapej epidemia e murtajës edhe tek ushtarët e tjerë”, tregon ai.

Shton se varri i gjeneralit për t’u dalluar nga të tjerët ishte shumë më i madh dhe i rregulluar me gurë të latuar mirë dhe të sjellë nga viset e tjera të Kosovës, sepse gurë të tillë në tërë komunën e Dragashit nuk ka, andaj s’do mend se kemi të bëjmë veç me këtë varr të këtij ushtaraku austriak, që opojanët ende atë vend e quajnë Gjermani, ndërsa varrin e quajnë Varri i madh. Banorët e kësaj ane, meqë nuk kanë pasur shërbim adekuat mjekësor siç janë aktualisht, me vite e shekuj kanë besuar se Varri i Madh do t’ua shërojë fëmijët, të afërmit e sëmurë ose edhe kanë qenë të bindur, se ai Varr do t’iu ndihmojë në zgjedhjen e problemeve të ndryshme, ashtu si u kishte ndihmuar për t’i dëbuar forcat ushtarake osmane nga këto troje. Njëra ndër shpellat e besimit të lashtë në Opojë është shpella e Zgatarit.

“Besimi në këtë shpellë është një besim pagan”, tregon profesori Berat Batiu.

Duhet theksuar faktin, se popullata opojare, në masë të madhe e respekton fenë e besimit Islam dhe ritet e faljes nëpër xhami, të cilat ekzistojnë nëpër të gjitha këto fshatra.

Sipas Nuhi Salihut, fshati Zgatar ende ka ruajtur tradita e dasmave edhe të vdekjeve. Mirëpo, ajo që është brengë për këta banorë sipas Salihut është fakti se janë mbi 40 për qind e banorëve që jetojnë jashtë duke migruar nëpër kohë të ndryshme për një jetë më të mirë. Sipas tij, janë mbi 150 familje nga ky fshat që janë shpërngulur në Prizren për një jetë më të mirë. (Kosova Sot)

Më Shumë

Lirohen qytetarët e Kosovës që u ndaluan mbrëmë nga policia serbe

Para pak çastesh, autoritetet serbe dhanë urdhër për të liruar kosovarët e ndaluar prej mbrëmë në kufirin Kroaci-Serbi. 12 autobusët e ndaluar janë nisur për...

Hysni Temaj, luftëtari i lirisë që ia kthehu krenarin kombit

25 vjet nga rënia e dëshmorit Hysni Sylë Temaj Hysni Sylë Temaj, u lind më 15.11.1976 në fshatin Kushnin të Hasit, që shtrihet rrëzë maleve...

Lajmet e Fundit