13.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Zhbogar: Bllokadën institucionale ta zgjidhin vet kosovarët

Zhbogar6-13Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar ka thënë se partitë politike kosovare janë ato të cilat mund t’i japin fund ngërçit politik. Ndërsa, si përfaqësues i BE-së do t’i nxisë politikanët të cilët kanë marrë mbështetjen e popullit që të dalin nga kjo situatë.

Këto deklarata Zhbogar i ka bërë pas një takimi pune me kryetarin e komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri. Ai me këtë rast ka thënë se do të vazhdojë të mbështes përpjekjet e presidentes Jahjaga për daljen e vendit nga ngërçi politik.

“Puna ime është të nxisë udhëheqësit politikë që kanë marrë përgjegjësi nga vota e popullit që ta zgjidhin problemin. Ne mbështesim përpjekjet e presidentes së Kosovës që t’i mbledhë liderët politikë dhe t’i shtyjë ata drejtë arritjes së një marrëveshjeje. Koha po kalon por ne nuk mund ta kryejmë punën e liderëve politikë. Ne do të vazhdojmë të kemi besim se Kosova dhe kosovarët do e gjejnë zgjidhjen. Kjo është më e rëndësishme për Kosovën por është e rëndësishme edhe për ne. Pra, jo vetëm që të gjendet zgjidhja, por të gjendet zgjidhja nga vet kosovarët”, ka thënë Zhbogar, raporton TV Dukagjini.

Ndërsa kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka falënderuar përfaqësuesin e zyrës së BE-së për ndihmën dhënë komunës së Pejës në implementimin e masave për efiçiencë të energjisë elektrike në shkolla dhe spitale, si dhe në realizmin e projekteve të tjera në zhvillimin ekonomik të komunës.

“Ndihmesa është e gatshme, ne duhet të aplikojmë fondet. Ndihma e BE-së është e fokusuar aty ku ne jemi të interesuar në zhvillimin e bujqësisë, turizmit dhe, normal, zhvillimin e edukimit. Këto janë ndihmat që do të ndahen nga BE dhe investimet që do t’i bëjë Komuna e Pejës”, tha ai.

Ndërsa Zhbogar ka theksuar se është impresionuar me planet e prezantuara nga ana e kryetarit, e që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të Komunës. Ai po ashtu ka çmuar edhe punën që është bërë me komunitetet, si në zgjidhjen e problemeve ashtu edhe në integrimin e tyre në institucionet lokale

Zhbogar ka qëndruar të hënën në Pejë me rastin e përurimit të punimeve në shkollën fillore “8 Marsi”.

Më Shumë

Lajmet e Fundit