11.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Lugina e Pashtrikut me dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovës

LULZIM SAHITI

Eshaloni i UÇK-së në luftë me forcat armike të pritës dhe dimrin e acartë në Pashtrik (5)

Kështu niset rrugëtimi i mundimshëm përpjetë luginës nga kishin ardhur. Forcat kriminale në gjendje gatishmërie prisnin vetëm çastin për ta goditur kolonën çlirimtare. Nuk ka zgjatur udhëtimi as dhjetë minuta kur prita e dytë armike pa asnjë paralajmërim gjuan me një plumb drejt kolonës për t’u dhënë sinjal pozicioneve të tjera serbe për fillim të aksionit. Plumbi ngulitet në tokë duke nxjerrë dheun e zi mbi dëborë por, për fat, pa qëlluar askënd nga ushtarët. Ishin vetëm pak sekonda kur fillon sulmi brutal dhe i pandërprerë nga pushkët automatike, mina tromloni, bomba dore dhe me breshëri mitralozash të rëndë. Sulmojnë në mes të kolonës së ushtarëve të UÇK-së, me qëllim për të krijuar konfuzion dhe frikë. Përballë kolonës, menjëherë pason goditja e dytë e pandërprerë nga prita e parë armike duke gjuajtur rrufeshëm nga të gjitha llojet e armatimit që kishin në dispozicion.

Pastaj, lufta nisi të zhvillohej nga të tria anët ku ishin pozicionuar paraprakisht forcat kriminale. UÇK-ja filloi të riorganizohet shpejt, duke u mbrojtur në grupe të vogla dhe duke u tërhequr pjesa dërrmuese në drejtim të Shqipërisë, kurse një pjesë pak më e vogël ka çarë rrethimin në drejtim të Kosovës. Një plumb goditi çantën e kuqe të Emrush Behlulit që kishte mbi supe. Fuqia goditëse e plumbit, çantën e ngritë thikë përpjetë, por ushtari në fjalë fatbardhësisht shpëton pa asnjë lëndim. Mandej, pason goditja tjetër e cila fillimisht ka qëlluar në dylbi të snajperit “Sig Sauer” që kishte në dorë Xhevdet Qeriqi. Pas pak çastesh një plumb e godet edhe atë në bërrylin e dorës së majtë. Fuqia e furishme e plumbit e rrotullon ushtarin në fjalë. Në të njëjtën kohë, plagë të rënda merr në krahun e majtë dhe trup Enver Deliu nga Rrezalla, të cilit ndihmën e parë ia jep Xhevdet Topalli duke hyrë nëpër plumba të armikut dhe e bart në shpinë përgjatë vijës së frontit.

Madje përmbi shpinë të tij, Enverin e godet edhe një plumb tjetër në bel. Pastaj e kanë ndihmuar në tërheqje: Vesel Aruqi, Haxhi Kiqina, Isuf Abazi me bashkëluftëtarë të tjerë. Luftimet zhvilloheshin fyt për fyt me forcat ushtarake serbe, të cilat kishin përforcime në vazhdimësi nga pozicione të ndryshme, madje edhe me qen të shkathët kufitarë. Në ndërkohë plagoset në shpinë dhe në gjurin e majtë Haki Morina, të cilin e ka ndihmuar për tërheqje Xhemshit Krasniqi me shokë të tjerë të luftës. Zëra e britma dëgjoheshin gjithandej, mirëpo ushtarët çlirimtarë vazhdojnë të çajnë rrethimin me shumë mund e sakrificë duke hapur zjarr vetëm në drejtimin nga vinin krismat e pushkëve. Pra, orientimi i gjuajtjeve është bërë kryesisht duke marrë në shenjë tytat e armëve armike që villnin flakë në drejtim të kolonës së UÇK-së.

Mirëpo, duke bërë përpjekje titanike që nga ai rrethim i zjarrit, t’i tërhiqnin shokët, nga plumbat e armikut bien në altarin e lirisë: Xhevat Shaban Thaçi (29) nga Llapushniku, Bekim Qamil Bytyqi (20) nga Dejna, Ilir Hazir Asllani (29) nga Makërmali, Muhamet Aziz Dërvishi (31) nga Gradica, Sylejman Zeqir Elashani (41) nga Gllobari, Mevlan Tefik Hoxhaj (24) nga Zhuri, Gani Halit Elshani (43) nga Krajkova, Gani Hasan Zogaj (25) nga Rigjeva, Agron Mahmut Mehmeti (25) nga Shtrubullova, Maliq Hamëz Karaqica (49) nga Balinca, Isaj Muharrem Morina (40) nga Vrajaka, Ali Halil Krasniqi (23) nga Çabiqi – vëllau i Mujës, Beqir Sefë Gashi (32) nga Mleçani, Hysen Kadri Byjupaj “Luani” (29) nga Istogu – i fejuari i Luljetës, Bashkim Azem Krasniqi (21) nga Zllakuqani, Rifat Fazli Mëziu (30) nga Marina dhe Kadri Jahir Gashi (18) nga Balinca. Flijimi i tyre ishte shembull i përkushtimit për atdhe, liri dhe ardhmëri. Në këtë rrëmujë të paparë, ku vinin plumbat sikur breshër, luftëtari Gazmend Nebihu, pas një rezistence me pushkomitroloz në dorë, arrin të tërhiqet nga rrethi i zjarrit të armikut dhe fillon t’i shpejtojë hapat nëpër borë për t’i zënë shokët para tij, mirëpo më lart afrohet rastësisht pranë një kukulle mashtruese me veshje ushtarake, e cila fillimisht ka lëshuar një alarm dhe mandej në afërsi të saj ka pasuar një eksplodim. Për fat, Gazmendi shpëton pa therë në këmbë duke u tërhequr shumë shpejt tatëpjetë.

Lugina e Pashtrikut me dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovës

Në këtë betejë trimash, me plagët e pashëruara ende në trup, komandant Mujë Krasniqi “Kapuçi”, ngjitet te vija e frontit, ku bashkëbisedon me Naser Lekun, nga i cili njoftohet për luftimet dhe të vrarët në luginë. Ai, pra Muja, për të shpëtuar sa më shumë jetë të ushtarëve, kishte kërkuar nga Naser Leku, Luljeta Shala, Avni Kutllovci, Agim Mziu, Faton Xhylani dhe Enver Olluri që të tërhiqen nga ky pozicion, ndërsa vetë kishte vazhduar luftimet duke iu kundërpërgjigjur forcave serbe në distancë të afërt. Kjo qëndresë heroike e pashembullt, që e përflaku agimin e Pashtrikut, u ndërpre nga breshëria e një arme armike, e cila goditi rëndë pishtarin e luftës çlirimtare, Mujë Halil Krasniqin (31) nga Çabiqi, komandant i Brigadës 113 të Zonës Operative të Drenicës. Ai ra heroikisht duke mbetur një yll i pashuar i lirisë. Përndryshe, shquhej për guximin, trimërinë e tij në fushat e betejave që zhvilloi UÇK-ja kundër forcave serbe.

Naser Leku nga Baica e Elashanit (Drenas) me grupin e bashkëluftëtarëve, përveç Enver Ollurit i cili ishte ndarë nga grupi menjëherë, kishte vazhduar tërheqjen graduale, në të djathtë nëpër malet e Pashtrikut. Kanë ecur të pestët së bashku deri rreth orës 15:00. Pastaj, janë ulur në një livadh me shkurre të vogla për t’i lidhur një plagë të lehtë që kishte marrë Luljeta në orët e hershme të mëngjesit. Ajo kishte plagën afër zogut të këmbës së djathtë, të cilën i ndihmon ta pastrojë dhe fashojë, bashkëluftëtari i luftës, Naseri. Në të djathtë të belit kishte plagën tjetër, ku plumbi e kishte shpuar rripin e uniformës së saj ushtarake. Mirëpo, këtë varrë pushke, Lulja e lirisë nuk kishte arritur ta pastronte ngaqë papritmas kanë vërejtur forcat tjera të armikut me uniformë të zezë duke ardhur. Në këtë kohë, Naseri ishte duke veshur jelekun. Ai kishte humbur kontrollin dhe nuk kishte lëvizur fare nga vendi, vetëm ishte shtrirë në borë, ndërsa katër të tjerët qenë tërhequr për të nxënë pozicion luftarak. Nuk kishte zgjatur shumë e të jenë dëgjuar krismat e armëve vdekjeprurëse, ku luftëtarja që rrezatonte rreze lirie Luljeta Jahir Shala (21) nga Krajkova së bashku me trimat e lirisë: Agim Halil Mëziu (24) nga Marina, Avni Bislim Kutllovci (21) nga Sfaraçaku i Epërm dhe Faton Nazif Xhylani (17) nga Baica kanë qëndruar heroikisht deri në fishekun e fundit. Forcat shumëfish më të sofistikuara të armikut sulmojnë mbi luftëtarët e patundur, të cilët e bënin luftën në një pozicion të hapur. Në luftë e sipër mbi ta kanë rënë rafalët e armës kobtare të armikut. Ata ranë dëshmorë për çlirimin e atdheut duke mbetur në përjetësi yje të pashuar. Ndërkohë pushojnë të shtënat dhe Naseri merr veten e niset i vetmuar në drejtim të panjohur. (Vijon)

Më Shumë

Totaj pret U.D. të Kryeshefit Ekzekutiv të ASK’së, diskutojnë për procesin e regjistrimit të popullsisë

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj priti sot U.D. të Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati. Siç bëhet e...

Komuna e Prizrenit organizon takime për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal

Komuna e Prizrenit, ka filluar mbajtjen e takimeve informuese me qytetarët për Hartimin e Planit Zhvillimor Komunal (PZHK). Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, është...

Lajmet e Fundit