7.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Malishevë/ Dëshmitari thotë se vet rojtari i lajmëroi inspektorët për dëmet që ishin shkaktuar në pyll

Dëshmitari Hamdi Bujupi, ka deklaruar se kishte qenë  rojtari i pyllit, Naim Berisha ai i cili kishte lajmëruar inspektorët në Prizren për t’i dalë në ndihmë për dëmin e shkaktuar në pyll.

Dëshminë e tij, Bujupi e ka dhënë në seancën e së martës, në vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, në rastin ku rojtari i pyllit, Naim Berisha akuzohet për veprën penale “veprimtari e pandërgjegjshme ekonomike”.

Dëshmitari Bujupi, ka thënë se tani i akuzuari Berisha, e kishte ftuar atë për t’i dalë në ndihmë, pasi që në territorin e tij të quajtur “Ceri i Senikut”, ishte shkaktuar dëm në prerjen e pyllit, mirëpo atë ditë kur kanë dalë në vendin e ngjarjes nuk kishin hasur në askënd.

Sipas tij, së bashku me tani të akuzuarin kanë ruajtur në pyll tri ditë, mirëpo nuk është parë askush, dhe më pas kanë lajmëruar inspektorët e Agjencisë Pyjore të rajonit të Prizrenit.

Dëshmitari Bujupi, ka thënë se kanë qenë ata të dy së bashku me të akuzuarin që i kanë vendosur t’i lajmërojnë inspektorët për dëmin e shkaktuar në pyll.

“Pasi e kemi pa dëmin dhe nuk kemi hasur në asnjë njeri, kemi qenë të dy që kemi vendos mi thirr inspektorët në Prizren, dhe telefoni ka qenë i Naimit, dhe ka qenë Naimi ai i cili ka komunikuar me inspektorin”, ka deklaruar dëshmitari Bujupi.

Pas kësaj, prokurori Anton Hasanaj, ka kërkuar nga gjykata që administrimi i provave të shtyhet për një datë tjetër, me arsyetimin se janë paraqitur prova të reja nga mbrojtësi i të akuzuarit Berisha, avokati Albert Kryeziu.

Sipas prokurorit Hasanaj, këto prova kanë të bëjnë me disa aktvendime të gjyqtarit të Divizionit për Kundërvajtje, e që shumica lidhen me datën kritike, të bazuara në fletëparaqitjet e rojtarit të pyllit, të akuzuarit Berisha, dhe është e domosdoshme që Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, njësia Pyjore në Malishevë, sipas tij, të bëjë rivlerësimin e dëmit për këtë rast.

Gjykatësi i rastit, Lulzim Paçarizi, ka aprovuar propozimin e prokurorit Hasanaj dhe seanca e radhës është caktuar të mbahet më 3 dhjetor 2019, në ora 13:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Naim Berisha, akuzohet se gjatë muajit shkurt deri më 17 mars 2016, në cilësinë e rojtarit të pyllit në zonën kadastrale Senik dhe Lladrovc, Komuna e Malishevës, me dashje ka vepruar në kundërshtim me ligjin dhe nuk i ka përmbushur obligimet e tij, në bazë të Udhëzimit Administrativ për Mbrojtjen e Pyjeve, Përgjegjësitë dhe Obligimet e Rojës së Pyllit Nr.05/2010.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Berisha, gjatë periudhës së lartcekur, nuk ka evidentuar asnjë person që e kanë dëmtuar, respektivisht që e kanë prerë pyllin, dhe nuk ka paraqitur asnjë fletëparaqitje  për lokacionet ku ka ndodhur prerja ilegale.

Në aktakuzë thuhet se ilegalisht janë prerë 3374 dru të llojit “ahu” dhe“bungu”, në vlerë prej 3771 euro, dhe dëm mjedisor në vlerë prej 5000 euro, gjendje kjo e konstatuar nga inspektorët e pylltarisë nga Drejtoria Qendrore e Inspektoratit të Pylltarisë dhe Gjuetisë.

Me këtë, Berisha akuzohet se ka kryer veprën penale “veprimtari e pandërgjegjshme ekonomike” nga neni 258, paragraf 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Osmani: Pesë policë të Kosovës po mbahen peng nga Serbia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pesë policë të Kosovës “po mbahen peng” nga Serbia, shtet të cilin e cilësoi si “shovinist”. Në ceremoninë...

Mjekët shpjegojnë se çfarë ka ndodhur me Evan Ndicka

Deklarata e Roma-s ka bërë të qartë se Evan Ndicka nuk kishte ndonjë patologji kardiake, ndaj dhimbjet e gjoksit dhe vështirësitë në frymëmarrje i...

Lajmet e Fundit