6.8 C
Prizren
E martë, 19 Mars, 2024

Mbi 40 raste të dhunës seksuale për pesë muaj në Kosovë

Më shumë se 40 raste të dhunës seksuale janë shënuar vetëm në pesë muajt e parë të vitit 2020 në Kosovë.

Sipas të dhënave që KOHA ka siguruar nga Policia e Kosovës, viktima të këtyre veprave në numër më të madh janë gratë.

Gjatë këtyre pesë muajve, 16 gra janë përdhunuar, në mesin e tyre edhe të mitura, ndërkaq dy raste kanë mbetur në tentativë. Sipas shifrave zyrtare, gjatë kësaj kohe është përdhunuar edhe një burrë. Për periudhën e njëjtë, nëntë gra e një burrë janë sulmuar seksualisht.

Sipas po këtyre statistikave, për periudhën janar-maj 2020, një rast është raportuar për “marrëdhënie seksuale brenda familjes”, dy raste për “degradim të integritetit seksual” dhe katër raste “bashkësi jashtëmartesore me personin nën moshën 16-vjeçare”. Në të gjitha rastet viktima janë gratë.

Ndërkaq për vitin 2019, 166 raste janë raportuar në Polici për veprat penale kundër integritetit seksual. Edhe gjatë vitit të kaluar, numri i viktimave gra ka qenë shumë i madh në raport me gjininë tjetër. Në 145 raste, viktima kanë qenë gratë, ndërkaq në 17 raste, burrat.

34 gra e katër burra janë raportuar se janë dhunuar për vitin 2019, kurse 6 raste kanë mbetur në tentativë.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas dy rasteve të përdhunimeve në fillim të majit në Mitrovicë, iu ka bërë thirrje institucioneve që t’i trajtojnë me seriozitet rastet e tilla.

Ajo ka deklaruar se masa e paraburgimit nuk do të duhej të zëvendësohej me masa të lehta ose lirim në procedurë të rregullt, pasi sipas saj, ky është inkurajim për dhunuesin dhe i motivon ata për përsëritje të veprës penale.

Edhe sociologu Artan Krasniqi vlerëson se kryesit e këtyre veprave duhet të marrin dënimin meritor.

Ai në një përgjigje për KOHËN vlerëson se rritja e numrit të rasteve të dhunimeve seksuale nuk mund të jetë sigurt për shkak të izolimit në kohë pandemie, ndonëse nuk e përjashton një mundësi të tillë.

Megjithatë, Krasniqi thotë se izolimi nuk duhet të shihet si përpjekje për arsyetimin e kësaj vepre.

“Rritja e rasteve të dhunës seksuale duhet të vështrohet me kujdes të veçantë. Tash për tash, nuk mund të thuhet me siguri të plotë se kjo rritje është pasojë e izolimit nga pandemia e shkaktuar nga virusi Covid-19, për aq sa nuk mund të përjashtohet si mundësi që pikërisht presioni që sjell ky lloj izolimi të ketë ndikuar drejt një vepre kriminale. Duhet pasur kujdes që kjo mos të shihet si përpjekje për të arsyetuar një veprim johuman e joligjor. Rrjedhimisht institucionet shoqërore dhe ato të drejtësisë duhet të bëjnë punën që u takon, të parat për të parandaluar e të dytat për të dhënë dënime meritore për ata që vazhdojnë të shkelin mbi dinjitetin njerëzor”, ka thënë ai.

Në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të gjithë kryesit e këtyre veprave të ballafaqohen me dënim me burgim.

Në bazë të Nenit 230 “Dhunime”, të Kodit Penal të Kosovës, kushdo që e detyron një person të kryejë akt seksual pa pëlqimin e tij dënohet me burgim prej dy deri në 10 vjet.

Po ashtu, për personat që kryejnë sulm seksual parashihen sanksione ligjore.

Në bazë të nenit 232 “Sulmi seksual”, i Kodit Penal të Kosovës thuhet se kushdo që prek personin tjetër me qëllim seksual ose e nxit personin të prekë kryesin apo personin tjetër për qëllim seksual, pa pëlqimin e personit të tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Më Shumë

25 vjet nga Beteja e Kabashit

Në Korishë shënohet 25 vjetori i Betejës së Kabashit. Shoqatat e dala nga lufta nesër do të bëjnë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë. Ndërkaq,...

Festa Çoçaj uron të dashurin për ditëlindje me fjalë zemre

Festa Çoçaj është një nga figurat publike që di shumë mirë ta menaxhoj jetën e saj me punë dhe me dashuri. Prej vitesh është në...

Lajmet e Fundit