14.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Mulliqi, fitues i ekspozitës “Hijet e bardha”

MulliqiPiktori Agron Mulliqi, është shpallur fitues i çmimit kryesor të ekspozitës “Hijet e bardha” që u organizua të enjten mbrëma, në Galerinë “Qahili” në lagjen Veternik të kryeqytetit. Në këtë ekspozitë, që do të jetë e hapur deri më 6 janar të vitit 2014, janë prezantuar veprat e 129 artistëve nga 21 shtete të cilët kanë sjellë 200 punime artistike.

Mulliqi është zgjedhur fitues përmes votimit të fshehtë nga artistët pjesëmarrës të cilët i kanë ekspozuar punimet e tyre.Pasi kanë parë punimet e vendosura në muret e Galerisë private “Qahili”, artistët vendës e ndërkombëtar kanë dhënë verdiktin e tyre, në bazë të rregullave të përcaktuara nga organizatori.
Piktori Agron Mulliqi, ka deklaruar për “KultPlus” se, përmes pikturave të tij ka dashur ta paraqesë vajzën shqiptare në veshje kombëtare. “Në pikturën time fituese, kam paraqitur dy vajza me veshje kombëtare, pra në stilin tim të pikturimit.”, ka thënë piktori Mulliqi, i cili ka qenë i shkurtër në përgjigje.
Organizatori Eshref Qahili ka thënë se ekspozita është e llojit të veçantë pasi prezantohen punimet në formate më të vogla.

“Në këtë ekspozitë, po ndodhin dy gjëra për herë të parë. Para vizitorëve do të paraqesim punime të vogla, sepse këto punime janë të mira dhe po aq të vlefshme dhe gjëja tjetër është mënyra e shpërblimit për çmimin kryesor. Jam i bindur se ekspozita do të ketë vizitorë të shumtë, për shkakun se në të janë vlera të një arti të mirëfilltë.” ka thënë Qahili.Kamuran Goranci, në cilësinë e përfaqësuesit të Ministrisë së Kulturës, ka deklaruar para të pranishmëve se emrin e tillë, kjo ekspozitë, e ka marrë falë përkushtimit të organizatorit Qahili.
“Hijet e bardha” duhet të jenë hije që na ndjekin në mënyrë artistike, sepse arti është hije e bardhë, jo e zezë. Vetë Eshref Qahili është një krijues artistik me hije të tillë. Ne me politikat programore të MKRS-së, gjithmonë i mbështesim këto iniciativa private që na krijojnë mundësinë që t’i përkrahim.”, ka thënë Goranci.Fotografi shqiptar nga Maqedonia, Osman Demiri, ka deklaruar se të organizohet një ekspozitë të tillë nuk është e lehtë, pasi në të përfshihen shumë artistë të shteteve të ndryshme me qindra punime.

“Vetë bartja e punimeve, aranzhimi, hapësira se ku do të ekspozohen punimet e gjithë këtyre artistëve nuk është e lehtë. Promovimi i Galerisë “Qahili” me një ekspozitë të këtillë është për çdo lëvdatë. Në të përfshihen shumë punime të mira.”Ndërkohë, profesori në Fakultetin e Arteve të UP-së, Mehmet Behluli, ka theksuar se kjo ekspozitë duhet të jetë një festë e vogël për komunitetin artistik të vendit.

“Kjo festë është edhe më e madhe, kur dihet se qyteti ynë Prishtina, vuan nga mungesa e hapësirave për ekspozim. Nuk mund t’i numërojmë më shumë se sa dy apo tri galeri të gjysmë. Një qytet me ambicie që të jetë qendër së paku rajonale e me shumë artdashës, ta ketë një jetë të tillë artistike që zhvillohet në këto pak galeri, kjo nuk ka kuptim. Sidoqoftë, ekspozita “Hijet e bardha” bën bashkë shumë gjenerata të artistëve të vendeve të ndryshme në një vend”, ka deklaruar ai.

Galeria “Qahili” është themeluar me 6 maj të vitit 2013, nga familja e piktorit Eshref Qahili në Prishtinë.

Më Shumë

Gjini: Vendimi është fushatë qëllimkeqe

Doktori Sebajdin Gjini, i cili para do ditësh u shkarkua nga shefi i Repartit të Obstetrikës ka reaguar, duke e konsideruar vendimin e spitalit...

Sot i jepet lamtumira e fundit “Mjeshtrit të Madh” Jorgo Papingji, Begaj: Tekstet e tij i rezistuan të gjitha kohërave

Sot i jepet lamtumira e fundit “Mjeshtrit të Madh”, Jorgo Papingji. Në orën 11:00 do të zhvillohen homazhet, në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar. Më...

Dhimbja

Lajmet e Fundit