16.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Ngadhënjimi i njeriut ndaj së keqes

Prend Ndoja, SHBA

Që nga mosha fëmijërore kemi vërejtur se e keqja dhe e mira sillen rreth jetës tonë; që të dyja trokasin e përpiqen të futen në fushën e mendimeve dhe veprimeve tona; që të dyja pretendojnë të dominojnë jetën tonë, e në veçanti para ngjarjeve të rëndësishme ato garojnë të fitojnë sa më shumë përparësi.

Të gjithë njerëzit lindin të dëlirë e të pastër nga fuqitë dhe elementet negative, e kështu do të vazhdonin të jenë të mirë po të mos ekzistonte e keqja, apo një fuqi negative e padukshme, ku mjerisht, pas kësaj fuqie qëndron një forcë që qenien njerzore vazhdimisht e sulmon ditë dhe natë; një armik me të cilin njeriu do të ballafaqohet tërë jeten. Armiku i njeriut nuk është njeriu! Armiku i njeriut është një e i vetëm, që është armiku i gjithë njerzimit, se tjetër armik njeriu nuk ka. Pra, ai është armiku i përbashkët, si qenie është i padukshëm, djalli (e keqja).

Është kjo forca e errët e shpirtit tonë që vepron kundër çdo të mire që ekzistion në botë. Është e kundërta e së mirës dhe është e keqja absolute e gjithë njerëzimit.

Veprat e tij janë të dukshme dhe kanë futur rrënjë pothuajse në të gjitha shtresat apo lëmitë e njerëzve, dinakëria e tij sjell në jetën tonë lloj-lloj gjërash, që në mënyra të ndryshme i bën të duken joshëse për jetën tonë. Ai me dinakërinë e tij përdorë të gjitha llojet e mënyrave që mund të depërtojë në jetën e njeriut. P.sh. disave ua zbukuron gjërat e huaja, që ai të bëhet hajn, disa i josh drejt alkoolit e drogave, disa i tundon drejt tradhëtisë bashkëshortotre që të shkelin nderin, veten familjen e dhuratën e Zotit. E keqja nuk mbaron këtu. Ajo manifestohet gjithandej, përmesa formave më të rënda të perversitetit e devijimeve të botës njerëzore, duke u identifikuar me botën antinjerëzore dhe me anti-Zot.

Ose më mirë të themi bëhet pjesë e aktit më mohues të zhvillimit të njerëzimt…Këto dhe shumë të tjera të kësaj natyre nuk janë produkte që njeriu i krijoi kundër vetes së tij, apo i solli kur erdhi në këtë botë. Pasi dukuritë negative rrënjosen në jetën tonë, atëherë njeriu bëhet autor i tyre dhe lufton me tërë qenien e tij kundër njeriut, që t‘i mbrojë këto dukuri që e kanë shtrirë pushtetin mbi to, me fuqi të brendshme të padukshme negative, që njeriu të nxitet kundër së mirës e vlerave humane që e rrethojnë. Baza e kësaj fushe të zymtë janë mendimet negative, të cilat në mënyrë të padukshme dirigjohen nga dhuruesi i tyre, duke pretenduar të shtrijnë rrjetin e tyre deri në poret më të imëta të jetës së të tjerëve. Ndikimi i mendimeve negative në jetën e të tjerëve krijon shqetësime, sepse bazuar në mendimet e tij njeriu e ndërton edhe strategjinë e reagimit. Nga aty fillojnë ndryshimet.

Dashuria e njeriut për njeriun e humb vlerën, ajo pas pak kohe kalon në urrejtje. Urrejtja dhe shqetësimet shkojnë aq larg, sa që shkatërrojnë edhe më të dashurit mes vete. Në këto rrethana, dashuria e pastër për njeriun zbehet. Në brendinë e kristaltë të dashurisë së njeriut për njeriun hyjnë dyshimet, brenda fushës së zezë të dyshimit janë të fshehura bakteret prodhuese të tradhëtisë, xhelozisë, egoizmit e çdo të keqeje tejtër…Këto baktere e nxisin njeriun edhe kundër të afërmve të tij.

Në jetën e përditshme veprimet e njeriut marrin dy kahje: Në atë që është e vërteta dhe jeta e njeriut, dhe në atë që është shtruar para njeriut nga fuqia negative, pra s’ka fushë neutrale, forca apo graviteti i fuqisë negative është gracka e degjenerimit dhe dezorientimit të njeriut nga jeta e vërtetë. Ndërsa ana tjetër pozitive është rruga e vërtetë për jetën që është mbushur përplot dashuri për njeriun dhe gjërat qe na rrethojnë, që Zoti ia dhuroi njeriut.

Në të shumtën e rasteve, thjesht mendojmë se djalli gjendet te njerëzit e rangut të ulët: narkomanët, hajnat, gënjeshtarët, matrapazët… Po, është e vërtetë dhe është mjerim. Por mjerimi më i madh është kur djalli futet dhe gjen fushë lodrimi në institucionet shtetërore, ku dëmet dhe pasojat janë me përmasa të mëdha. Rreziku tjetër qëndron edhe aty ku ne nuk na shkon mendja fare, bile edhe në institucionet fetare. Edhe aty i përvetëson disa nga prijësit fetarë, dhe aty ndikimi i djallit është me peshë të rëndë, sepse ndikimet janë me përmasa të mëdha. Pesha është e dyfishtë sepse flitet në emër të Zotit, por në prapaskenë është e vërteta kundër Zotit dhe njerëzimit. Djalli (e keqja) nuk përfundon me fitore të vogla, si ato individuale, por rreziku është të shaktojë dëmtime me përmasa të mëdha. Nga zhvillimi i këtyre elmenteve negative, çrregullimet janë bërë aq dramatike, saqë e kanë vënë qenien njerëzore para një rreziku te madh.

Është harruar që djersa nga puna e duarve të njeriut do të duhej të ishte vetëm për të mirën e njeriut. Sikur ajo të shkonte në shërbim të njeriut, nuk do të ekzistonte varfëria dhe uria në botë. Puna nga dora dhe djersa e punëtorit i dedikohet ndriçimit e mirëqenies së njeriut, e jo së keqes kundër njeriut..

Por, mjerisht, sot afër 70% e prodhimit që del nga djersa e punëtorit shkon në luftë kundër vetvetes sonë-kundër njeriut, Në vend që kjo djersë t‘i shërbejë njeriut, ajo i shërben armatimit dhe armëve të zhdukjes në masë. Sot fuqitë e mëdha botërore, me tërë avancimin e tyre teknologjik duket sikur synojnë të gjejnë mënyra më të fuqishme për ta zhdukur njerëzimin, pra në këtë mënyrë del që njeriu qenka ai që e lufton veten e tij, e lufton gjenezën dhe qenien e tij! A dëshiron njeriu ta luftojë veten e tij, familjen e tij, gjenezën e tij? Pa dyshim se jo, sepse njeriu nuk dëshiron të bëhet antinjeri, por është një fuqi negative që njeriun nga prapaskena e vënë në aktrim, e vënë në luftë edhe kundër vetes së tij.

Këtu duhet të japim më shumë dritë, të dallojmë se njeriu si qenie njerëzore është i mirë. Por elementet negative të dhuruara njeriut nga djalli janë të këqija. Pra, në një situatë të tillë duhet ta sulmojmë djallin (të keqen) që ta shpëtojmë njeriun. Detyrë e çdo njeriu është ta luftojmë të keqen, ta luftojmë fuqinë e së keqes dhe ta zbardhim të vërtetën e jetës, sepse jeta është e mirë vetëm atëherë kur është në dritën e vërtetë, ashtu siç Zoti ia dhuroi njeriut.

Më Shumë

Osmani merr pjesë në tubimin përkujtimor në 25 vjetorin e masakrës në Krushë të Madhe

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani do të marrë pjesë në tubimin përkujtimor në 25 vjetorin e masakrës në Krushë të Madhe, me fillim të...

Ushtroi dhunë fizike ndaj katër personave, arrestohet i dyshuari në Prizren

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person në Prizren, pasi i njëjti kishte ushtruar dhunë fizike ndaj katër personave. Rasti ka ndodhur...

Dhimbja

Lajmet e Fundit