13.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

“O qenka shumë i poshtër ky”/ Zbardhet biseda sekrete e Enver Hoxhës me Hekuran Isain

Dashnor Kaloçi

Pas prishjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës, të cilat u bënë publike në 29 korrikun e vitit 1978, kur udhëheqja e lartë komuniste e Tiranës botoi në gazetën “Zëri i Popullit” një letër të gjatë si kundërpërgjigje ndaj notës zyrtare të kinezëve (ku njoftohej prerja e ndihmave dhe kredive për Shqipërinë), të dorëzuar në ambasadën shqiptare në Pekin në 7 korrikun e atij viti, shumë krerë të partive komuniste marksiste-leniniste të vendeve të ndryshme të botës, të cilët deri në atë kohë kishin pasur lidhje të ngushta si me udhëheqjen komuniste të Tiranës ashtu dhe me atë të Pekinit, u prononcuan publikisht duke mbajtur anën e Partisë Komuniste të Kinës e duke dalë hapur kundër Enver Hoxhës dhe PPSH-së.

Një ndër ata ishte dhe Rexh Bërç, kryetari i Partisë Komuniste (marksiste-leniniste) të Britanisë dhe njëkohësisht kryetar i sindikatave në atë vend, i cili me anë të një artikulli të botuar në gazetën angleze “The Worker” (organ i partisë që ai drejtonte), i kundërvihej vijës ideologjike dhe kursit politik që po ndiqte PPSH-ja me në krye Enver Hoxhën, duke i demaskuar ata nga pozitat e një partie komuniste motër.

Kjo gjë shihet më së miri edhe në disa dokumente arkivore (Fondi i PPSH-së), ku në një mbledhje ditore me sekretarët e PPSH-së, Enver Hoxha i informon ata për artikullin e Bërçit (i cili merrte në mbrojtje Mao Ce Dunin), duke u bërë një analizë të hollësishme akuzave që ai ngre në adresë të tij dhe njëkohësisht duke iu kundërvënë atij si “agjent i imperializmit botëror”. Disa pjesë nga procesverbali i asaj mbledhjeje po i publikojmë në këtë shkrim, ku veç të tjerash, Enver Hoxha ka shfaqur pikëpamjet e tij edhe për metodat e disa Brigadave të Kuqe, të cilat hynë të armatosura në Parlamentin e Nikaraguas dhe urdhëruan të gjithë parlamentarët të ngrinin duart lart.

Ndonëse ish-diktatori komunist i Shqipërisë në atë mbledhje është shprehur kundër këtyre metodave terroriste, ai bënte të kundërtën, duke i financuar ato me qindra e mijëra dollarë, me anë të Fondit të Solidaritetit që ai dhe PPSH-ja kishin ngritur enkas për atë gjë.

BISEDA E ENVERIT ME HEKURAN ISAIN DHE PROKOP MURRËN

Shoku Enver Hoxha: Mbrëmë lexova një artikull të “Zhenminzhibaos”, në të cilin kritikoheshin Lin Biaoja dhe “banda e të katërve”. Në këtë artikull thuhet që “çdo fjali është e vërtetë”. “Çdo fjali që thotë kryetari Mao është e vërtetë dhe mban një peshë të tillë sa për dhjetë fjali të zakonshme”. I tërë ky artikull është përgatitur kundër nesh, se Lin Biao-ja përdoret vetëm si kokë turku dhe po të lexohet me kujdes, dallon se ky artikull puqet plotësisht me artikullin e Rexh Bërçit.

Shoku Hekuran Isai: Unë nuk e kam lexuar artikullin.
Shoku Enver Hoxha: Rexh Bërçi ka botuar një artikull më 10 gusht të këtij viti në organin e partisë që udhëheq.

Kur ishte këtu, ai pat biseduar me shokun Ramiz, i cili i tha mendimet që kishte lidhur me vërejtjet që Bërçi kishte bërë për librin “Imperializmi dhe revolucioni” dhe kur iku, ai i la me shkrim pikëpamjet e tij. Tash që isha me pushime në Pogradec, meqenëse rishikoja librin “Imperializmi dhe revolucioni”, kërkova të më dërgonin vërejtjet që më kanë bërë rreth këtij libri shokët e partive marksiste-leniniste, të cilëve ua dhamë për ta lexuar. Unë i lexova me kujdes të gjitha vërejtjet e bëra prej tyre. Por kur lexova se ç’kishte thënë Bërçi, vura duart në kokë. Duket qartë se ai është një agjent i imperializmit anglez. Bërçi del kundër kritikës që i bëhet Mao Ce Dunit.

“Pse e shkruani ju këtë material,- pyet Bërçi,- ju takon juve ta bëni këtë”, thotë ai. Dhe më poshtë vazhdon: “Unë i njoh se jam takuar me Mao Ce Dunin dhe me Çu En Lain dhe më kanë bërë përshtypje të mira”. Pak më poshtë, Bërçi vazhdon: “Po pse merreni ju me fantazmat?” Domethënë, sipas tij, të tërë këta, që nga Stalini, Kominterni e deri te Mao Ce Duni, po ua zure emrin në gojë janë fantazma. Të gjithë, sipas tij, janë njerëz të vdekur etj.. Vërejtjet e bëra nga Rexh Bërçi tregojnë se ai është një njeri i maskuar, një revizionist. Pasi u njoha me vërejtjet e tij, i shkrova nga Pogradeci një letër të gjatë Ramizit, se edhe ky nuk i kishte lexuar dhe i analizoja të gjitha ato çka kishte thënë Rexh Bërçi. Pra, siç ju thashë më lart, artikulli i Rexh Bërçit u botua në gazetën angleze “The Worker”.

Ç’përmbajtje ka ky artikull reaksionar? Në fillim thuhet se pushteti i sovjetëve ishte pushteti i parë i proletarëve, i themeluar dhe udhëhequr nga Lenini, rrugën e të cilit e vazhdoi Stalini, që e drejtoi popullin punonjës të Bashkimit Sovjetik drejt fitoreve socialiste dhe luftës kundër fashizmit etj.. Kjo ishte njëkohësisht një fitore e madhe për të gjithë klasën punëtore dhe për revolucionin botëror, thotë artikulli. Pastaj atje hidhen poshtë përpjekjet e ca intelektualëve borgjezë revizionistë, shërbëtorë të fundit të imperializmit për të rehabilituar grupin e Buharinit e të antimarksistëve të tjerë që janë përpjekur të errësojnë veprën e Stalinit të madh, i cili udhëhoqi popujt në luftën e tyre për çlirim etj. Dhe pavarësisht nga tradhtia e revizionistëve hrushovianë,- thotë artikulli,- pushteti i sovjetëve dhe vepra e madhe e Leninit e Stalinit mbetet e pashlyeshme, e pamohueshme. Mirë deri këtu.

Një fitore tjetër e madhe e pamohueshme për klasën punëtore dhe për revolucionin,- shkruhet më poshtë në këtë artikull të Bërçit,- është lufta e popullit shqiptar, i cili pa ndihmën e kurrkujt mposhti armiqtë, bëri këtë dhe atë vepër, ndërtoi socializmin, kështu dhe ashtu. Iku dhe kjo. Në artikull fliste për Kinën. Populli kinez, nën udhëheqjen e Mao Ce Dunit, luftoi për çlirimin e vendit nga agresioni imperialist, bëri revolucionin dhe Kina 800-milionëshe zhduku urinë, shporri varfërinë, sëmundjet dhe gjithë të këqijat e tjera. Dhe në fund vjen “buketa”: Duke pasur parasysh situatat që kanë kaluar, domethënë daljen në skenë të revizionistëve në Kinë, do të jetë një punë armiqësore që të akuzohet Mao Ce Duni dhe Çu En Lai, se nuk kanë qenë në rrugën e marksizëm- leninizmit. Kjo është një shpifje e madhe, thekson ai.

Ata bëjnë një gjë të tillë, ideologjikisht hyjnë në radhën e elementëve buharinistë, të inteligjencës revizioniste që është vënë në shërbim të kapitalit etj. Dhe konkluzioni i gjithë artikullit të Bërçit është ky: Shokët rusë dhe kinezë na kanë hapur rrugë të reja, nëpër të cilat do të ecim të gjithë ne.

Shoku Hekuran Isai: O…, qenka shumë i poshtër ky!

Shoku Enver Hoxha: Posi, shumë i poshtër është. Duket qartë, i shkrova edhe Ramizit për këtë, në letrën që i dërgova nga Pogradeci, që Bërçi është një variant i Hillit të Australisë ose që të dy janë agjentë të “Inteligjenc Servisit”, sepse borgjezisë i duhen të tillë njerëz, asaj i intereson ta mbrojnë Mao Ce Dunin. Të kthehemi prapë tek artikulli i “Zhenminzhibaos”, që u dha nga HSINUA-ja.

Është po kjo pikëpamje. Kinezët shtrojnë problemin që marksizëm-leninizmi dhe idetë e Mao Ce Dunit janë një, që marksizëm-leninizmi dhe maocedunideja është një sistem i plotë dhe integral dhe kush e ndan këtë në fraza e në fjali, ai sipas tij është antimarksist. E gjithë kjo tregon se kinezët janë në dijeni të analizës që u kemi bërë ne këtyre problemeve në materialin tonë dhe ata duan të shpjegojnë këtë me mënyrën e zhvillimit antagonist të gjërave, domethënë fitore-disfatë, disfatë-fitore, eksperiencë praktike, nxirr ligje, siç ka thënë Mao Ce Duni, turbulloje ujin etj., etj.. Lin Biaoja dhe “banda e të katërve”,- vazhdon artikulli,- është e vërtetë që kanë bërë shumë gjëra të këqija gjatë Revolucionit Kulturor. Kështu, për shembull, thënien e Maos në vitet pesëdhjetë se “rreziku kryesor është empirizmi”, gjoja për të kundërshtuar empirizmin idealist, ata e paskan përdorur në vitet shtatëdhjetë për të kundërshtuar kuadrot revolucionare që kishin eksperiencë të madhe. Kuptohet qartë se me këtë revizionistët kinezë duan të thonë se empiristët idealistë nuk janë këta që kanë ardhur në fuqi, por Lin Biaoja me “katërshen”, se pragmatistët nuk janë këta, por Lin Biaoja me shokë.

Kjo tregon se ata janë në dijeni të goditjeve tona drejtuar kundër teorisë së Mao Ce Dunit, që është eklektizëm me brirë. Udhëheqësit aktualë kinezë përpiqen të shpjegojnë gjërat me proceset e zhvillimit të kontradiktave, me të famshmet kontradikta vulgare të Mao Ce Dunit! Pra, këto gjëra, për të kapur hallkën kryesore në ngjarjet që zhvillohen për ecjen në këtë mënyrë të revolucionit kinez, derisa të gjejnë vend, sipas tyre, na qenkan normale. Tani, çështjen e kam këtu, që Bërçi mban qëndrim kundër udhëheqësve aktualë kinezë, të cilët kanë devijuar nga marksizmi. Ai thotë se ata janë tradhtarë, por nga ana tjetër del pro Mao Ce Dunit me shokë, të cilët sipas tij, janë të gjithë marksistëleninistë. Po kështu dhe Lenini me Stalinin janë marksistë të mëdhenj, kurse udhëheqësit e sotëm revizionistë sovjetikë janë tradhtarë, thotë Bërçi.

Shoku Hekuran Isai: Bën analogji ai me këtë.

Shoku Enver Hoxha: Po, bën analogji dhe vazhdon: Cilët janë ata që kanë sharë Leninin e Stalinin? Buharinistët. Kështu është dhe tani, ata që kritikojnë Mao Ce Dunin, janë buharinistë!! Po ne e dimë fort mirë se ç’është buharinizmi dhe ç’thotë Lenini për buharinistët. Por sulmi i Bërçit e ka burimin te çështjet se ne i kemi thënë atij dhe kemi shkruar në librin “Imperializmi dhe revolucioni”, që sindikatat aktuale në vendet borgjeze janë nën drejtimin e kapitalit, të borgjezisë dhe të aristokracisë. Nuk jam dakord, na tha neve Bërçi, për këtë gjë ju jeni kundër organizimit të klasës punëtore, jeni buharinistë etj. Lufta tani do të bëhet rreth kësaj çështjeje. Këta, Ten Siao Pini me shokë, u dogjën, prandaj duhet mbrojtur maocedunideja, se kjo i duhet borgjezisë ta ruajë për qëllimet e veta.

Shoku Prokop Murra: Po, sepse udhëheqësit revizionistë kinezë, që kanë ardhur në fuqi, u diskredituan konkretisht dhe tashti bëhen përpjekje që të kapen dhe të ruajnë mirë idetë e Mao Ce Dunit.

Shoku Enver Hoxha: Po, të ruajë maocedunidenë, sepse kjo është tani e vetmja teori revizioniste e veshur me rroba marksiste për të gënjyer proletariatin dhe botën. Revizionizmi sovjetik është demaskuar, titizmi po kështu është demaskuar, siç është demaskuar edhe eurokomunizmi. Edhe revizionizmi i Hua Kuo Fenit po demaskohet me të gjitha këto gjëra që bëjnë ai me shokë, prandaj maocedunideja duhet ruajtur. Kjo është, pra, rruga e amerikanëve dhe e kapitalit. Hilli është në bllok me Hua Kuo Fenin dhe me Mao Ce Dunin. Bërçi dhe klientët e tij ndahen në këtë çështje, ata janë pro Mao Ce Dunit, pra, nuk janë dakord me ne, ata janë edhe kundër “katërshes”.

Shoku Hekuran Isai: Në këtë rast, edhe borgjezia bën politikën e saj, që në qoftë se digjet Hilli, që është në bllok me kinezët, atëherë ka si rezervë për ta nxjerrë kundër nesh Bërçin e shokët e tij.

Shoku Enver Hoxha: Po, po, i ka ndarë ata.

Shoku Prokop Murra: Tamam, kjo është strategjia e tyre e madhe, duhet të ruhet maocedunideja.

Shoku Enver Hoxha: Po, duhet të ruhet maocedunideja dhe për këtë po përdoren të gjitha mënyrat. Do gjendet patjetër një arsye, ja siç kapen pas Mao Ce Dunit. Me këtë do të përpiqen ata të përçajnë lëvizjen punëtore dhe partitë marksiste-leniniste. Dhe ata do të bëjnë paralelizma absurde për këtë. Ashtu si hrushovianët sulmuan Stalinin, edhe ju po sulmoni Mao Ce Dunin, do të na thonë. Hrushovi ishte revizionist, por edhe Ten Hsiao Pini me Hua Kuo Fenin janë revizionistë dhe kjo është e qartë, po pas këtyre ne ndahemi me ju, vazhdojnë ata, sepse ju sulmoni Mao Ce Dunin, gjë që nuk duhet ta bëni. Pse i sulmoni ju këto fantazma, na thonë? A ju takon juve të merrni mbi vete këtë barrë kaq të rëndë, thotë Bërçi. Dale, se ju jeni të vegjël! Pse filloni të atakoni ju Mao Ce Dunin? Është e qartë se tani kinezët e panë që Hilli u dogj dhe nuk e dëgjon më njeri, prandaj i thanë Bërçit të dalë, se mbase frenohen shqiptarët, mbase ty të kanë mik.

Shoku Hekuran Isai: Ky, siç duket, nga këto që thoshte, ka pasur edhe planin e vet strategjik me ne. Një herë thoshte mos sulmoni Kinën, pse ta merrni ju përgjegjësinë. Pra, Bërçi na i paska qarë shumë hallin neve!

Shoku Enver Hoxha: Nuk duhet menduar kurrë që Bërçi i thoshte sinqerisht ato gjëra, se na qante hallin. Jo, ore jo, ai është njeri i borgjezisë, i sindikatave të drejtuara nga borgjezia angleze për të realizuar qëllimet e saj! Për një moment, për të shkaktuar një përçarje, ta nxjerrë tjetrin sikur është një marksistleninist i kulluar, pastaj prapë bën të sajën, ja siç po bën për shembull me Bërçin. Borgjezia i thotë këtij nuk ka se si ta kundërshtosh ti Maon, neve na duhet ky, prandaj medoemos duhet të mbrohet Mao Ce Duni për të mashtruar njerëzit e ndershëm.

Një gjë e tillë kërkon që ne të jemi shumë vigjilentë, kurse ne shokët e partive marksiste-leniniste, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, të matur dhe të duruar, sepse midis tyre ka shokë të mirë, por ka edhe shokë, të cilët akoma nuk e kanë të qartë në tërësinë e tij rrezikshmërinë e revizionizmit kinez. Ka pastaj edhe njerëz si Bërçi, për të cilin jam i bindur me plot ndërgjegje, se është i lidhur me borgjezinë, është bile një agjent i saj. Por mund të ketë edhe njerëz që nuk janë agjentë, por janë prapa, nuk e kuptojnë mirë teorinë shkencore të marksizëm-leninizmit. Ne u themi se janë bërë të gjitha këto gjëra në Kinë, që nuk janë në rrugën marksiste-leniniste, kur në krye të Partisë Komuniste ishte vetë Mao Ce Duni. Pra, si u bënë këto? Po ata thonë se edhe në Bashkimin Sovjetik, si u bënë?
Shoku Hekuran Isai: Pastaj ne kemi parasysh që fshatarësia jonë kishte disa karakteristika të tjera.

Shoku Enver Hoxha: Ashtu është, fshatarësia jonë kishte karakteristika të tjera. Por, edhe sikur të kishte vetëm ndjenjën nacionale, revoltën kundër okupatorit, prapë partia do të luftonte ta kishte me vete fshatarësinë, ashtu siç luftoi ta ndriçonte me idealet e klasës punëtore, me teorinë marksiste-leniniste. Prandaj, themi se punëtorët duhet të luftojnë për të arritur fitore politike dhe ekonomike, por sidomos në fushën politike. Kështu duhet të veprojnë punëtorët dhe të bëhen të ndërgjegjshëm për forcat e tyre, se një grevë e madhe e punëtorëve të qymyrit u bë në Angli dhe atje u paralizua gjithë jeta e vendit. Po sikur të ngrihen në grevë dhe sektorët e tjerë, pa të shikosh se si do të bëhet puna pastaj. Pa zapto fabrikat e kapitalistëve ti, klasë punëtore, dhe u thuaj atyre që ne nuk i lëshojmë, pa të shikojnë se ç’bëhet pastaj. Në vendin tonë, klasa punëtore ishte e vogël në numër, në krahasim me fshatarësisë, kurse në vendet e tjera ajo ishte shumë e madhe, prandaj duhet punuar shumë me ta. Por ka terror të egër në qytete, mund të thonë disa.

Natyrisht, ta merr mendja që ka terror, por ne duhet të bëjmë luftë kundër terrorit, kundër terrorit të bardhë dhe kundër terrorit “të kuq”. Ja dy-tri brigada të kuqe, për shembull, në Nikaragua u futën në Parlament dhe i urdhëruan tërë parlamentarët: Ngrini duart lart! Ne jemi kundër këtyre formave të luftës, çështja është të luftohet në bazë të një platforme e në bazë të një plani. Duhet ecur përpara në luftë.

Nuk duhet të veprohet siç vepron Bërçi, që është kryetar i sindikatave në Angli dhe kryetar i Partisë Komuniste të Britanisë (marksiste-leniniste), siç është Austi në Gjermani. Kur i thuhet Bërçit ajo që ka thënë Engelsi në kohën e tij, në një letër që i dërgonte Marksit, se vetë klasa punëtore angleze po borgjezohet, pa lëre pastaj aristokracinë e kësaj klase, ai na thotë se unë nuk jam dakord. Por ne nuk jemi kundër klasës punëtore, por kundër aristokracisë së klasës punëtore dhe kundër shtypjes që i bën kapitalizmi asaj klase. Prandaj, themi se punëtorët duhet të luftojnë për të arritur fitore politike dhe ekonomike, por sidomos në fushën politike. Mirë, mirë shokë, ditën e mirë.

Panorama

Më Shumë

Osmani: Më 24 mars të ’99-ës aleancat e botës demokratike u bënë bashkë për të parandaluar shfarosjen e popullit të Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani ka falënderuar aleancën veri-atlantike, NATO-n dhe ushtarët e saj për kontributin që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për Kosovën. Sot në...

Haradinaj në Prizren: Koalicioni i prirë nga Aleanca është shndërruar në forcë serioze politike

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se koalicioni parazgjedhor i prirë nga AAK, është shndërruar në forcë serioze politike. Haradinaj...

Lajmet e Fundit