13.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – partia pa profil politik

Shkruan: Qemajl Krasniqi

(Pjesa e katër)

Ndonëse u ndihmua nga PDK për të fituar zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale, kandidati i AAK-së Smajl Latifi nuk mori në konsideratë asnjë ofertë për bashkëqeverisje me subjektin që e ndihmoi të fitojë. Latifi e ndërtoi qeverinë lokale sipas “standardeve” të tij, duke aluduar se nuk mund të bashkëpunonte me elementë që “e falimentuan” qeverisjen lokale. Kjo i kushtoi atij shumë kohë dhe energji, e më pas edhe me humbje të pushtetit. Qeverisja vetëm me njerëz të preferuar prej tij ndikoi që gjatë atij gjysmë mandati në krye të Komunës të përballet me sfida nga më të ndryshmet. Qeverisja me dorë të fortë dhe gati autokratike, amortizoi në masë të konsiderueshme potencialet kreative të bashkëpunëtorëve të tij. Mënyra autoritare e qeverisjes dhe koncentrimi i fuqisë ekzekutive vetëm në duart e kryetarit shkaktoi pakënaqësi dhe refuzim. Rreptësia me të cilën ai i trajtonte bashkëpunëtorët dhe të tjerët, u shfrytëzua nga kundërshtarët politik që qeverisjen e tij ta cilësonin si “diktaturë”. Këtu duhet vlerësuar vetëm faktin se në atë periudhë u vu rregull dhe disiplinë në administratën komunale.

Latifi i vetëm u përball me kundërshtimin e ligjit për Hoçën e Madhe, pa mundur të ndikojë në ndryshimin e atij ligji, si dhe me hartimin e planeve strategjike për komunën e Rahovecit. Në qeverisje angazhoi persona të rinj dhe pa përvojë menaxheriale e profesionale, të cilët kishte mundësi t’i kontrollojë më lehtë. Ndonëse aplikoi metodën, “qeverisje me qytetarët”, nuk pati shumë sukses në krijimin e një baze të fortë të qeverisjes nga poshtë-lart. Sikur harroi se niveli lokal përbëhet nga dy organe kryesore të vetëqeverisjes, Kuvendi i Komunës dhe Kryetari. Injorimi i Kuvendit dhe mos marrja në konsideratë e ambicieve të individëve për pushtet i kushtoi shtrenjtë atij vetë, por edhe qytetarëve të komunës së Rahovecit. Po ashtu, ai nuk mori parasysh as pakënaqësitë e brendshme në degën e AAK-së, gjë që ndikoi në përgjysmimin e fuqisë politike. Ndarja më dysh e partisë i shkaktoi kokëçarje të mëdha, sepse mungesa e një koalicioni ndërpartiak dhe largimi i disa eksponentëve të partisë, ndikuan në krijimin e një fronti të fuqishëm opozitar. Ky front vuri pengesa të pakalueshme dhe ndikoi në mosrealizimin e shumë synimeve të Latifit.

Këtë hendikep u munda ta kompensojë duke balancuar politikën e punësimit, pasi që në kohën e tij në administratë janë punësuar njerëz me orientime të ndryshme partiake, gjë që nuk ka ndodhur as më parë dhe as më pas. Mirëpo, jo gjithherë në vende të caktuara janë vënë persona me integritet moral e profesional.

Një nga dështimet e qeverisjes Latifi mund të konsiderohet shpërndarja e investimeve në shumë projekte, duke bërë që të nënshkruhen më shumë projekte nga sa kishte fuqi financiare Komuna e Rahovecit. Ngutja për të kryer sa më shumë punë ndikoi në cilësinë e punimeve, ndërsa disa të tjera u ndërprenë për mungesë mjetesh, për të vazhduar më vonë.

Energjia e humbur në mbulimin e hendekut pozitë-opozitë ndikoi që të rritet kundërshtimi i të gjitha subjekteve politike, madje edhe i PDK-së së zhgënjyer që ia ktheu shpinën shumë shpejt. Madje, ish kryetari i kësaj partie dhe ish-kryeministri Thaçi e mori si ofendim personal injorimin nga ana e Latifit, duke e quajtur publikisht “mosmirënjohës”. Madje, edhe sigurimi i fondeve mbështetëse nga Qeveria u bë shumë i vështirë. Kjo bëri që edhe besimi i qytetarëve ndaj Smajl Latifit të venitet gradualisht. Pafuqia politike në Kuvend dhe mungesa e koherencës, bënë që të mos arrijë ta profilizojë, as qeverisjen lokale dhe as degën e AAK-së. Besimi i tepruar në forcën e tij intelektuale e menaxheriale dhe injorimi i vërejtjeve të njerëzve vullnetmirë pati ndikim në humbjen e mbështetjes në qeverisjen e tij. Duke përdorur metoda jo tolerante dhe shpeshherë ofenduese, Latifi shkatërroi entuziazmin e bashkëpunëtorëve dhe njerëzve që eventualisht mund të ishin të dobishëm për partinë e tij dhe për qeverisjen lokale. Eliminimi i kundërshtarëve dhe i atyre që mendonin ndryshe brenda subjektit politik që trashëgoi (AAK), ndikoi që mospranimi të jetë evident. Kredo morale dhe bagazhi i pasur luftës që e karakterizoi Latifin nuk i ndihmuan shumë në rrugëtimin e mëtutjeshëm politik, duke bërë që edhe subjekti që drejton të mos ketë pranueshmëri më të gjerë në komunën e Rahovecit. Prandaj, ky subjekt edhe më tej vazhdon të mbetet me shtrirje rurale dhe të mos arrijë të depërtojë gjerësisht tek shtresa intelektuale në vetë qendrën komunale, në Rahovec.

Latifi kandidoi përsëri në zgjedhjet e vitit 2013 me një siguri të madhe në fitore, por fushatat agresive të kundërshtarëve dhe pafuqia politike në nivelin qendror, bënë që ta humbë garën karshi kandidatit të PDK-së, Idriz Vehapi.

Rikthimi i mundimshëm dhe pa lavdi i PDK-së (pjesa e pestë vijon të mërkuren)

Më Shumë

Sindikata e Arsimit paralajmëron protestë më 1 maj

Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar se nëse qeveria nuk shqyrton kërkesat dhe shqetësimet e paraqitura nga kjo sindikatë, do ndërmerren veprime sindikale. Drejtues të kësaj...

Dyshohet për tejkalim të autorizimeve policore, IPK rekomandon suspendimin e rreshterit policor në Prizren

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një rreshteri të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Prizren, pas dyshimeve për tejkalim të autorizimeve...

Lajmet e Fundit