10.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Artikulues i ëndrrave të shqiptarëve

SELATIN NOVOSELLA

Mendime të zgjedhura për Adem Demaçin

1. Daniel Leuwers: (Shkrimtar) Adem Demaçi, si shkrimtari Rene Charin Adem Demaçi në shpirtin e tij ka frenuar urrejtjen për t’i ndihmuar çështjes kombëtare për të arritur pavarësinë ose çlirimin e lirinë, e që unë më 23 shtator 2015 këtë shkrimtar e krahasova me Rene Charin, i cili la “lapsin” për “revolver” dhe rrezikoi jetën duke luftuar kundër nacistëve.

2. Daut Dauti: (Analist) Adem Demaçit iu bënë dy kërkesa nga udhëheqësi i OSBE-së, Daan Everst Në pranverë të vitit 2000, udhëheqësi i atëhershëm i OSBE-së, Daan Everst, u takua me Adem Demaçin, që atëherë udhëhiqte shoqatën “Dardania”. Në atë takim, shefi i OSBE-së kërkoi dy ndihma nga Demaçi. Ndihma e parë që kërkoi Everst ishte formimi i një komisioni për pajtim me serbët, që do të ishte i ngjashëm me atë që kishte ekzistuar në Republikën e Afrikës Jugore pas rënies së apartheidit. Kërkesë e dytë për ndihmë e Evertsit ishte që Demaçi të ndihmonte procesin e sapofilluar të organizimit të “zgjedhjeve të para dhe të lira në historinë e Kosovës”.

3. Dilaver Goxhaj: (Ushtarak i Ushtrisë Shqiptare) Adem Demaçi e sugjeronte luftën guerile për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës Hapin e parë që bëri Adem Demaçi, porsa pranoi detyrën politike të ofruar nga Shtabi Përgjithshëm, i sugjeroi këtij organizmi të lartë drejtues që ta ndryshonte strategjinë ushtarake të UÇK-së “nga lufta për territore, ku pësoi disfatë, por jo edhe humbje përfundimtare, dhe të kalohej në metodën e luftës guerile”.

4. Dmitrij Sedov: Adem Demaçi – një nga figurat më të njohura të separatizmit kosovar Një nga figurat më të njohura të separatizmit kosovar është Adem Demaçi, i cili sot ka 77 vjet dhe është një personalitet kompleks, i cili ka merita për shumë ngjarje të kohëve të fundit të Ballkanit.

5. Ekrem Kryeziu: (Regjisor) Adem Demaçi – artikulues i ëndrrave të shqiptarëve Duke mos arritur të bëhemi si Adem Demaçi, jemi munduar që atë ta bëjmë si veten tonë dhe, në këtë mënyrë, e kemi vrarë një pjesë të ndritshme të jetës sonë, e kemi vrarë ëndrrën.

6. Emrush Xhemajli: (Kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës) Adem Demaçi – shembull i figurës çlirimtare Në Lëvizjen Popullore të Kosovës Adem Demaçi ka qenë i pranishëm si shembull i figurës çlirimtare, si ide, si frymë dhe sidomos si personalitet i kthesave revolucionare.

7. Enver Hoxha: (Sekretar i parë i Partisë së Punës të Shqipërisë) Adem Demaçi dhe populli shqiptar në Jugosllavi kurrë nuk do t’i nënshtrohen zgjedhës jugosllave Në burgjet e Jugosllavisë vuajnë persekutimet më të egra shkrimtari patriot kosovar, Adem Demaçi dhe qindra të tjerë, të cilët, bashkë me popullin shqiptar, nuk i janë nënshtruar dhe nuk do t’i nënshtrohen kurrë zgjedhës Jugosllave.

8. Erion Veliaj: (Kryebashkiak i Qytetit të Tiranës) Adem Demaçi pagoi çmim të lartë për lirinë e Kosovës Duke i kujtuar vitet e tmerrshme të burgut 28-vjeçar, e kupton realisht se çfarë çmimi të lartë ka paguar patrioti Adem Demaçi për Kosovën dhe çështjen shqiptare. Unë kam pak më shumë se 28 vjet, por e di se 28 vjet janë shumë, janë tmerrësisht shumë, kur krimi i vetëm që ke bërë është të ngresh zërin për të drejtat e popullit tënd dhe njerëzve të tu.

9. Faik Mustafa: (Njëri prej organizatorëve të demonstratave të vitit 1968 në Tetovë) Adem Demaçi- metaforë lirie Në të gjitha fitoret e shqiptarëve të Maqedonisë ishte i pranishëm edhe Adem Demaçi duke u shndërruar, për ditë e më tepër, në metaforë lirie. Fryma çlirimtare, mobilizuese, vigjilente dhe largpamëse e Adem Demaçit duhej të ishte edhe më tutje në mendjen e çdo politikani që, sot ose nesër, vendos për fatin e shqiptarëve, jo vetëm atyre të Kosovës, por edhe të Maqedonisë dhe më gjerë.

10. Faik Shkodra: (Shkrimtar) Adem Demaçi – figurë sublime e lirisë së Kosovës Pasioni, përkushtimi, organizimi, guximi dhe, mbi të gjitha, dija dhe horizonti i gjerë në njohjen e çështjes kombëtare mbeten dhuntitë që Adem Demaçin, jo vetëm e stolisin, por e bëjnë ndërgjegje e figurë sublime të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

11. Fatmir Limaj: (Ministër në Qeverinë e Republikës së Kosovës) Adem Demaçi – udhërrëfyes i lirisë Adem Demaçi ka qenë dhe vazhdon të jetë sinonim i rrugës së lirisë, jo vetëm tek shqiptarët. Ai është njeriu i cili, qysh herët, me kohë, e ka parë që krijesa në të cilën kanë jetuar popujt e ish-Jugosllavisë ka qenë krijesë artificiale, e cila nuk mund t’i plotësonte as minimumin e kërkesave të popujve që e përbënin atë. /vijon/

(Kosova Sot)

Më Shumë

16 kosovarë janë ndaluar nga autoritetet serbe, mbi 300 të bllokuar në kufi

16 kosovarë janë ndaluar nga autoritet serbe në pikën kufitare Kroaci-Serbi. Janë mbi 300 udhëtarë të cilët janë bllokuar në këtë pikë kufitare me...

Kryetari Shaqir Totaj në SHBA afirmon bashkëpunimin e Prizrenit me Amerikën

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar takime me Drejtoreshën e Zyrës së Evropës...

Lajmet e Fundit