12.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Avokati i djallit

Bejtullah KRASNIQI

Ditëve të fundit, fokusin e interesimit të qytetarëve, nga bisedimet e dy partive fituese të zgjedhjeve rreth formimit të qeverisë, e tërhoqi edhe ligji i pagave të cilin, me kërkesën e avokatit të “popullit” e bllokoi Gjykata Kushtetuese. Po këtij avokati të “popullit” me vite të tëra nuk i është dëgjuar zëri!

Të gjithë e dimë që Kosova është tokë e plleshme për produktet me të cilat është dashur të merret ky avokat, dhe asnjëherë nuk ka reaguar. Asnjëherë nuk ka dalë në mbrojtje të të burgosurve padrejtësisht dhe të burgosurve të abuzuar, asnjëherë nuk e kemi dëgjuar t’i ketë mbrojtur familjet që jetojnë me ndihma sociale, nuk e ka mbrojtë as rininë tonë të nëpërkëmbur e të dëshpëruar nga konkureset abuzive të punësimit, e shumë e shumë kategorive të tjera të popullit tonë iu shkilen të drejtat me çizme ushtarake, dhe ky nuk është bërë i gjallë.

Përvoja të hidhura ka populli ynë me agjensitë si Avokati i Popullit, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Agjensioni Kundër Korrupsionit (AKK) e të ngjashme. Ata janë kapaku i të gjitha të ligave që po ndodhin në këtë vend. Ata mbulojnë, me mospunën dhe heshtjen e tyre, të gjitha zhvatjet e buxhetit nga pushtetarët, e buxheti mblidhet nga populli, por agjensitë e lartpërmendura që paguhen për me e mbrojtë popullin nuk e bëjnë këtë .

Këto agjensi heshtin kur iu “falen” borxhet prodhuesve të ujit, kur dhjetra miliona i “falen” Bechtel&Enka-s, kur shpronsohen shtëpitë e profiterëve të ndërtuara në fushat e thëngjillit, kur gjysma e TELEKOMIT i falet Devollëve, kur në kohë vakumi institucional në pozita kyqe edhe në diplomaci emërohen kushërinjtë, tezet, hallat, dajallarët gjysëmanalfabet dhe kalamajt e mahallës, kur Ministria e Financave ua zbret nga 95 € në 70 € arsimtarve kompenzimin e viteve të nëntëdhjeta, ligj ky që është votuar në kuvend, këto agjensi heshtin ndërsa shefat e tyre shëndrrohen në hardhuca.

Por, kur ligji i pagava në sektorin publik, shefave të këtyre agjensive dhe shokëve të tyre drejtora në kompanitë publike si: KEK, VALA, PTK, TRUST, etj. ua ul pagën, këta përnjëherësh shëndrrohen në krokodila, atëherë vaj halli për popullin e shkretë që nuk meriton ndryshe.

Avokati i Popullit kishte nëntë muaj kohë për ta dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që kjo e fundit të kishte dhjetëfishin e kohës për të marr një vendim, por nuk e bëri, përse? Sepse padronët e tij tani ia kërkuan këtë. Largimin nga pushteti shumëkush e përjeton rëndë, disa nuk pajtohen kurrësesi. Ata e dinë se bllokimi i këtij ligji jo vetëm se do të shkaktoj pakënaqësi e revoltë, por edhe greva, protesta e trazira. Në një atmosferë të tillë, mos e bëftë Zoti, Serbia do të mund të ndërhynte me pretekstin se po e mbron elementin serb. Nuk e di a e kanë menduar këto hardhuca një skenar të tillë.

Njeriu normal, human, fisnik e bujar, nuk mund të mendoj kaq mbrapsht. Kaq mbrapsht mund të mendoj vetëm dikush që ka jarani (shoqëri, aleancë) me djallin dhe që merr instrukcione e urdhëra nga ai. Ani edhe Bexha mo, jo ky i Marecit, po ai i Bajgorës, shefi i KMDLNJ-së, medemek njohës i ligjit, sidomos i kodit penal, na i kish numrue nenet e kodit penal sipas të cilëve do të dënohemi nëse hymë në grevë.
Po ti more i mjerë, pse nuk ua përmende kodin penal atyre që i vodhën dhomat e dëshmive brenda stacioneve të policisë, atyre që e vranë Astritin në burg, e që ishte nën dorëzaninë e shtetit. Pse nuk ua përmend kodin penal atyre që err e terr po e zhvatin pamëshirshëm vendin e popullin për mbrojtjen e të drejtave të të cilit paguhesh. Pse nuk ua përkujtove se sa i dënon kodi penal ata që i falin tokë Malit të Zi? Çka thotë kodi penal për ata që i lëvizin kufijt e vendit në dobi të armikut? Mos harro t’ua përkujtosh, si e sanksionon kodi penal tradhtinë ndaj vendit dhe popullit? Cila është detyra primare e jotja, ta mbrosh popullin nga pushteti apo pushtetin nga populli? Merru pak më shumë me punën tënde e më pak me humorin rustikal e socrealist tashmë të neveritshëm e banal. Njerëzit si ju e si ata gjykatës të kushtetueses, me çka do të mburreni para fëmijve tuaj, çka do tu thoni se keni bërë për vendin e popullin, si do të dilni para pasqyrës?
Në një bisedë me miqtë e mi, derisa po komentonim rreth situatës aktuale, lëshova disa fjalë banale në adresë të këtyre që i trajtova më lartë, sidomos ndaj Gjyktës Kushtetuese. Si në çdo mjedis edhe në rrethin tim ka njerëz që nuk mendojnë. Dy prej tyre reaguan duke kërkuar të kem konsideratë ndaj institucionit të lartë. Sikuar ata njerëz kanë pikë nga qielli, sikur Zoti t’i kish emëruar! Janë e njejta çorbë si gjykatësit e prokurorët tjerë që i kemi në institucionet e drejtësisë. Nuk më ha palla mua për ato institucione që punojnë në dëm të vendit e popullit.
Edhe pas gjithë këtyre sulmeve ndaj gjithçkaje shpirtrore e materiale të këtij populli, habitemi për rezultatet e arritura në testin PISSA. Edhepse ruaj rezervat e mia për kredibilitetin e këtij testi, po kjo është tjetër gjë, mund t’iu them se ky është vetëm fillimi. Ky është rezultat i degradimit të qëllimshëm njëzetvjeçar të arsimit. Të gjitha qeveritë, pa përjashtim, në këto njëzet vjet kanë emruar ministra që më shumë kohë kanë kaluar para pasqyrës se që janë marrë me problemet e arsimit.
Në bisedat joformale, njeriu mund të dëgjojë se si populli po mban shpresa në Qeverinë që do të formohet, shpresojmë së shpejti. Personalisht nuk mbaj shumë shpresë. Aq shumë është kapur shteti sa me mjete demokratike është shumë e vështirë të gjindet ndonjë zgjidhje fatlume. Këtu vetëm metoda e Lekës së madh do të bënte punë, ashtu si e ka zgjidhur ai nyjën e Gordit. Meqë Qeveria e re nuk do ta ketë shpatën si mjet për qeverisje, shpresat janë të vogla.
Një frazë e ruajtur nga populli për një situatë të ngjashme thotë: “dymbëdhjet shkije rreth e rreth, Sava n’ball t’oxhakut, nji turk m…i çka ka me ba”.

Më Shumë

Osmani: Më 24 mars të ’99-ës aleancat e botës demokratike u bënë bashkë për të parandaluar shfarosjen e popullit të Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani ka falënderuar aleancën veri-atlantike, NATO-n dhe ushtarët e saj për kontributin që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për Kosovën. Sot në...

Nga 1 prilli nëse nuk e pastron baltën nga mjeti, gjoba do të jetë 1 mijë euro

Në fillim të prillit pritet të fuqizohet Ligji i ri për rregullat në trafik. Kështu, parashihen gjoba të ashpra ndaj shkelësve. Iniciuesit e këtij ligji...

Dhimbja

Lajmet e Fundit