7.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Çfarë gjyqësori do të duhej të kishim?

Shqiprim PulajShkruan: Shqiprim Pula, doktorant

1. Nga njohurit e mia krahasuese të sistemeve gjyqësore, do të thosha se, në çdo shoqëri, në veçanti ato të pasluftës, mosmarrëveshjet janë pasojë e pashmangshme e ndërveprimit shoqëror. Por, në vend të zgjidhjes me dhunë ndaj dhunës, shtetet kanë ngritur sistemet gjyqësore që kanë si qëllim zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Një hap tutje, drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, institucionet, gjykatat duhet të përcaktojnë saktë legjislacionin për aplikim. Kjo çështje është veçanërisht e rëndësishme në demokracitë kushtetuese, ku ligjet bëhen nga përfaqësuesit – të zgjedhurit e popullit, të cilët njëherit shprehin vullnetin e shumicës, por, pa lënë mënjanë, respektimin e të drejtave të pakicës.
2. Padyshim se, paanësia është dhe duhet të mbetet një nga qëllimet më kryesore të sistemit gjyqësor në Republikën e Kosovës. Për ta ruajtur, nga çfarëdo cenimi objektivitetin e sistemit gjyqësor, qeveritë demokratike, gjykatat i mbajnë larg çfarëdo influence të jashtme, qofshin ato nga zyrtar shteti apo grupe interesi, që për interesa private do të ushtronin mbi gjyqtarët presione politike, ekonomike apo sociale. Pavarësia gjyqësore ka rëndësi fundamentale në ngritjen dhe sigurimin e integritetit dhe kredibilitetit të gjykatave brenda sistemit tonë politik.

Kjo pavarësi përbëhet së paku nga dy komponentë; nga pavarësia vendim-marrëse dhe strukturore, që përkufizohen me liri në vendosje dhe respektim në zbatueshmëri ndaj vendimeve të marra. Ndërlidhur me pavarësinë gjyqësore, edhe organizatat ndërkombëtare si; Amnesty International dhe Freedom House ofrojnë përkufizimin se në shtetet moderne, pavarësia gjyqësore, lidhet ngushtë me sistemin politik, respektimin e të drejtave të njeriut dhe vitalitetin e institucioneve demokratike. Madje, edhe motoja; ‘drejtësi për të gjithë në bazë të ligjit’ mishëron objektivat e gjyqësisë në një shoqëri demokratike.

3. Mbi parametrat e pavarësisë gjyqësore – shkencëtari i madh Xhon Shmidhauzer, kishte proklamuar një sërë atributesh lidhur me pavarësinë gjyqësore si; ‘ndarje funksionale në mes gjyqësorit dhe ekzekutivit; mandati i gjyqtarëve; standarde cilësish të larta në përzgjedhje të gjyqtarëve; rroga sa më të larta; dhe respektim të vendimeve dhe urdhrave të gjykatave’. Për më tepër, ndër komponentët kryesore për ruajtjen e pavarësisë së gjyqësorit, është caktimi i gjyqtarit në detyrë gjithë jetën ‘në varësi të sjelljeve të mira’.

Aleksandër Hamillton – jurist amerikan përkufizon; ‘nuk ekziston asgjë tjetër që të mund të kontribuojë kaq shumë në dobi të qëndrueshmërisë dhe pavarësisë së gjyqësisë se sa qëndrimi i përhershëm në detyrë, kjo cilësi, rrjedhimisht, duhet konsideruar si një komponent i domosdoshëm’.
4. Marrë parasysh rrethanat politike të krijuara pas luftërave të ndodhura në Ballkan, Këshilli i Unionit Europian qysh në Prill të 1997, kishte vendosur krijimin e marrëdhënieve kontraktuale me vendet e Ballkanit perëndimor. Agjenda e Selanikut për Ballkanin Perëndimor e Qershorit 2003, e bëri të qartë se, vendet e Ballkanit Perëndimor integrimin e ardhshëm në strukturat Europiane dhe anëtarësimit përfundimtar në UE, ndër prioritet të jetë përafrimi i legjislacionit me atë të UE. Madje, në Dhjetor 2011, Këshilli Europian rikujtoi gatishmërinë për të ndërmarrë hapa konkrete, për perspektivën e qartë Europiane të Ballkanit perëndimor. Ofrimi dhe përfshirja në procesin e marrëveshjes së stabilizim asocimit (stabilization and association agreement) pa paragjykuar statusin politik-juridik të Kosovës, nënkuptonte që Kosova të respektoj dhe forcojë parimet demokratike të qeverisjes, parimet të së drejtës ndërkombëtare dhe forcimit të sundimit të ligjit në vend. Sipas një marrëveshje të stabilizim asocimit, Republika e Kosovës, do të duhet të ngritë kapacitetet dhe pjekurinë në përpjekjet e saj për ta përmirësuar me profesionalizëm, përgjegjshmëri, efikasitet dhe efektivitet sistemin gjyqësor në të gjitha nivelet, e cila është fundamentale për një zbatim të suksesshëm të reformave të domosdoshme për të ardhmen.

5. Korniza gjithëpërfshirëse ligjore si; Ligji për Gjykatat, Ligji për Këshillin Prokurorial, Ligji për Këshillin Gjyqësor e të tjera ligje të miratuara gjatë viteve të fundit, përbën një reformë të rëndësishme të sistemit gjyqësor në Republikën e Kosovës, por zbatimi i plotë i këtyre ligjeve, mbetet ende sfidë për shtetin, ngase parimet; e pavarësisë, paanshmërisë, përgjegjshmërisë dhe efektivitetit nuk janë për tu dëshiruar. Për këtë, më së miri pasqyrohet me kërkesën dhe insistimin e aleatëve ndërkombëtar për të krijuar ‘tribunal’ apo ‘gjykatë speciale’ për trajtimin e krimeve të supozuara sa delikate po aq të ndjeshme.

6. Çfarë nevojitet të bëj Kosova, respektivisht institucionet e Republikës në përmbushje të një detyrimi ligjor drejtë rrugëtimit të integrimit Europian? Në reflektimin e saj serioz dhe konkret në përmbushje edhe të detyrimeve sipas një marrëveshje kontraktuale me Unionin Europian, Republika e Kosovës, duhet të përqendrohet në veçanti në përmirësimin e pavarësisë, paanshmërisë, efektivitetit, dhe llogaridhënies së gjyqtarëve dhe prokurorëve të zgjedhur dhe atyre që do zgjedhën. Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të sigurojnë zbatimin me sukses të reformave të nisura në drejtësi. Institucionet e Republikës së Kosovës gjithashtu duhet të sigurojnë dhe ofrojnë masat e duhura për siguri dhe mbrojtje për gjyqtarët, prokurorët, dëshmitarët, për të siguruar mbrojtje efektive kundër kërcënimeve apo frikësimeve eventuale. Në këtë mënyrë, ne qytetarët, institucionet, dhe qeveria e Republikës së Kosovës mënjanon çdo lloj kërkese për krijim ‘tribunalesh’ apo gjykata speciale’, duke treguar pjekuri shtetërore dhe qëndrueshmëri institucionesh.

(Autori është njohës i  Ligjit dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare)

 

Më Shumë

Lajmet e Fundit