11.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Çfarë presidenti na duhet?

Nga Ditar Kabashi

1.

Ndonëse në natyrën time nuk është që fjalën e fundit ta them qysh në fillim, këtë herë po e ndryshoj zanatin: shkurt e shqip, Kosovës nuk i duhet një president konsensual; aq më tepër dikush i urtë, “zotni, pensionist që edhe në shtëpi rrin me kollare”, doemos i dëshmuar në qarqe akademike, autor vëllimesh të tëra nga fusha e caktuar shkencore, ndonjëri i dëshmuar si i përndjekur “irredentist”nëish sistemin, apo person që rrjedh nga një familje e spikatur (!)…Le të jetë edhe ndokush që ka nga këto cilësi, por të mos zgjedhet për shkak tëtyre.Po ashtu, Kosovës, assesi nuk i duhet honxhobonxho në krye të shtetit (për pak desh e harrova këtë kriter).

Të them hapur: republika e jonë s’e ka problem që të gjejë një president për vete. Po, është e vërtetë se një pjesë bukur e mirë e fytyrave që tashmë na i zënë ekranet televizive në edicionet e lajmeve dhe ballinat e portaleve të lajmeve (qe besa edhe portaleve satirike) e kanë të dëmtuar kredibilitetin. Megjithatë, ne do ta gjejmë një president. Në mos e gjetshim, na e gjejnë (e di, ngaqë na ka pas ndodhë më parë).

2.

Filli i problemit është te definimi kushtetues dhe pritshmëria reale për figurën e presidentit. Konkretisht, përcaktimi se presidenti “përfaqëson unitetin e popullit” po keqkuptohet tejmase. Është krijuar një bindje se presidenti nuk duhet të ketë qëndrime politike (që përzihet me ato partiake), të mos përzihet aktivisht nëorientime të politikëbërjes, të rrijë sa për dekor në zyren e tij, të japë medalje për sportistë të suksesshëm, të udhëtojë jashtë vendit vetëm kur ka ndonjë organizim ndërkombëtar formal të parëndësishëm për Kosovën, të dekretojëvendime jo gjithaq të rëndësishme, t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për lloj-lloj pyetjesh të cilat, më pas, po e bëjnë këtë gjykatë të jetë si pushtet i katërt, etj. Në të vërtetë, këto nuk janë fakte sa për të kritikuar presidentët e deritanishëm. Janë realitet i rrugëtimit tonë në konsolidimin shtetëror.

3.

Hallin e kemi tek sistemi; pra tek ky i famshmi “parlamentarizëm” që na u injektua thua se do ta rrisë nivelin e demokracisë në vend. Kurrfarë efekti deri sot. Zgjedhja e presidentit në Parlament është kancer për demokracinë. Nuk mund të përfaqësojë unitetin e popullit e as vullnetin tim asnjë individ që zgjedhet me pazarllëqe partiake. Merren vesh dy-tri liderë partiakë, vendosin për presidentin, dhe pastaj ai na përfaqësuaka krejt popullin, apo? E, jo! Pa dalë kandidatët për president para popullit në fushatë zgjedhore, pa kërkuar vota, pa marrë besimin e popullit direkt, s’ka unifikues.Një president pa fuqi politike, pra, pa miratimin e masës, nuk mund të ushtrojë të gjitha kompetencat e veta diskrecionale. Çdo pretendim i kundërt është hedhje hi syve popullit.

4.

Edhe diçka: unifikues nuk nënkupton që ai të mendojë si çdo qytetar i republikës. Ai nuk mund të jetë të njëjtjën kohë edhe nacionalist edhe komunist, edhe fetar edhe ateist, edhe shqiptar edhe pjesëtar i ndonjë komuniteti tjetër. Por, ai do të duhet t’i respektojë qëndrimet e çdokujt. Ai duhet të promovojë diversitetin (në frymën e Kushtetutës), por të ketë edhe një identitet të vetin. Për më tepër, një president vetëm ceremonial dhe jo ekzekutiv nuk ka potencial të jetë i spikatur. Domethënë,të kryejë punë. Si mund të jetë përfaqësues i unitetit të popullit një president që nuk mund të vendosë në çështje politike? Qeveria të vendosë ç’të dojë dhe ky të mos përzihet apo? Më e pakta, duke munguar instituti i kundërfirmës së ndërsjellë mes qeverisë dhe presidentit, çfarë faktori politik konsiderohet presidenti? Nuk ka gjasa të jetë figurë balancuese pa qenë edhe vetë ai pjesë e një ane të peshores.

5.

Nuk duhet të shqetësohemi për emrin e presidentit, por për mënyrën e zgjedhjes së tij dhe kriteret (veçmas profesionale e morale). Na duhet një president aktiv, balancues, por gjithsesi edhe ekzekutiv, e mbi të gjitha i zgjedhur drejtpërdrejtë nga populli.Presidenti i dalë nga Parlamenti ështëkushtetues e legjitim (domethënë i përligjur me normë juridike) por nuk është demokratik (ngase nuk pyetet populli). Nëse vazhdojmë si deri sot, Kosova nuk do t’ia shohë hajrin këtij institucioni kurrë. Sa për ashtu, le të bëhet president kush të dojë dhe analistët e famshëm le të merren me interpretimin e Kushtetutës për kuorum të prezencës në sallë dhe numrat për zgjedhjen e tij.

Më Shumë

Kujtimet poetike të Fahri Musliut

Gazetari Fahri Musliu ka publikuar në rrjetin social Facebook disa poezi të cilat i  ka shkruar në  fund të vitit  ’70-të . “Poezitë janë të...

Moti sot: Shi dhe reshje bore

Në Kosovë parashihet që sot të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu të intensitetit mesatar deri të lartë, ndërsa në viset...

Lajmet e Fundit