7.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Çka të bëhet me universitetet?

Seb Bytyçi

Zhurma rreth mosakreditimit të disa universiteteve publike e private ka vënë në pah edhe njëherë problemet e shumta që mbizotërojnë në arsimin e lartë. Politizimi, mungesa e profesionalizmit, mungesa e kontrollit të cilësisë janë disa nga problemet kryesore të fushës së arsimit të lartë. Më poshtë, do të ravijëzoj disa ide për një reformë të mirëfilltë në arsimin e lartë në Kosovë dhe për fatin e universiteteve.

Së pari duhet të kuptojmë se arsimi i lartë është i lidhur ngushtë me fushën e hulumtimeve shkencore. Këto dy fusha shkojnë së bashku, dhe sa herë që përmendim arsimin e lartë duhet të kemi parasysh arsimin e lartë dhe hulumtimet shkencore duke përfshirë shkencën e aplikuar dhe teknologjinë. Fatkeqësisht, arsimi i lartë tashmë nënkupton vetëm dhënien e diplomave, dhe kjo duhet të ndryshojë.

Politizimi i universiteteve

Fatkeqësisht, politika i ka parë universitetet publike me një sy intrumentalizimi. Që nga paslufta, fillimisht, UP-ja e më vonë edhe universitetet e tjera, janë parë si një hapësirë për shtrirjen e ndikimit politik, punësimit dhe regjistrimit në studime të anëtarëve partiakë e familjarëve, si dhe burim i përfitimit personal. Ndikimi politik, nepotizmi e korrupsioni janë zhvilluar pa pengesë, kurse cilësia e studimeve ka shkuar në rënie. Vetë themelimi i universiteteve të reja publike mund të shihet si i motivuar nga këto qëllime të ngushta.

Partitë politike kanë shtrirë ndikimin e tyre te organizatat studentore duke tentuar të rrisin përkrahjen mes studentëve. Ndikimi politik në punësime është i dukshëm, dhe politikanët i përdorin universitetet për të siguruar një burim të dytë të të ardhurave si dhe për të punësuar familjarët e tyre. Pozitat e rektorëve, prorektorëve e dekanëve, shihen si poste ministrore për t’u shpërndarë në ndarjen e pushtetit mes partive që gjenden në koalicione politike.

Nepotizmi zhvillohet i papenguar dhe udhëheqësit e universiteteve e konsiderojnë privilegj të tyrin të punësojnë familjarët e tyre. Rregulloret në punësim dhe avansim shkelen pa kurrfarë pasojash. Një klimë e tillë e mosrespektimit të ligjit, nxit korrupsionin. Kjo u dëshmua në skandalin e regjistrimit të studentëve me rryshfet dhe në raportimet e shpeshta në media për punësime e avancime të parregullta.

Rënia e cilësisë së studimeve

Sigurisht se cilësia e studimeve pëson, në një ambient ku mësimdhënës janë njerëz të papërgatitur që janë punësuar në kundërshtim me rregulloret. Për shembull vazhdimisht pranohen asistentë persona të moshës mbi 35 vjeçare, në kundërshtim me provizionet statutore. Edhe avancimi në pozita akademike bëhet në mënyrë të parregullt, ku avancohen mësimdhënës që nuk kanë plotësuar kushtin e publikimeve. Skandali i publikimeve në revista të rreme tregon se sa larg janë në gjendje të shkojnë ata që synojnë avancimin me çdo kusht.

Një gjë tjetër që ka ndikuar në uljen e cilësisë së studimeve është regjistrimi i një numri shumë të madh të studentëve. Kjo është bërë nga politika me qëllim që të zvogëlohet numri i të papunëve në statistika, duke futur të rinjtë e papunë në banka universitare për t’i numëruar si studentë. Kjo synon mbulimin e faktit se tregu i punës nuk është i aftë të krijojë vende pune për të rinjtë që hyjnë në moshën madhore. Mirëpo rritja e numrit të studentëve nuk shkon pararelisht me rritjen e kapaciteteve të universiteteve. Kështu që kemi një rritje të proporcionit student/profesor, dhe rrjedhimisht ka rënie të cilësisë së studimeve. Kjo rritje e numrit të studentëve është bërë duke injoruar jo vetëm kapacitetet njerëzore të universiteteve por edhe ato fizike.

Arsimi i lartë dhe zhvillimi

Çdo reformë e arsimit të lartë duhet të ketë para sysh nevojat zhvillimore të vendit. Arsimi i lartë është i rëndësishëm për zhvillim jo vetëm për shkak se prodhon burime njerëzore me aftësitë e njohuritë që i duhen ekonomisë për zhvillim, por edhe për shkak të rolit të rëndësishëm të hulumtimeve në zhvillim. Shtetet që tashmë janë të zhvilluara gjatë periudhës zhvillimore të tyre kanë themeluar institute hulumtuese për të ndihmuar inovacionin teknologjik dhe institute për kontrollin e cilësisë së produkteve për të rritur atraktivitetin e tyre në treg (të brendshëm dhe të jashtëm). Pra, parimi kryesor duhet të jetë zhvillimi.

Më tutje, qëllimet e reformës duhet të jenë rritja e cilësisë dhe produktivitetit në arsim të lartë dhe hulumtim. Rritja e cilësisë mund të kuptohet në disa mënyra, per shembull rezultati i studentëve, rritja e numrit të profesorëve të diplomuar në universitete prestigjioze ose rritja e numrit të studentëve që vazhdojnë studimet postdiplomike. Rritja e produktivitetit gjithashtu mund të shihet në disa mënyra, por kryesorja do të ishte numri i artikujve shkencorë të publikuar dhe numri i revistave shkencore. Gjendja e tanishme është mjaft e keqe dhe është duke përkeqësuar, ku është rritur numri i studentëve si një metodë për të ulur shifrat zyrtare të papunësisë; punësimi në bazë të lidhjeve familjare e partiake është shumë i përhapur; dhe kriteri i publikimeve anashkalohet përmes publikimeve në revista të rreme e në media.

Si të arrihen këto qëllime? Kjo mund të bëhet përmes tri rrugëve: depolitizimit, rritjes së profesionalizmit dhe inovacionit në menaxhment. Më poshtë do të shohim se çka nenkupton secili nga këto koncepte.

Depolitizimi dhe profesionalizimi

Depolitizimi tashmë është bërë shumë i nevojshëm duke pasë parasysh se niveli i ndikimit të politikës në arsim të lartë është shumë i lartë. Politika përveç rrugëve formale të sanksionuara me ligj, ndikon në universitete përmes rrugëve joformale. Ky ndikim vërehet si në punësim të stafit në mënyrë të parregullt, ashtu edhe në pranimin e studentëve por edhe në dhënien e diplomave të pamerituara. Edhe deklaratat publike të politikanëve kundër Këshillit të Cilësisë dëshmon për ndërhyrje politike. Pikërisht për shkak të kësaj ndërhyrje Këshilli është degraduar dhe përjashtuar nga forumet ndërkombëtare. Për të zvogëluar ndikimin e politikës në universitete, së pari duhet të limitohet numri i anëtarëve të Këshillave Drejtues të universiteteve që emërohen nga ministria në vetëm një. Së dyti duhet nxjerrë dhe zbatuar rregullore që garantojnë zvogëlimin e ndikimit të politikës në arsim përmes punësimit dhe pranimit të studentëve, duke rritur përgjegjësinë ligjore të anëtarëve të forumeve që marrin vendime.

Rritja e nivelit të profesionalizmit mund të bëhet në disa mënyra. Së pari duhet të garantohet meritokracia në punësim dhe avancim. Një aspekt shumë i rëndësishëm është rregullimi i çështjes së numrit të universiteteve ku mund të japin mësim profesorët. Gjithashtu, duhet të instalohen sisteme të vlerësimit të performancës. Përveç kësaj duhet të shfrytëzohen resurset njerëzore në diasporë, duke lehtësuar ligjërimin e përkohshëm të ligjëruesve nga diaspora.

Ndryshimet sistemike

Aspekti më i rëndësishëm i reformës, i cili ndihmon të realizohen edhe dy qëllimet e përmendura më lart, është ai i çështjeve menaxheriale dhe të nivelit sistemik. Ka disa aspekte të ndryshme të sistemit aktual të cilat duhet të reformohen. E para është çështja e ndarjes së kompetencave administrative dhe atyre akademike brenda universiteteve. Universiteti duhet të ketë një drejtor që është administratori më i lartë dhe që merret me çështje administrative duke mundësuar që rektori të merret me çështje akademike. E dyta është çështja e “shpërndarjes territoriale” të institucioneve të arsimit të lartë. Është e natyrshme që të ketë një qendër universitare në secilën nga shtatë qendrat kryesore të vendit. Një shpërndarje e tillë do të lehtësonte ngarkesën e madhe mbi Universitetin e Prishtinës, dhe do të ndihmonte në zhvillimin ekonomik të rajoneve. Universiteti i Prishtinës ka pasur degë (fakultete) të specializuara në gjashtë qendrat jashtë Prishtinës, që kanë qenë të ndërlidhura edhe me përparësitë ekonomike rajonale. Ato kanë shërbyer si bërthama të universiteteve të reja. Mirëpo këto universitete publike nuk i plotësojnë kriteret për të qenë universitete. Ajo që mund të bëhet është bashkimi i tri universiteteve në një (p.sh. Peja, Gjakova dhe Prizreni, dhe Mitrovica, Ferizaji e Gjilani), ku do të reduktohej numri nga gjashtë universitete jashtë UP-së në dy, ku gjashtë kampuset do të mbeteshin. Më vonë nëse i plotësojnë kriteret secili kampus mund të pavarësohet në status të universitetit.

Së treti, përveç universiteteve duhet të themelohen edhe institute hulumtuese për t’i shërbyer zhvillimit ekonomik. Së katërti, duhet të reformohet mënyra e financimit publik të institucioneve të arsimit të lartë. Shuma e buxhetit që u ndahet atyre nga buxheti publik duhet të ndahet në dy pjesë: granti themelor dhe granti zhvillimor. Granti themelor mbulon shpenzimet administrative dhe duhet të varet nga faktorë si numri i fakulteteve e numri i studentëve. Granti zhvillimor mbulon shpenzime programore e zhvillimore dhe duhet të varet nga performanca e institucionit. Gjithashtu, duhet të ekzistojë një fond për hulumtime ku mund të kenë qasje të gjitha institucioneve hulumtuese duke përfshirë edhe ato private (nëse i plotësojnë kushtet e nevojshme).

Këto janë aspektet kryesore të një reforme të mirëfilltë të arsimit të lartë. Gjithnjë duke pasur parasysh nevojat zhvillimore të vendit, këto ndryshime do të çonin drejt një sistemi arsimor që i shërben shoqërisë e jo vetëm një grupi të caktuar. Duke futur parime të profesionalizmit e duke nxitur konkurrencën për rezultate mes institucioneve këto reforma do të jepnin fryte pozitive për një kohë të shkurtër.

Më Shumë

Sot varroset aktorja Shirine Morina

Sot në orën 16:00 do të bëhet varrimi i aktores së njohur, Shirine Morina. Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se sot do të organizojë...

Hapet në Prizren edicioni parë i Shkollës për Diplomaci të Diasporës

Në Prizren u hap edicioni i parë i Shkollës për Diplomaci të Diasporës, organizuar nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe...

Lajmet e Fundit