2.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Çmimi i taksës


IMER MUSHKOLAJ

Çmimi i taksës për Serbinë është i lartë, por ajo nuk duhet të shërbejë për të paguar çmimin e dëmtimit të raporteve me SHBA’në. Ka zgjidhje, nëse duan ta gjejnë. Reciprocitet i plotë? Pse jo! Taksa mund t’i sjellë dikujt poenë politikë, por një qasje racionale, e cila do të ofronte zgjidhje pa e dëmtuar “materien”, siç do të thoshte kryeministri, është e mundshme

Si asnjëherë më parë, qytetarët e Kosovës u entuziazmuan kur qeveria vendosi taksën njëqind për qind ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës. Mbase për të parën herë ata u ndjenë qytetarë të rëndësishëm të një shteti që paska mundësi e fuqi të reagojë në këtë mënyrë ndaj luftës së paskrupullt të Beogradit kundër shtetësisë dhe qenësisë së Kosovës. Për herë të parë ata mbështetën pa rezervë një vendim qeveritar – populist, por të domosdoshëm.

Protagonist ishte kryemnistri Ramush Haradinaj, por kur zyrtarë të PDK’së e panë se atij po i mbeteshin të gjitha meritat, ngarendën t’i marrin ca nga ato edhe për veten, duke e prezantuar idenë e taksës si origjinale, të veten. Një shfaqje cirku, siç ndodh shpesh në Kosovë.

Nëse shihet si masë ekonomike, taksa mund t’i ketë problemet e veta, por si politike ishte përgjigje e duhur ndaj Serbisë. E gjendur përballë një mase të rreptë, që e dëmton jashtëzakonisht shumë ekonomikisht, Serbia vuri kusht heqjen e saj, për vazhdimin e dialogut. Gjërat nisën të komplikohen, e presioni të shtohet. Bashkë me të edhe dilemat se si të veprohet.

Kryeministri vazhdon deklaratat e forta se taksa do të mbetet deri sa Serbia ta njohë Kosovën, respektivisht derisa të jepen garanci se marrëveshja me Beogradin siguron njohjen. Ndërkohë, Brukseli e Washingtoni kërkojnë që t’i jepet shans dialogut dhe vendimi për taksën të tërhiqet. Një situatë aspak e lehtë për t’u tejkaluar. Si t’i thuhet jo SHBA’së dhe, në të njëjtën kohë, të hiqet dorë nga mjeti i vetëm që Kosova e ka në dorë për ta dëmtuar Serbinë?


Kushdo të ketë qenë ideator i vendosjes së taksës do të duhej ta ketë parashikuar një situatë të tillë. Do të duhej ta dinte se në një moment do të kërkohej heqja ultimative e saj. Dhe do të duhej të ekzistonte plani se si të veprohej në një situatë të tillë.

Ata që ngarendën të marrin merita për vendosjen e taksës, duhet tash që të gjejnë zgjidhje, të jepin alternativa. Sepse, heqja e taksës pa kurrfarë përfitimi është dështim, është dëmtim i shtetit, dëmtim i kauzës për të cilën ajo është vendosur.

Është joracionale që të mendohet se taksa do të qëndrojë deri sa Serbia ta njohë Kosovën shtet, por ka plot zgjidhje të tjera racionale që mund ta arrijnë efektin e njëjtë. Reciprociteti i plotë me Serbinë është njëra nga to. Gjë që do të duhej të kishte ndodhur që moti.

Lulzim Peci ka dhënë edhe një ide tjetër: nënshkrimin e një deklarate ndërmjet Kosovës, Serbisë e BE’së me të cilën rifuqizohen parimet e Grupit të Kontaktit të vitit 2006, për mosndryshimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, që atëbotë ishte përkrahur edhe nga Rusia. Ndërkohë, për Bosnjën një ndër kushtet mund të jetë heqja e regjimit të vizave për kosovarët dhe, po ashtu, reciprocitet i plotë.

Gjërat nuk janë bardh e zi, qysh mund t’i shohë ndonjë zyrtar opozitar, se ose duhet të bjerë taksa, ose Qeveria Haradinaj. Tekefundit këtë veprim ndaj Serbisë nuk e mori askush më përpara. As Isa Mustafa si kryeministër.

Askush me mendje racionale nuk thotë se në emër të taksës duhet dëmtuar marrëdhëniet me SHBA’në. Por, po ashtu, kjo situatë nuk duhet të shërbejë për kusuritje e përfitime politike. Çmimi i taksës për Serbinë është i lartë, por ajo nuk duhet të shërbejë për të paguar çmimin e dëmtimit të raporteve me SHBA’në. Ka zgjidhje, nëse duan ta gjejnë.


Taksa është vendosur për të arritur një efekt dhe nuk mund të hiqet pa u matur rezultati. Ajo që është arritur me siguri është ngritja e vetëdijes tek qytetarët rreth konsumimit të produkteve të një shteti, i cili ua do paratë, por jo edhe shtetin, ua merr qindra milionë euro në vit, por ua lufton qenësinë.

Raportet me Serbinë asnjëherë nuk do të jenë të njëjta si para vendosjes së taksës. As qasja e saj karshi Kosovës. Por, nuk mund të riparohen për një muaj, as për dy dëmet e mëdha që i janë shkaktuar vendit nga dialogu dhe marrëveshjet e dëmshme, të nënshkruara pikërisht nga ata që kanë qasje jomiqësore ndaj taksës për një arsye të vetme: që të përfitojnë personalisht.

Një qasje racionale, e cila do të ofronte zgjidhje pa e dëmtuar “materien”, siç do të thoshte kryeministri, është e mundshme. Përndryshe, çmimi i taksës do të jetë tepër i lartë. Kësaj radhe jo për Serbinë, por për Kosovën.

Më Shumë

Lajmet e Fundit