10.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Demokracia ombrellë për abuzime, korrupsion…!

Fahri MusliuShkruan: Fahri MUSLIU
Pas rënies së murit të Berlinit dhe sistemit njëpartiak komunist në shtetet e Evropës Lindore dhe në Bashkimin Sovjetik, fjala më së shumti e (keq) përdorur është demokracia (sundimi i popullit – shumicës). Mirëpo demokracia, veçmas në shoqëritë e Ballkanit, shërben për marifetllëqe më të pista që bëjnë pushtetarët dhe zyrtarë të niveleve të ndryshme ndaj qytetarëve, por edhe qytetarët ndaj shtetit të vet. Thjeshtë ajo po shërben si ombrellë për abuzime, zhvatje, korrupsion, kriminalitet…
………..
Në kohën e sistemit njëpartiak komunist, (të cilin vakët disa po e kujtojnë me nostalgji për shumë arsye) kemi jetuar edhe me mashtrime. Njëra nga ato ka qenë se dorëheqjet në Demokracitë me shumë parti janë gjë krejt e zakonshme dhe se nuk ekziston korrupsioni. Kemi besuar dhe e ceknim me habitje se si në Japoni ministri i komunikacionit bën “hara-kiri” (vetëvrasje) atëherë kur treni vonohet vetëm pak sekonda, kurse në ndonjë shtet me demokraci të zhvilluar njeriu që ka marrë korrupsion është dënuar rigorozishtë. Por pastaj, duke filluar nga vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, në shumë vende të botës e madje edhe në ato më demokratike, siç janë SHBA, nisen të regjistrohen shumë lëshime e keqpërdorime të posteve zyrtare, rrallë ndodhi që dikush të ofrojë dorëheqje ose të shkarkohet nga posti e të dënohet. Dhe tash shtrohet pyetja: si atëherë ne, në shoqërinë shqiptare dhe në shtetin e brishtë të Kosovës (por edhe në Shqipëri), “t’ia zëmë për të madhe” ndonjë ministri që nuk ka dhënë dorëheqje edhe pse është dashur për shkaqe të arsyeshme (në fakt gjatë këtyre 15 vjetëve kemi tri dorëheqje të politikanëve të Kosovës si akt moral – Veton Surroi, Fatmir Rexhepi dhe Bujar Bukoshi)?
Në pushtetin demokratik – jo të mençurit por të gjindshmit!
Pra, kemi besuar gabimisht se dhe korrupsioni është çështje e palejueshme e demokracisë. Në fakt unë personalisht nuk besoj fare në demokracinë, të paktën jo në atë ballkanike dhe si model unik për mbarë botën. Në këtë qëndrim më ka bindur, pos tjerash, edhe libri i filozofit francez Moris Diverzhe “Demokracia pa popull”, siç është tek ne. Mirëpo, besoj në vlerat e demokracisë siç janë respektimi i ligjit, funksionimi i shtetit të së drejtës, toleranca, të drejtat e liritë, morali dhe etika (mes këtyre dy nocioneve ekzistojnë dallime). Andaj edhe dorëheqjet dhe ryshfeti nuk janë çështje e demokracisë, por janë të ndërlidhura me MORALIN (dikush thotë se ai ekziston vetëm në kishë apo xhami) dhe përkitazi me këtë mund të flasim mbi kundërthënien e brendshme logjike të demokracisë.
Ngase në demokraci, në pushtet nuk janë as më të mençurit, as më të ndershmit, as më të moralshmit por, siç vlerëson një mik imi, janë më të gjindshmit e kjo do të thotë ata për të cilët janë përcaktuar dhe kanë votuar anëtarët e “Fermës” ose të “Big Bradhërit” (shou të njohur televiziv). Pra, falë manipulimeve të ndryshme mediatike dhe lojërave të llojllojshme me numra e koalicione, në pushtet janë ata të cilët as për nga mençuria, as për nga profesionalizmi, e më pak për nga morali, meritojnë të jenë në ato vende. Kjo po përsëritet në esencë qysh nga viti 1789, dhe përherë arsyetohet në mënyrën e njëjtë: “Po, Demokracia nuk është sistem ideal, por është më pak i keq”?!

Në këtë rrafsh vazhdimisht me ironi shikohet ideja e Platonit se “shoqërinë duhet ta qeverisin filozofët”. Mirëpo, po harrohet se Platoni nuk ka menduar fare në ata me diploma të Fakultetit filozofik, por në “ata më të moralshmit dhe më të mençurit”. Andaj edhe ai edhe Aristoteli kanë folur se “politikanëve nuk u lejohen mangësitë e zakonshme dhe dobësitë njerëzore”, ngase nga ata janë drejtuar sytë e opinionit më të gjer; ata do të duhej të paraqisnin shembullin moral për njerëzit e zakonshëm. Sepse politikanët (pushteti) janë ata që vendosin për fatin e njerëzve: luftën o paqen, të mirën o të keqen, mirëqenien o mjerimin… Dhe për këtë shkak politika është veprimtari tejet serioze për çka edhe kërkon njerëz që i përmbushin kriteret elementar siç janë: dijenia, ndërgjegjja, morali e mbi të gjitha përgjegjësia.
Britania aristokrate duke pasur këtë parasysh, në vitin 1994 e miratoj të ashtuquajturin Komiteti i Nolanit për standarde në jetën publike (sipas emrit të lordit Nolan). Është çështje tjetër nëse kjo respektohet dhe sa respektohet, por edhe lordi në fjalë edhe aristokratët tjerë, pra britanikët në përgjithësi, e hetuan se po paraqitet një problem i ri demokratik – vërshimi i amoralit, lajkatimit, mashtrimit, grykësia e të pasurve e të paskurpulltëve të gatshëm për çdo gjë, ata të cilët këtë e bëjnë në emër të Demokracisë dhe të cilët prapa vetes i kanë mbulesë votat e votuesve të “Fermës”.

Korrupsioni në Kosovë çështje e mentalitetit?!
Natyrisht se çështja e dorëheqjeve ndërlidhet edhe me çështjen e korrupsionit (ryshfetit), kurse korrupsioni pikërisht, siç thotë edhe vet fjala, është prishja e moralit. Mbi korrupsionin janë shkruar me qindra libra e mijëra artikuj serioz, por megjithatë askush ende nuk ka dhënë përgjigje në pyetjen krejt të thjeshtë: për ç’arsye njeriu është amoral dhe i keq, për ç’arsye e synon të huajën, për çfarë arsye ai është më grykës se të gjitha kafshët?

Disa thonë se ryshfeti është çështje e mentalitetit, tjerët – çështje e historisë, të tretët – fjala është për kushtet sociale, të katërtit – kihet të bëhet me matricën religjioze, të pestët –çështje ekonomike, të gjashtët – politike, respektivisht angazhimi shoqëror e politik kuptohet si plaçkë, të shtatët- mos ndërtimin e regullatives juridike dhe për mos-aftësimin e nëpunësve publik. Cila nga këto çështje që u cekën janë burim i korrupsionit në shoqërinë shqiptare (me tjerat shoqëri nuk dua të merrem, edhe pse kur bisedohet për këtë temë zakonisht thuhet “edhe tek ata ka më shumë korrupsion”) dhe në Kosovë në veçanti?

Më duket se në rastin e shoqërisë shqiptare dhe kosovare në veçanti, (nuk kam analiza sociologjike) kësaj dukurie më tepër i përgjigjet çështja e mentalitetit të trashëguar që nga koha e Perandorisë Osmane, e raporteve fisnore dhe sundimit shumëvjeçar të pushtetit serb ku çdo gjë ka pas çmim. Dhe kjo është ngulitur në kokat e njerëzve të zakonshëm se “vetëm duke dhënë ryshfet mund ta kryesh ndonjë punë”. Thjeshtë kjo është ngulitur në mentalitetin e të gjithëve (përfshirë edhe filloristët) në Kosovë dhe është bërë model (demokratik) i të jetuarit.

Të gjithë flasin e ankohen, (por nuk protestojnë nëpër rrugë) për ryshfetin, duke përmendur shembuj konkret: për të hyrë në punë (nëse nuk je militant partiak apo i afërm me pushtetin) në administratën komunale, arsim, shëndetësi, polici a gjyqësi, apo në ndonjë ndërmarrje tjetër publike duhet me dhënë 3.000 deri 20.000 euro. Një rast i tillë ka ndodhur edhe në familjen time të gjer kur një djali (master i telekomunikacioneve) i kanë kërkuar 20.000 euro për punë 6 mujore në PTK. Ose mikut tim për ta punësuar nusen e djalit si mësuese në një shkollë të një komune, (pas shumë vite pritjesh me diplomë fakulteti të edukimit) drejtori i Drejtorisë së Arsimit, me ndihmën e një deputeti të një partie në pushtet dhe të sekserit, i kanë kërkuar 10.000 euro. Ai nuk i kishte këto para por kishte pranuar t’ua jap makinën në vlerë 8.000 euro. Raste të tilla ka të panumërta, sepse edhe kur shpallët konkursi kjo bëhet vetëm formalisht për mbulesë ligjore, sepse kandidatët ose punojnë ose do të pranohen të afërmit, militantët partiak apo ata që paguajnë shumën e caktuar të parave.

Ngjashëm është edhe me tenderët për të cilët ata që vendosin kujt me ia ndarë kërkojnë ryshfet prej 10 deri 20% të vlerës së tij. Për këtë dëshmon rasti i një të njohuri i cili e kish fituar tenderin për ndërtimin e një objekti shkollor në vlerën 2.2 milion euro, por për këtë kishte paguar 15% ryshfet, 330.000 euro në dorë. Kur e pyeta se ku është fitimi i tij mora këtë përgjigje: “E ndërtojë godinën me material të përgjysmuar e të lirë, dhe godina mund të rrëzohet pas disa vitesh”. Në reagimin tim se ku është ndërgjegjja e tij, ai tha: “kur nuk kanë ndërgjegje ata që e drejtojnë shtetin pse me pas unë”. Kjo dëshmon se të gjitha këto institucione shtetërore e publike janë shndërruar në pronë private të pushtetarëve dhe njerëzve të tyre.

Duke biseduar them se të gjithë ju që i dini këto raste e i heshtni “jeni me moral të dyfishtë, sepse po e kritikoni këtë dukuri, por në fakt të gjithë po veproni të kundërtën. Dhe me këtë veprim dyfytyrësh pikërisht po e ndihmoni korrupsionin e pastaj po ankoheni se si të gjithë po marrin ryshfet. Nëse refuzoni të jepni apo e raportoni atë që të kërkon ryshfet, atëherë kontribuoni në eliminimin e tij dhe në ndërtimin e një shoqërie të shëndosh e demokratike ku sundojnë e zbatohen ligjet”.

I kuptoj këta që flasin kështu, por nuk i arsyetojë!
Sepse e di se demokracia, veçmas në shoqëritë e Ballkanit, shërben për marifetllëqe më të pista që bëjnë pushtetarët dhe zyrtarë të niveleve të ndryshme ndaj qytetarëve, por edhe qytetarët ndaj shtetit të vet. Thjeshtë ajo po shërben si ombrellë për abuzime, zhvatje, korrupsion, kriminalitet…

Të ceki këtu se spanjollët janë më të korruptuar se suedezët, sepse spanjollët kanë, për dallim nga popujt e Skandinavisë, traditën e trashëgimisë feudale (si ne në Kosovë traditën e raporteve fisnore), përpos kësaj të parët janë katolik e të dytët protestant…Ky shembull flet mjaft qartë.

Ashtu pra edhe shqiptarët kanë jetuar në sisteme e religjione të ndryshme dhe të sunduar nga pushtues të huaj që nga feudalizmi (500 vjet nën Perandorinë Osmane) dhe nuk i kanë përjetuar si të vetat ato shtete (pushtete). E pastaj në komunizëm a socializëm, dhe në fund, nga viti 1991 (në Shqipëri) respektivisht 1999 në Kosovë, në kapitalizmin e xhunglës dhe në (kuazi)demokraci.
Do si do, një gjë shtrohet si pyetje: kur t’ia shohim për të madhe një kryetari komune në Kosovë nëse për veten dhe familjen e vet ka keqpërdorë pozitën dhe nuk i bie ndërmend të jap dorëheqje (e madje edhe atëherë kur kundër tij është ngritur aktakuza dhe dënohet, si rasti i kryetarit të Komunës së Prizrenit, Skenderajt e ngjashëm), kur këtë nuk e bëjnë as zyrtarë më të lartë të shtetit (këtë ua mundëson (kuazi) demokracia, dhe kur ngjashëm veprojnë edhe zyrtarë të lartë botëror… Si t’ ia shohim për të madhe një nëpunësi të Kosovës që për vete grabit atë që nuk e meriton, kur ai është vetëm sot (apo një mandat të caktuar – nëse nuk e ndërron partinë) dhe kurrë më në atë vend në të cilin gjendet, dhe plaçkën duhet shtrënguar sa më shumë.

Dhe këtu në fakt qëndron problemi i aristokracisë dhe demokracisë, i traditës dhe snobizmit, respektivisht i asaj që në Kosovë shumë shpesh kanë ndodhur thyerje të mëdha që nga rënia e Perandorisë Osmane e deri më 1999, dhe gjithçka nis nga e para. Tamam baba vendos ta shkollojë të birin dhe t’ia blejë bibliotekën (edhe pse vet ndoshta kurrë nuk ka pas libër në dorë), kur ia beh ndonjë kataklizëm dhe çdo gjë nis nga e para – që i biri serish ta grabit plaçkën e vet. Dhe kush të merret atëherë këtu me moralin dhe dorëheqjet?

Pse të rinjtë i adhurojnë jovlerat?
Mirëpo a duhet të vazhdohet kjo praktikë e mbrapshtë edhe më tutje? Kujtoj se jo që duhet të vazhdojë, por këtij përbindëshi duhet t’i pritet koka përnjëherë dhe tash, ndryshe çdo ditë e humbur do të na shpie në humnerë si shoqëri dhe si shtet. Këtë nuk mund ta bëj vetëm as pushteti, as ligjet, as policia, as populli por të gjithë bashkë. Ama sa kanë efekt reklamat me apelet e kryetares Atifete Jahjaga, drejtorit të Agjencisë Antikorrupsion Hasan Preteni dhe drejtorit të Policisë Shpend Ahmeti, për “ndihmën e qytetarëve në luftimin e korrupsionit dhe zero tolerancë”, kur ata e dinë shumë mirë se pikërisht institucionet shtetërore të niveleve të ndryshme dhe ndërmarrjet publike janë bartësit kryesor të kësaj dukurie, e ata janë të shurdhër.
Pra pushteti me organet dhe instrumentet e veta është përgjegjës për shkallën e tillë të ryshfetit meqë duhet të eliminojë këtë gangrenë shoqërore në radhët e veta e pastaj të iniciojë dhe bartë luftimin kundër tij.
Por edhe qytetarët mbajnë përgjegjësi, sepse edhe përkundër faktit se pareshtur ankohen dhe e kritikojnë këtë dukuri, megjithatë “pa ryshfet nuk mund të funksionojnë”.
Nga ana tjetër të rinjtë e kanë marrë korrupsionin (të imponuar nga pushteti) si model të jetesës, dhe prandaj nuk po mundohen të arsimohen me punë, angazhim e përkushtim meqë baba jep lek për blerjen e notës e të diplomës, por jo edhe të dijenisë.

Të rinjtë i adhurojnë politikanët hajna, kriminelë, ata që marrin ryshfet, që kanë makina të mira e jetë luksoze edhe pse pa arsimim, ngase janë të lidhur me pushtetin. Të rinjtë synojnë ato vende pune ku mund të merret para nga dikush për shërbimin e bërë, e jo të fitohet rroga nga puna. Ata ende nuk janë të vetëdijshëm se çka është arsimimi i mirëfilltë pa të cilin nuk ka zhvillim të një shoqërie sepse arsimimi në Kosovë në rangun e shteteve më të prapambetura në botë ku çdo ditë prodhohen doktorë shkence pa merita apo me plagjiaturë. Ata nuk e dinë se ekziston sistem tjetër shëndetësor në botë e jo si ky në Kosovë ku spitalet janë shndërruar në kasaphane kurse nevojtarët për shërim po detyrohen të marrin rrugën për Shkup, Tiranë apo Beograd…

Si t’i mësojmë dhe edukojmë gjeneratat e reja se korrupsioni, kriminaliteti, mosdija nuk janë vlera, por antivlera tejet të dëmshme dhe të rrezikshme për zhvillimin e përparimin e shoqërisë dhe të shtetit të Kosovës. Si t’i mësojmë dhe edukojmë ata që t’i çmojnë vlerat e mirëfillta dhe ti adhurojnë njerëzit e njohur të shkencës, artit, letërsisë, sportit…? Kjo nuk është e lehtë kur dihet se të rinjve, por jo vetëm atyre, pushteti thjeshtë ua ka vra shpresën dhe perspektivën.

Prandaj, kujtoj se kjo dukuri nuk do të mund të luftohej me apele shterpe dhe jo të sinqerta, por vetëm me një TRAKTAT SHOQËROR serioze të pushtetit me qytetarët e Kosovës dhe me fushatë të madhe e serioze mediatike: t’u tërhiqet vërejtja edhe dhënësve edhe marrësve të ryshfetit për ndëshkime rigoroze, përfshirë largimin nga puna, stigmatizimin publik dhe dënimin me burg. Nëse frikohen njëri nga tjetri – dhënësi dhe marrësi nga denoncimi (e fjala popullore thotë “frika e ruan vreshtën”) atëherë ryshfeti fashitet edhe pse nuk çrrënjoset në tërësi.

Ata që do t’i lexojnë këta rreshta (të bezdisshëm) në fund fare nuk do të jenë më të mençur se ç’kanë qenë më përpara, por do të mund të thonë vetëm një gjë: “e kemi kërkuar Demokracinë ja ku e kemi”. E dihet se në Demokraci nuk sundojnë (qeverisin) filozofët, por (fatkeqësisht) tregtarët, ata të cilët qysh Jezu Krishti i ka dëbuar nga tempulli për shkak se nuk kanë qëndruar si duhet me moralin. Nga ata nuk mund të pritet një akt i tillë moral, por ata duhet të ndëshkohen me dënime drakonike dhe me konfiskim të pasurisë së fituar jo-ligjshëm, që do të ishte sinjal dhe mësim i qartë për gjithë të tjerët se si duhet të sillën në postet e veta drejtuese shtetërore e publike në sistemin demokratik./Koha Ditore/

Më Shumë

Mbi 1 mijë e 500 gjoba trafiku të shqiptuara për 24 orë në Kosovë

Policia e Kosovës ka shqiptuar një mijë e 516 gjoba trafiku në 24 orët e fundit. Ndërkaq, janë regjistruar edhe numri i përgjithshëm i aksidenteve...

Ti je për mua një krijesë e trishtë

Poezi e shkruar nga Cesare Pavese. Përktheu: Orjela Stafasani Ti je për mua një krijesë e trishtë një lule e përkohshme poezie që bash në çastin kur e...

Lajmet e Fundit