10.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Deputeti si mall në treg

IMER MUSHKOLAJ

Me veprime joparimore e të dëmshme për demokracinë e shoqërinë, deputetë të caktuar të Kuvendit të Kosovës po shndërrohen në mall të lirë tregu. Në këtë mënyrë, ata po përdhosin vullnetin e mijëra votuesve. Ata nuk mbeten më përfaqësues të qytetarëve, por kthehen në qenie njerëzore të trafikuara për interesa të ulëta.

Kur zgjedhjet e 11 qershorit përfunduan dhe rezultatet u zyrtarizuan, të gjitha përpjekjet e koalicionit PAN u përqendruan në sigurimin e të paktën dy votave të nevojshme për krijimin e qeverisë. Menjëherë nisi loja e ndytë dhe tërësisht joparimore e tregtisë me deputetë nga koalicioni rival LAA, në mënyrë që të sigurohet shumica e thjeshtë e nevojshme për ta zgjedhur Ramush Haradinajn kryeministër.

Në vend se të provohet që me subjekte politike të arrihen marrëveshje eventuale për përafrim programesh dhe, rrjedhimisht, bashkim në koalicion, u përdorën metoda nga më të ndryshmet që të binden deputetë të partive të tjera për t’i thënë “po” ofertës së Haradinajt. Dhe, siç ndodh rëndom në të tilla raste, në shënjestër vihen deputetë për të cilët parimet, përballë përfitimeve të mundshme, nuk kanë fare rëndësi.

Të tillët, të zgjedhur nga votuesit si anëtarë të partive, e jo si të pavarur, nuk e kanë hiç dert që të keqpërdorin besimin e dhënë, duke u vënë në krah të opsioneve politike rivale të partive që i përfaqësojnë.

Spektakli me familjen Rugova, respektivisht me deputeten Teuta Rugova, tregon më së miri se çka përfaqësojnë deputetë të tillë, të cilët për interesa të caktuar janë në gjendje të veprojnë kundër vullnetit të atyre që i kanë votuar, duke gjetur arsyetime nga më banalet.

Dhe të gjithë e dinë se veprime të tilla bën njëra nga deputetet e legjislaturës së kaluar, e cila e ka çelur gojën veç një herë a dy në Kuvend dhe e cila ka përfituar para të majme nga taksat tona.

* * *

Çfarë logjike ka që të marrësh vota si kandidat për deputet i një partie të caktuar dhe menjëherë pas zgjedhjeve të kalosh në kampin rival, thua se kjo është gjëja më normale në botë? Për çfarë veprimesh parimore “për të mirën e vendit” mund të flitet kur në këtë mënyrë keqpërdoret vullneti i mijëra votuesve që i kanë zgjedhur deputetët si të tillë, pasi kanë përfaqësuar opsionin politik të besueshëm për ta?

Përpara se të kandidojnë në lista partiake, secili nga deputetët ka pasur rastin dhe mundësinë të zgjedh opsionin më të përshtatshëm politik. Ta zëmë, Teuta Rugova ose kushdoqoftë tjetër nga partitë e koalicionit LAA kanë mundur fare lehë të përfshihen në listën e PANI’it, në mënyrë që t’ia lehtësojnë Ramush Haradinajt zgjedhjen kryeministër. Shumë më e ndershme do të ishte të veprohej ashtu, sesa që tash të provohet për t’i hedhur hi syve opinionit duke e arsyetuar mbështetjen për Haradinajn. Tekefundit, çfarë kuptimi ka gara politike nëse vërtet ata që kandidojnë nën siglën e një partie, mbështesin opsione rivale pas zgjedhjeve?

Po që se deputetë të koalicionit LAA ua duan të mirën partive të veta, atëherë le të punojnë që ky koalicion të vijë në pushtet. Nuk mund të arsyetohesh se po e mbështet koalicionin rival për shkak të një të kaluare të përbashkët që dikush i yti, qoftë edhe babai i vdekur, paska pasur me dikë. Kjo është çështje parimesh e morali politik, jo çështje gjenetike e trashëgimie. Përrallave të tilla nuk iu beson më askush.

* * *

Ditëve të fundit janë tërhequr paralele ndërmjet qëndrimeve dhe veprimeve të Vjosa Osmanit për koalicionin e para tre vjetësh të LDK’së me PDK’në e zgjedhjes së Hashim Thaçit president dhe veprimit që mund ta bëjë Teuta Rugova, duke mbështetur koalicionin e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Ndonëse mund të duken veprime të ngjashme, në kuptimin që Osmani dhe disa të tjerë nuk e kanë përfillur qëndrimin e partisë, siç mund të bëjë edhe Rugova tash, dallimet janë thelbësore.

Vjosa Osmani, ndryshe nga lideri i partisë së saj, ka respektuar vullnetin e atyre që e kanë votuar, për të mos bërë koalicion me PDK’në. Teuta Rugova, ndërkaq, po përdhos vullnetin e votuesve të saj, të cilët ia kanë dhënë votën jo për të përkrahur Ramush Haradinajn kryeministër, por për të ndihmuar që LDK me partnerët e koalicionit t’i fitojë zgjedhjet dhe ta marrë pushtetin. Çdo përpjekje për ta interpretuar ndryshe këtë situatë është dashakeqe dhe e pasinqertë.

Osmani ka mbrojtur parimet e veta, ndërkaq Rugova po i shkel ato. Situata bëhet edhe më e rëndë duke pasur parasysh se “kumbarë” të kësaj kontrabande janë edhe njerëz të dyshuar dhe të dënuar për vepra penale. Njerëz që për përfitime personale e kanë keqpërdorur emrin e presidentit Ibrahim Rugova.

Kështu, me veprime të tilla joparimore e të dëmshme për demokracinë e shoqërinë, deputetë të caktuar të Kuvendit të Kosovës po shndërrohen në mall të lirë tregu. Ata nuk mbeten më përfaqësues të qytetarëve, por kthehen në qenie njerëzore të trafikuara për interesa të ulëta./Gazeta Express/

Më Shumë

Hapet konkursi për Kryeshef Ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike “Hidroregjioni Jugor” në Prizren

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” SH.A. ka shpallur një konkurs publik për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv. Kjo pozitë ka përgjegjësi të rëndësishme në menaxhim...

Kosova e Shqipëria me marrëveshje të re për kalimin pa kontroll kufitar në Vërmicë

Qytetarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë, do të kalojnë përmes pikës kufitare të Vërmicës nga ana e Kosovës dhe Morinës nga ana e...

Lajmet e Fundit