6.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Dosjet 500 vjeçare

Rezart Palluqi

Jam nëpunësi i arkivave të shtetit i rrethuar prej dosjeve pesëqindvjeçare. Kur fillova të punoj në labirinthin e krimeve të padënuara të kombit tim, dosjet ishin katërqind e shtatëdhjetëvjeçare.

Atëherë, të them të drejtën, ashtu siç e kanë të gjithë nëpunësit e rinj, që sapo kanë pranuar një punë të re, isha më shumë optimist se sa pesimist për mbylljen e dosjeve. Thonë, se dosjet nuk janë hapur, por unë mendoj se ato janë hapur, përderisa ato ruhen në arkiva dhe barkun e kanë të mbushur me shkrime e dëshmi gjakderdhëse. Për aq sa kohë një krim është kryer dhe krimineli nuk është dënuar , dosja mbetet e hapur, paçka se fizikisht ajo mund të jetë ngjitur përsëri me plastelinë, vinovil ose pështymën kriminele dhe lënë në raftet e errëta.

Dosjet , në vetvete nuk janë prej letre, por prej ndjenje, një ndjenjë të zezë, të dhimbshme, që po nuk u hoq prej zemrës së kombit, ajo jeton, jeton shumë gjatë, paçka se jetëmarrësit zgërdheshen mbrapa xhaketave të tyre të zeza, e fërkojnë duart mbasi kanë zhytur dosjet në qilaret e errët, fare pranë zyrës time.
Kur fillova punë pra, para tridhjetë viteve salla e madhe ku ruhen arkivat, ishte treçerek e zënë me raftet e dosjeve. Atëherë, gruas time, tashmë të ndjerë(arsyen se përse dhe kush e vrau do t’jua them më vonë) i pata thënë: Zot, ndriçoja trurin popullit tonë, që të lahen hesapet gati pesëshekullore me krimet, dhe ajo hapësire të mos konfiskohej prej rafteve me dosjet e reja gjakmarrëse.

Dikush mund të më pyesë: zoti nëpunës, a nuk e teproni me moshën shekullore të dosjeve? Si qenka e mundur që një popull të mos ketë gjetur kurrë forcën për tia shkulur dhëmbët me darë jetëmarrësit?

Të dashur lexues të kësaj eseje. Popujt janë si fëmijët, kur fëmijëria e tyre rrëshqet në rrugën e krimit, zor se mund të kthehet në rrugën e mbarë. Populli im, për të mos e skicuar si një përbindësh, ka edhe shumë dhunti e talente. E megjithatë, populli im nuk ka arritur që drejtësinë ta shkërmoqë në copëza të vogla, si kripa përshembull. Drejtësia e popullit tim, është një mal që e ngrenë pak njerëz, si puna e herkulit le të themi. Popujt e tjerë, pak më të përparuar, drejtësinë e kanë copëtuar në gurë të vegjël, kështu që edhe një qytetar i thjeshtë, që nuk ka ndërtuar një trup muskuloz, mund ta ngrejë atë, dhe shpesh përdorë për të dëbuar qentë e egër ose gjarpërinjtë. Thënë në gjuhë të thjeshtë, drejtësia për këta popuj është shndërruar në një thesar publik. Krejt e kundërta ka ndodhur me popullin tim dhe shumë e shumë te tjerë, diku andej nga Siberia, Rusia, apo Afrika.

Dosjet, unë i shoh pak a shumë si një tufë me minj që kanë ndërmend të sulmojnë një magazinë me drith. Minjtë ashtu si kriminelët janë shumë të zgjuar. Minjtë dërgojnë anëtarin më plak. Nëse ai ha grurë dhe nuk ngordh atëherë vrundullon ushtria e re nga mbrapa. Nëse miu, ha grurë dhe ngordh atëherë ushtria kërkon magazinë tjetër. Po kështu edhe në atdheun tim. Vrasësit e periudhës së shpatave nuk dolën përpara drejtësisë. Fisi që e lindi herkulin, në të kundërt e hyjnizoi atë. Kjo ndodhi, edhe kur vendi im, u krijua për herë parë shtet. E njëjta histori u ripërsërit gjatë të ashtuquajturit “revolucionit demokratik” që në fakt pasoi me dhunë,. Kjo ndodhi më vonë, gjatë ardhjes së Mbretit të parë, i cili gjithashtu hipi në fron me forcën e pisqollës dhe krahut prej herkuli. Edhe pse u asgjesuan burrra shteti, trima, e intelektualë, vrasësve nuk i hyri as edhe një gjëmb në këmbë. Ardhja e një prej diktatorëve më të egër që njohu shekulli evropian, ishte një rrjedhojë mëse e natyrshme, fisiologjike. Sa më shumë të rritet mosha e dosjeve kriminele, aq më i fortë bëhet helmi i thikës ose maja e plumbit të Tiranëve.

Gjatë diktaturës dyzet e pesëvjeçare dosjet pra u shumëfishuan marramendasi, mbasi Diktatura iu përshtat natyrës kriminale të shekullit/kohës që lindi. Nëse përpara pesë shekujsh një njeri vritej pa gjyq e justifikime, tashmë, krimi duhej argumentuar me fakte e dëshmi, edhe pse të imponuara e shpifura. Kështu, pra, arshivi mori formën e një varreze anonime, ku në vend të gurëve të varrit, të vdekurit flinin ose rënkonin me kokat e dyfekuara mbi zarfat e gjëra të dosjeve.

Në fundin e shekullit të njëzet, pra, fill mbasi diktatura u rrëzua formalisht, ime shoqe, poete më tha se dosjet nuk do të mbyllen kurrë, por edhe nëse ndodh kjo, atëherë do të kenë lindur edhe katër breza të rinj dosjesh, kështu që i bie, që të rrahësh gjoksin krenar sepse vrave 10 gjarpërinj të ngordhur dhe mbylle sytë për njëqind gjarpërinj qafëtrashë që frekuentojnë në restorante, poshtë krevatëve dhe tavolinave tona të ngrënies.E mbërtheva gruan prej fyti.

-E urrej fantazinë tënde poetike.” – i ulëriva në vesh.Ajo më shtyu e egërsuar mbrapsh.
-“E di që të dhëmb shpirti për babanë e vrarë në kohën e diktaturës. Mos më keqkupto, por po të përdorësh ligjin më të thjeshtë të matematikës do të rezultosh, se: nëse do të ishin dënuar vrasësit në kohën e shpatave, nuk do të kishin lindur vrasësit e kohës së pistoletave dhe topave. Kemi të bëjmë me dosje pesëdhjetëbrezash. Inercia, pandjeshmëria e këtij populli është bërë rutinë, një normalitet primitiv, xhunglor. Mbaje mend! Ky gjëja e gjatë, ky gomari që nuk di të flasë as gjuhën zyrtare, do të tallet me dosjet. Mbaje mend- tha gruaja atëherë.

Parashikimi i saj doli mjaft profetik. Hapësira e sallës së arkivës u mbush në kohë rekord me dosje të reja. Më e keqja ishte, se këtë herë nuk bëhej fjalë vetëm për dosjet e Zeusëve, që e gjen me bollëk nën qiellin e atdheut tim, por edhe dosje të rangjeve të mesëm dhe të ulët. Dosjet e tokave të grabituara, nderit të përdhosur, pasurive të fqinjit. Erdhi puna deri aty, saqë dosjet e diktaturës u mbuluan me kollona të larta tre metra prej dosjeve postdiktatoriale. Sa herë që vinte ndonjë avokat dhe kërkonte të huazonte material prej tyre, porosi kjo e të afërmve të viktimave, më duhej të paktën gjysëm orë që të heq pirgun e madh me dosjet e reja.

Ndodhte që kur isha sëmurë i mirëbesoja avokatit dhe i thoja:“Dosjen e klientit tënd e gjen në kollanën e tretë, ndiq shkronjën B në fund fare.”Avokati në fillim u zgërdhi. Më talli me siguri dhe mund të ketë menduar: “hajde, rrumpallë që bëhet këtu, hajde”.

Epo, çtë bëja unë? Më kanë lënë krejt të vetëm. I kam kërkuar disa herë të më ofrojnë një ndihmës por shefi dembel dhe intrigant e ka mendjen vetëm të marrë zarfat me pará që i japin qarqet mafioze.

Dhe sikur të mos më mjaftonte ngarkesa e punës së përditshme, u zbulua se njëri prej avokatëve kishte vjedhur të paktën njëzet dosje, të lindura mbasi diktaturës i ra të fikët. E kishte bërë për të zhdukur gjurmët e klientit të tij të përlyer me gjak dhe djersë të huaj. Bëhej fjalë për grabitjen e qindra dynymëve me tokë te një pronari të madh.Gati sa nuk më pushuan nga puna. Ndërsa të afërmit e viktimave të dosjeve të grabitura, m’u përpara hundës time, më bënë atentat për të më vrarë. Unë e shpëtova për mrekulli lëkurën, ndërsa, gruas ia mbollën plumbin m’u në lule të ballit. U desh që të ndodhte kjo vrasje barbare që shefi im të merrte një nëpunës të ri.Kam qarë si fëmi për vrasjen e saj super-mafioze. Dy djemtë, që i kam si sytë e ballit m’u lutën që të largohem nga ajo punë.
-Mamanë e humbëm. Tani, se mos na ikën ti prej duarsh- më thanë pa frymë.
-Nëse e lë këtë punë, atëherë mundësia për të gjetur vrasësin e saj, është shumë më e vogël- justifikova vendimin tim për të mos e braktisur punën.
Djemtë, bënin kryqin, sa herë që dilja nga pragu i derës,. herët çdo mëngjes.

Më vonë u pendova pa masë që nuk ika prej asaj pune. Kjo, për vetë faktin, se jo vetëm që krimineli i gruas time, NUK u zbulua, por edhe sasia e dosjeve u shtua si kërminjtë mbas shiut. Ato arritën tavanin. Më e shëmtuara ishte kjo: Se pjesa më e madhe e dosjeve të diktaturës ose u zhdukën me porosi(kjo ndodhte herë përpara hundës time, here ,kur shkoja me pushime, ose mbas orës pesë të pasdites).
Edhe artistët apo shkrimtari me famë, i cili kakaris si gjel, për mbylljen e tyre, i tumiri punët, duke asgjesuar çdo lloj dëshmie, sado të vogël, që e implikonte atë për spiunim herë të tërthortë, here te drejtpërdrejtë ndaj kolegëve ose shqiptarëve që dilnin kundra rregjimit.
Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, para pak javësh, po shtohen zërat që të marrim lamtumirë nga e kaluara e errët. Në pamje të jashtme duket lajm i mirë, por në fakt atij i vjen era teatër mafioz, pak a shumë si teatri i “kafeve të vejushës së diktatorit”. Përse? Sepse një pjesë e atyre që e kërkojnë tashmë këte akt humanist, siç e thashë, kanë fshirë të gjitha gjurmët e fajësisë. Pjesa tjetër, bën pjesë tek dosjet postdiktatoriale, por ato, as që flitet të mbyllen.

Më vjen të pëlcas, qaj, ulërij ditë e natë, sepse siç e thashë më lart kalaja e drejtësisë është marrë nga mbrapa për dy arsye:1) dosjet e krokodilëve u zhdukën. 2) meqenëse hekuri nuk u rrah kur ishte i nxehtë duke dënuar pra thikat gjakatare fill mbas rrëzimit të diktaturës, lindën të paktën tre breza të rinj kriminelësh, të cilët sot janë shndërruar në mafiozë të tmerrshëm. Kanë përfituar vila, para me thasë, pasuri të patundshme. Janë, pra, këta kriminelë me pozita të larta në pushtet, që nga njëra anë nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me diktaturën, por që në fakt, janë po aq mizorë, ose ndoshta më mizorë se sa ish kasapët e diktaturës, të cilët, siç e thashë më lart, u përkujdesën me mjeshtëri të zhdukin çdo lloj gjurmë inkriminuese. Sa herë që u ngec qerrja në baltën e tyre kriminele, ata përrallisin gjënjeshtrat e reja. Kohët e fundit thonë, se shpëtimi qëndron tek bashkimi me Kosovën, por unë them JO. Krimineli kriminel mbetet, si i bashkuar, si jo!

Por edhe sikur të gjenden gjurmë të tilla, ata nuk e vënë ujin në zjarr, sepse fëmijtë e tyre nuk i tremben ligjit të LUSTRACIONIT, mbasi janë të mirësiguruar me pasuri të patundshme. Prania e tyre edhe pse jasht pushtetit, do të shërbejë si një kolere morale në shoqërinë tonë.Ime shoqe, poete, e tha dikur aq bukur: dosjet më të rrezikshme, nuk janë ato prej letre, por dosjet e moralit të kriminalizuar. Mosdënimi pesëqindvjeçar i vrasësve, ndikoi edhe te tre brezat e fundit, të cilët i kanë duart e përlyera me gjakun e rivalëve, deri në fyt. Kjo nuk do të kishte ndodhur, nëse të paktën krimet e diktaturës do të ishin dënuar fill mbas rrëzimit të saj.

-Ah, Mimoza, ah Mimoza! Më kujtohen vargjet e tuaja tragjike dhe realiste kur thoje: “macet tona krenohen me gjarpërinjtë e ngordhur”-
Kafshoj këmishën, grushtoj perden e larë nga dielli naiv, teksa shoh se ku jam rrethuar! Kohët e fundit dosjet e reja po i hedhin në zyrën time ngaqë salla e arkivit është plot e për plot. Dera e zyrës mezi hapet kur më duhet të shkoj në banjë. Dosjet shtohen dita-ditës e megjithatë nuk e di më se ku ndodhet dosja e gruas dhe e babait, mbasi mbi të janë rradhitur një kolonë e madhe me dosje të reja, të cilat kurrë nuk kanë për t’u mbyllur, por edhe nëse ndodh kjo, deri atëherë do të kenë mbirë mijëra të tjera.Deri atëherë, ato ose mund të jenë grabitur, ose mund të jënë shqyer faqet e tyre të zeza. Gjykatësi do të thotë me siguri: mungesë materiali dhe faktesh…

Ndërsa kriminelët do të zgërdhihen nga veturat e tyre luksoze të zeza.
Kështu qëndrojnë gjërat në atdheun tim.Nuk besoj të më quani pesimist mbas gjithë kësaj historie që ju tregova? Do të më thoni: po ti çfarë bëre për ta zmprapsur të keqen? Edhe unë, jam pjesë e mullirit tonë që bluan papushim ujërat e lumenjve të përgjakur. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur kam bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh teksa filan avokat zhdukte një dosje të tërë, ose griste asaj faqet me kompromentuese. Mbas ekzekutimit të time shoqeje, nuk e bëra më këtë, por atëherë ishte vonë… Për mua të paktën.. Për djemtë e mi nuk e di. Nvaret! Nvaret nëse e lexojnë vargun e famshëm të poetit! Jo vetëm kaq! Nvaret nëse e lexojnë NË KOHË vargun e famshëm poetik:
Një popull nuk ka shpirt,
nëse NUK rënkon AUUUUU,
kur gjarpëri kafshon fqinjin e tij!!!!

Prandaj edhe them cdo ditë: bashkimi me Kosovën, ne nuk na shpëton, nëse ne nuk bashkohemi ndaj gjarpërinjve, aq më keq, që gjarpërinjtë jam herë unë, dhe herë fqinji im. E kafshojmë njeri-tjetrin me radhë, por kurrë s’rënkojmë au, ndërkohë që popujt e bashkuar, rënkojnë te gjithe në kor: AUUUUUUUUUUU!!!!
Rezart Palluqi
Amsterdam,

Më Shumë

Kush është 29-vjeçarja shqiptare që përplasi për vdekje vëlla e motër në Kroaci!

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Koraci dy ditë më parë, ku si pasojë e një aksidenti humbën jetën vëlla e motër, 21...

Përkujtohet dëshmori Ismajl Kryeziu

Të enjten është përkujtuar në 25 vjetorin e rënies heroike, dëshmori Ismajl Kryeziu. Në 25 vjetorin e rënies heroike të dëshmorit Ismajl Kryeziu, është përkujtuar...

Lajmet e Fundit