4.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

E sikletshme dhe e turpshme

Nga Astrit Gashi

Një zyrtar i lartë i shtetit – shefi i Njësitit të Inteligjencës Financiare – më thirri në telefon dhe më kërkoi ta largoja një shkrim/dokument të publikuar në Gazetën Blic duke më kërcënuar: “Ke me e pa çka ka me të ndodhë për atë publikim”.

Një kërcenim që sot po merr bazë institucionale!

Atë ditë, Portali Gazetablic.com, ku unë jam njëri nga themeluesit, e publikoi dokumentin që paraqiste pjesë të qarkullimit bankar të kandidatit për kryeprokuror të Kosovës, Aleksandër Lumezi.

Shkrimin e lexova sërish, me kujdes. Ishte bërë me një gjakftohtësi të pazakonshme për mediat tona të ditëve të sotme – pa asnjë akuzë. Gazeta Blic kishe pritur gati një muaj të merrte përgjigje nga Lumezi për këtë çështje, por ai do të bëhej i shurdhër ndaj thirrjeve dhe SMS-ve nga redaksia.

Profili im profesional nuk ma toleron kërcënimin dhe presionin. E refuzon me automatizëm. Ishte ajo çka aspirojmë, ajo çka lexojmë dhe ata shembujt më të mirë të profesionit nga bota me të cilat punojmë, e që na janë ngulitur si për sherr në ADN – arsyet që sollën përçmimin ndaj tentimit për ta ndalur të drejtën e publikimit përmes frikësimit.

Sikur një rrufe, në ato çaste m’u kujtua një shkrim i gjatë i kolumnistit të New York Times, David Brooks, rreth publikimit të dokumenteve që administrata amerikane, të cilat bota i konsideronte të rrezikshme për sigurinë e përgjithshme botërore, por edhe të individëve të veçantë.

Thash me vete: “Paramendoje çfarë gjërash të mëdha e me ndikimin publikojnë mediat në botë dhe nuk kërcënohen, e as nuk shantazhohen, kurse ne kërcënohemi të mos publikojmë imtësira”.

Këtë shkrim e rilexova sërish dje, pasi policia e mori në pyetje Kryeredaktorin e Gazetablic.com, Adrian Çollakun, dhe më ftoi edhe mua që të paraqitem në polici (as vet nuk e di pse dhe në cilin ligj janë thirrur për këtë punë).

Brooks në rrëfimin e tij të gjatë tregonte se si ai dhe botuesi i gazetës New York Times ishin ftuar nga Presidenti George W. Bush për një takim në Zyrën Ovale, vetëm disa vite pas sulmeve terroriste. Bush dhe shefi i NSA (Agjencisë Kombëtare të Sigurisë) u kërkuan atyre të mos publikojnë dokumente që konsideroheshin “Top Secret”, dhe i qortuan me fjalët: “Nëse do të ndodhë edhe një sulm terrorist, duart e juaja do të lyhen me gjak”.

Pjesa më e bukur e rrëfimit ishte kur Brooks dhe botuesi dolën nga takimi, e shikuan njëri-tjetrin në sy. Botuesi tha: “Nuk më bindën aspak argumentet e tij”. Brooks pohoi me kokë. Shkrimi u publikua.

Pas shkrimit do të kishte akuza, madje edhe kërkesa publike, për arrestimin e tyre dhe për mbylljen e gazetës. Por, nuk kishe pasur madje as edhe një veprim të vetëm nga administrata e shtetit, as nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare, as nga institucionet e ligjit.

Disa vite më vonë, New York Times, The Guardian, Der Spiegel e shumë media të tjera do të publikonin materiale “Top Secret” të Ushtrisë Amerikane, të nxjerra nga Wikileaks dhe Edward Snowden. Dokumente në të cilat qasje kishin vetëm Presidenti i shtetit, Shefi i ushtrisë dhe ai i Sigurimit shtetëror.

Brooks e analizon edhe këtë temë në shkrimin e tij. Në këtë rast, Shtëpia e Bardhë do t’i ftonte sërish shefat e New York Times, por kësaj radhe jo për të kërkuar që të mos i botojnë shkrimet, por për t’i lutur që jenë të kujdesshëm që të mos dalin emrat e ushtarëve që janë në vijë të frontit, sepse u rrezikohej jeta. Gazeta do të bënte ashtu, por dokumentet do t’i publikonte. Administrata e Obamas nuk do të kërcënonte, edhe përkundër faktit se publikimi i tyre rrezikonte luftën botërore kundër terrorizmit. Ata e dinin se e drejta e publikut për të ditur dhe për t’i mbajtur të përgjegjshëm pushtetet ishte mbi të gjitha – fundamenti i një shteti demokratik dhe ligjor.

Pa iu bërë presion gazetarëve, por përmes një hetimi të brendshëm, Administrata Amerikane zbuloi se Snowden ishte njeriu që nxori dokumentet. Ai ndiqet nga shteti për zbulim të sekretit shtetëror, por mediat që publikuan ato zbulime edhe zyrtarisht u falënderuan nga shteti amerikan.

Përderisa mund të jetë e drejtë e institucionit që t’i gjejë dhe t’i ndjekë ata që ka brenda për zbulim informatash, me Kodin Penal në Kosovë gazetarët nuk lejohen t’i tregojnë burimet, andaj ato duhet kërkuar diku tjetër. Por, jo tek gazetarët!

Sado që nuk është rast i njëjtë, sepse nuk kishte thyerje të privatësisë, m’u kujtua gjithashtu edhe rezoluta e adoptuar nga Këshilli i Evropës që theksonte se rregullat e njëjta të privatësisë që vlejnë për personat privatë nuk vlejnë për zyrtarët publikë. Mediat nuk mund të akuzohen për ndonjë thyerje të këtyre rregullave.

Më vjen siklet dhe pak turp t’i përshkruaj këto raste si shpjegim pasi Gazetablic.com gjatë tërë kohës ishte edhe etike, edhe e moralshme, edhe brenda ligjit.

E sikletshme dhe e turpshme, sepse pesha e publikimeve është krejt tjetër në krahasim me zbulimet e mediave të fuqishme botërore. Ato sfiduan botën dhe luftën kundër terrorizmit – mund ta rrezikonin edhe sigurinë e qytetarëve. Ndërsa këtu Gazetablic.com dhe stafi i saj futen nën presion dhe intimidohen për një çështje krejtësisht të vogël në kontekstin global, por të rëndësishme për publikun në aspektin lokal. Dokumente të cilat edhe vet Lumezi – siç kishte thënë për një media tjetër – i kishte paraqitur disa herë edhe personalisht.

Është e drejtë e publikut për të ditur se çfarë pasurie ka Kryeprokurori, prandaj mediat do të duhej të përgëzoheshin e jo të vendoseshin nën presion e shantazhe nga prokuroria dhe policia.

Kjo me bën të ndihem keq. Ndonëse ndaj akuzave dhe presioneve na mbron puna jonë dhe fakti se jemi në anën e drejtësisë, etikës profesionale dhe ligjit. Këtë duhet ta dinë të gjithë, përfshirë edhe Kryeprokurorin, që do të duhej të na përkrahte!

Nga Amerika e kam marrë edhe një mësim, gjatë vitit 2004, kur isha pjesë e Programit të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve për Gazetari Hulumtuese dhe Antikorrupsion. Në redaksinë e Chicago Tribune i pyetëm kolegët si ia bëjn me kërcënimet ndaj gazetarëve dhe si mbrohen. “Para 10 vitesh një gazetar ishte kërcënuar. Secila redaksi e dërgoi nga një gazetar hulumtues në terren dhe e zbuluam kërcënuesin. Më nuk kemi pasur raste të tilla”.

Po e përmbylli këtë shkrim me një citat të David Brooks: “Tensionet ndërmjet obligimit të mediave për të informuar dhe të tentimit të qeverive për të mos lejuar publikimet, nuk janë të reja e as të panjohura”.

Në këso betejash, ashtu sikur bëri New York Times dhe mediat tjera, fiton e drejta e publikut për të ditur, e drejta e medias për të folur dhe obligimi që kanë ato për të raportuar.

Qeveritë demokratike ose heshtin, ose i përgëzojnë mediat…

Të tjerat – si ajo e Putinit apo Kim Young Unit – i nxisin duke heshtur!

Më Shumë

Totaj: Amerikanët janë lodhur me Albin Kurtin

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, deklaroi se amerikanët janë lodhur nga qasja e Qeverisë Kurti dhe se durimi i tyre po përfundon. “Duhet...

Mjekët shpjegojnë se çfarë ka ndodhur me Evan Ndicka

Deklarata e Roma-s ka bërë të qartë se Evan Ndicka nuk kishte ndonjë patologji kardiake, ndaj dhimbjet e gjoksit dhe vështirësitë në frymëmarrje i...

Lajmet e Fundit