11.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Edi Rama forever

Nga Edison Ypi

Nuk është e vështirë me e mbajtë Edi Ramën kryeministër përgjithmonë. Me qëndrimet e tyre gjoja vigjilente korrektuese prej profesorësh të gjithditshëm me ta heq mallin e kurvit dhe proletariatit, për ballsamosjen e Edi Ramës kryeministër po japin ndihmesën e tyre të pakursyer disa zotërinj demokratë. T’ua lehtësojmë barrën e mundimshme këtyre zotërinjve përmes disa këshillave me vlerë. Zotërinjtë në fjalë mund ta arrijnë ta mbajnë Edi Ramën përgjithmonë kryeministër, për shembull, duke shajt Doktorin. Doktori ka zënë vend tashmë në Panteonin e Historisë si gjeniu i politikës, centrali atomik i energjisë, titani i pasionit, skllavi i punës, kampioni i atdhedashurisë, si Ai që pati aftësinë, zotësinë dhe talentin ta nxjerri Shqipërinë nga pusi i diktaturës në dritën e Lirisë. Por për ty demokrat që llap lart e poshtë këto s’kanë rëndësi. Për ty rëndësi ka tu biesh në sy nja katër a pesë miqve në fejsbuk, si pionier, si pararendës, si zgalem, si i squt, si i shkathët. Duke sharë Doktorin brenda fejsbukut dhe kafenesë, këtë e arrin. Ama kryeministër i Shqipërisë mbetet përgjithmonë Edi Rama.

Për me e mbajt Edi Ramën në krye të punëve gjatë gjithë jetës sa ymër t’i ketë dhënë Allahu, vërsulju dhe Lul Bashës. Edhe atij kusur mos i ler. Është e padenjë, e turpshme, e neveritshme për një demokrat ta shajë kryetarin e vet në atë mënyrë të ulët që as komunistat më të qelbët nuk e bëjnë. Por meqënëse për ta bërë veten sadopak të njohur dhe Edi Ramën përgjithmonë kryeministër, mund ta arrish jo duke sharë njerëz dosido por njerëz me rëndësi, s’ke pse ngurron të shash Lul Bashës. Në fund të fundit, si ka thënë latini; Njeriu për njeriun është demokrat. Apo e thashë gabim ?

Që Edi Rama të mos bëhet hiç merak se mund të ndodhi që dikush tjetër t’ja zerë vendin në krye të Shqipërisë para trokitjes së fundit të zemrës, hidh sa më tepër baltë edhe mbi Ismail Kadarenë. Kadareja lexohet nga miliona lexues nga poli i veriut në të jugut. Ti demokrati i lajthitur mezi merr nja 10 lajka në fejsbuk. Kadareja ka shkrujt kryevepra të pavdekshme që janë përkthyer në dhjetra gjuhë. Ti demokrati delirant merr e jep me të ngjajshmit lëtyra letrare që s’i ha as derri. Distanca mes gjeniut dhe ty miut të letrave është astronomike. Shfrytëzoje avantazhin që të jep distanca kolosale. Sharja, sidomos drejtuar Kadaresë, të afron, të zmadhon 200 %. Nga gjysëm kokrrize rëre të bën 1 kokrrizë të plotë. Mund të ndodhi që ndonjëri nga miliona lexuesit e Kadaresë të thotë për ty demokratin zgjebarak; ç’është ky dythundrak ? Le të thotë. Qëllimi yt nuk është të ruhesh nga përdhosja. Qëllimi yt është të mbash Edi Ramën gjithë jetën kryeministër. Veç kij kujdes një gjë. Doktorin, Lul Bashën, Kadarenë, mos i shaj në stil dosido. Stilin e të shames merrua borxh, po s’ta dhanë vidhua, aleatëve me përvojë në fushën e trillimit, intrigës, spiunimit, zërit të popullit dhe sigurimit të shtetit. Vetëm duke u mbështetur tek përvoja e vyer e gazetave sigurimiste, kurviste, mund të kesh sigurinë e nevojshme se nami yt prej krimbi, fama jote prej zvarraniku, qurret e tua prej kërrmilli, nuk do jenë më të vogla se 1 kokrrizë rëre në shkretëtirën ku ti me laptop dhe mouse në dorë bubrron. Ka kaluar shumë kohë. Mos kij frikë se ka për ta kuptuar kush në cilën përvojë të pasur kriminale je mbështetur. Nuk do nuhasin gjë as të vetmit me të cilët llafosesh, jargavitësit e kafenesë që të mbajnë ison.

Për ta mbajtur Edi Ramën përgjithmonë kryeministër, mund të përdorësh një mënyrë edhe më të thjeshtë. Çfaqu gjithandej fytyrëvrerosur. Tregohu i pakënaqur dhe mosbesues ndaj të gjithëve dhe gjithçkaje. Fry e çfry posht e përpjetë. Për Shqipërinë që s’bëhet, shqiptarët që s’janë njerëz, kosovarët e trashë, lebërit hajdutë, malokët e pabesë, gjirokastritët komunista, tironcit dembela, shkodranët superficiala. Thuaju të gjithëve se këtu nuk ja vlen të jetohet, punë s’ka, korrupsioni bën kërrdinë, morali përtokë. Me këto do t’i bindësh të gjithë se nuk je më tepër se një copë muti. Ama ndërkohë ke arritur një synim madhor, ke siguruar në jetë të jetëve Edi Ramën kryeministër.

Ti që bën të tilla, je kurrkushi, nuk të njeh as dreqi, nuk ke asnjë zotësi, asnjë talent. Aq më mirë që je i tillë. Vetëm duke e pasur ambicjen më të madhe se mundësitë mund të evitosh pengesat që shkaktojnë mungesa e skrupujve, zbatimi i normave të moralit, vetdija e përgjegjësisë. Sa më të ulët ta ndjesh veten, aq më lart, syno. Pretendo, për shembull, se jo ata që janë në krye dhe kanë shkollimet përkatëse, por ti miu ke nuhatjen dhe vizionin për të parashikuar rreziqe që po kanosin Kombin. Dhe nis e vepro. Shpreh idera për qartësime konceptesh, jep orientime për qeverira, koalicione, nisma ligjore, e të tjera e të tjera prej të cilave s’ke asnjë haber. S’ke haber por ke sukses për ta betonuar Edi Ramën kryeministër.

Pasi t’i kesh zbatuar këto këshilla dhe të jesh siguruar se si Edi Rama s’ka të dytë, se Edi Rama ësht i vetmi që e meriton të jetë përgjithmonë kryeministër, në një moment reflektimi do arrish në një përfundim të madh, në një derdhje cerebrale, në një konkluzion që do të lërë pa frymë; Kush e merr pushtetin në Shqipëri, do thuash me vete, nuk varet nga zgjedhësit e majtë që si sasi dhe cilësi janë gjithmonë të njëjtët, por nga tekat e budallenjve të djathtë, njëri prej të cilëve je vetë. Nga momenti i këtij ndriçimi skizofrenik që do të duket qiellor, ke dy mundësi; Edi Rama kurrë kryeministër. Edi Rama gjiithmonë kryeministër. Të ndjekësh rrugën e parë, atë të Edi Ramës kurrë kryeministër, i bie të mos shfrytëzosh asnjë nga shanset e florinjta që të falin sharjet e papërgjegjshme, pra kokrrizë rëre e plotë të mos bëhesh kurrë, çka nuk e meriton. Mbetet e dyta. Ti demokrati budalla, duke u shquar në kafene dhe në fejsbuk për përgojim të krerëve, të mundësosh Edi Ramën kryeministër forever.

Më Shumë

Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku lirohen nga akuzat për krime lufte

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka liruar Sylejman Selimin, ish-komandantin e UÇK-së nga akuza për veprën “krime lufte”. Ky vendim, është marrë gjatë seancës së...

KPF-ja e rekomandon Kuvendin e Prizrenit që të bëjë bartjen e mjeteve për vitin 2024

Në mbledhjen e sotme të Komitetit për Politikë dhe Financa në Komunën e Prizrenit, u shqyrtua dhe diskutua pika e rendit të ditës lidhur...

Lajmet e Fundit