16.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Eksploatimi i rërës “vret” lumenjtë e Kosovës

NaimCahani-kdiNaim CAHANAJ

Lajmi i vitit për dashamirët e mjedisit: “Dita e tretë e muajit janar 2012 është data e fundit kur duhet të largohen makineritë e shfrytëzuesve ilegalë të rërës dhe zhavorrit nga lumenjtë e Kosovës”. Kështu tha më 2 nëntor ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, në konferencë me gazetarë.

Vendimi u miratua po më 2 nëntor të vitit 2011 nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Mirëpo pasoi një vendim i Gjykatës Supreme të Kosovës, sipas të cilit pezullohej vendimi qeveritar dhe çështja mbeti zvarrë… Në anën tjetër ekologët paralajmërojnë se eksploatimi pa kritere i rërës nga shtretërit e lumenjve kosovarë në tërë periudhën e pasluftës ka shkaktuar masakrim, pra “mbytje” të ambientit…

Eksploatimi i egër i rërës nga shtretërit e lumenjve ndikon drejtpërdrejt në degradimin e rrjedhës së sipërme dhe në drejtim të rrymës duke shkaktuar ndryshim të dhunshëm të rrjedhës së lumit, pra duke degraduar tërë sistemin e lumenjve, shkakton erozion dhe përmbytje të tokave bujqësore dhe qendrave të banuara, pra rrezikon edhe jetë njerëzish; Ndikon në shkatërrimin e bimëve të kultivuara përgjatë shtretërve të lumenjve apo luginave, pra botës bimore e shtazore që jetojnë në lumenj.

Agjensia WRR (Water Resorces Research) në një artikull të botuar nga V. J. Galay, më 9 qershor 2010 vlerësonte se degradimi i shtratit të lumejve mund të vazhdojë në drejtim të rrymës si dhe në rrjedhën e sipërme varësisht nga shkaku i degradimit.
Pra pasojat e degradimit nuk ndihen vetëm në vendin ku eksploatohet rëra porse shumë kilometra më larg përgjatë rrjedhës së lumenjve.

Shkaqet e degradimit që shkojnë në drejtim të rrymës, janë të lidhura kryesisht me ndryshimet në variablat e pavarura të kanalit të lumit, të tilla si rritja e shkarkimet e ujit, uljes së madhësisë së materialit të shtratit dhe ulje e sasisë së shkarkimit të materialit të shtratit të lumit..

Këto shkaqe degraduese janë të lidhura të gjitha me një rritje të imponuar në shpatin e lumit që mund të ndodhin si rezultat i natyrës por edhe të ndryshimeve që bën faktori njeri. Degradimi nga faktori njeri, dmth. marrja e zhavorit (materialit të shtratit lumor) mund të inicojë degradimin në rrjedhën e sipërme duke përparuar përgjatë tërë rrjedhës së lumit, duke e shkurtuar atë ose duke i ndërruar drejtimin e natyrshëm dhe kështu vjen tek degradimi i tërë një sistem lumenjsh.

Në raportin e parë të pasluftës për gjendjen e mjedisit 2006-2007, publikuar më 2008 nga Ministria e Ambientit (Mahyr Jagcilar) thuhej se nga aktivitetet antropogjenë shtretërit dhe brigjet e lumenjve ne Kosovë i janë nënshtruar eksploatimit te pakontrolluar te rërës, e cila ka shkaktua degradimin e këtyre sipërfaqeve. Shkallë më të lartë të degradimi nga eksploatimi i rërës kanë “Drini i Bardhë” dhe “Lumëbardhi i Pejës”.

Sipas këtij raporti thuhej se gjendja është përmirësuar pas nxjerrjes se Vendimit me të cilin ndërpriten këto aktivitete në distancë 50 metra nga shtrati i lumit.

Mirëpo, të dhënat flasin se degradimi më i madh i shtretërve të lumenjve në Kosovë ka ndodhur pikërisht në këto vite 2008 – 2012.
Kjo periudhë e eksploatimit barbar, të kundërligjshëm të shtretërve të lumenjve shkon edhe më thellë në kohë, që nga paslufta e këtej.
Tek më 2 nëntor të vitin 2011 Qeveria e Kosovës, me kërkesën e Ministrisë së Mjedisit dhe Palnifikimit Hapësinor (MMPH) kishte marrë një vendim për ndalimin e eksploatimit të kundërligjshëm të rërës nga shtretërit e lumenjve kosovarë. Pra, deri më 2012 ndonëse ishin bërë kallzime penale ndaj degraduesëve, edhe pse askush nuk ishte amnistuar – askush nuk ishte ndëshkuar, e kjo sipas zyrtarëve të MMPH-së është rezultat i të bërit sehir të gjykatave, që nuk kishin ndërmarrë asnjë hap në ndjekjen dhe ndëshkimin e eksploatuesëve të kundërligjshëm të zhavorit.

“Paditë janë proceduar për gjykatë ndaj këtyre operatoreve, kurse këtyre padive u kanë paraprirë edhe vendimet nga MMPH-ja ndaj këtyre operatorëve. Askush nuk është amnistuar dhe në mungesë të reagimit nga gjykatat ka ardhur deri te inicimi i tillë që MMPH-ja të kërkojë nga Qeveria të nxjerrë një vendim të tillë”, pati thënë Gazmend Avdiu, këshilltar për media në MMPH.

Vendimi i Qeverisë kosovare u kishte dhënë afat operatorëve që merren me eksploatimin e rërës që deri më 3 janar të vitit 2012 të largojnë makineritë e tyre të vendosura përgjatë lumenjve. Madje kjo ministri ishte kërcënuar se nëse do të shpërfillej ky afat, do të kërkohet edhe ndihma e trupave të KFOR-it për të konfiskuar makinerinë e operatorëve ekonomikë, që kanë shkatërruar lumenjtë e Kosovës, tash e dymbëdhjetë vjet. Me atë vendim qeveritar parashihej që përveç konfiskimit të makinerive do të ndëshkoheshin edhe me një gjobë që mund të shkonte deri në 100 mijë euro.

Ministria e Mjedisit kishte një listë prej 103 kompani eksploatuese që operonin në ata pak lumenj që i ka Kosova, e nga të cilat vetëm 1/3 ka qenë të licensuara. Fatkeqësisht edhe kompanitë e licencuara kanë rezultuar të jenë brutalisht jashtë kushteve të licencave që posedojnë dhe si pasojë Ministria e Mjedisit ka i ka marrë 32 vendime për ndalimin e aktiviteteve, do të thotë, të eksploatimit dhe 28 padi kundërvajtëse ndaj kompanive që kanë pasur licencë për këtë punë, por që nuk iu kanë përmbajtur kritereve mjedisore.

Licencat e tyre do të jenë të pavlefshme për një periudhë kohore prej 1 deri në 3 vjet, për t’i dhënë një mundësi natyrore rehabilitimit të shtretërve të lumenjve. Natyrisht që në degradimin e dhunshëm të lumenjve kanë operuar edhe shumë kompani të palicensuara, sepse askush nuk i ka kontrolluar. Marrjes së vendimit qeveritar për ndalimin e eksploatuesve të rërës nëpër lumenj i ka paraprirë kërkesa e Ministrisë së Mjedisit, duke u bazuar në një raport inspektimi të kryer në tetor të vitit 2011.

Raporti i këtij inspektimi ishte alarmant: Segmente të tëra të lumenjve në Kosovë janë sjellë deri tek kolapsi ekologjik si pasojë e eksploatimit të pamëshirshëm.

“Për pasojë eksploatimi ka shkaktuar përmbytjet e shpeshtuara, shkatërrimin dhe në fund humbjen e tokave bujqësore, si dhe degjenerimin e rrjedhës natyrale të ujërave. Nga shkatërrimet e pakontrolluara ka ardhur deri te humbja e jetës dhe pasurisë së qytetarëve tanë”, pati thënë ministri Dardan Gashi.

Më 16 janar 2012, kolegji prej tre gjyqtarësh i Gjykatës Supreme të Kosovës vendos të shtyjë ekzekutimin e vendimit të qeverisë pas pranimit të kërkesës së shoqatës “Zhavorri”, përfaqësuese e kompanive që nxjerrin rërë – për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës nr 02/46. Aktvendimi i Gjykatës Supreme të Kosovës, i cili thirret në emër të mbrojtjes së interesit publik, është befasues kur konsiderohet se vendimi i Qeverisë është marrë me qëllim të ndalimit të degradimit të mëtejmë të shtretërve të lumenjve, tokave bujqësore, dhe mbrojtjes së biodiverzitetit të tyre.

MMPH dhe KPMM konkludojnë se pavarësisht këtij aktvendimi të Gjykatës Supreme, i cili e pezullon përkohësisht zbatueshmerinë e vendimit të Qeverisë, ligjet e tjera, të cilat i rregullojnë sferat përkatëse dhe konform kompetencave ligjore, janë të vendosura që edhe më tutje të vazhdojnë aktivitetin e vet, në mbrojtje të lumenjve dhe hapësirave rreth tyre.

Të gjitha kompanive eksploatuese të rërës dhe zhavorrit nga lumenjtë dhe hapësirat përreth tyre u janë pezulluar licencat e eksploatimit nga ana e KPMM-së, si pasojë e moszbatimit të kushteve të lejeve në vazhdimësi nga ana e këtyre operatorëve. Pavarësisht vendimit i cili është i pezulluar, ata nuk kanë të drejtë që të vazhdojnë aktivitetin e tyre.

Në ndërkohë, 22 OJQ për mbrojtjen e mjedisit reaguan ndaj vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës.

“Ne mendojmë se situata aktuale është alarmante dhe se duhet vepruar tash dhe menjëherë. Zgjidhjet duhet kërkuar në rend të parë nga institucionet, si në nivel qendror (ministritë) ashtu edhe në atë lokal (komuna). (…) U bëmë optimist, kur pamë se institucionet kanë filluar të ndërrmarrin masa konkrete ndaj disa prej abuzuesve të mëdhenj të mjedisit -më konkretisht eksploatuesve të rërës në lumenj të Kosovës.

Por, u zhgënjyem pa masë kur e kuptuam se kjo ndërmarrje, e para në drejtim të ndaljes së një degradimi aq të dukshëm dhe të dëmshëm që reflektoi edhe deri në humbje jetësh njerëzore është kundërshtuar nga Gjykata Supreme e Kosovës, dhe është kthyer pas realizimi i saj” – thuhej në deklaratën e shoqërisë civile..

Pas ankesës së Qeverisë së Kosovës, Gjykata Supreme dhe me avokimin e shoqërisë civile kosovare dhe të Këshillit të Europës, kjo gjykatë e revokon vendimin për pezullim, kështu që, për këtë problematikë mbeti në fuqi vendimi qeveritar që është njëherësh një dritë në fund të tunelit – apo një shpresë se lumenjtë kosovarë do ta mbijetojnë vdekjen!

MMPH në qershor të vitit 2013 ka ushtruar edhe një kallëzim penal kundër NTP “Vëllezërit Morina”, eksploatues të rërës dhe zhavorit nga fshati Xërxë të Komunës së Rahovecit. Gjatë inspektimeve rutinore nga inspektorët e MMPH është konkluduar se operatori nuk ka zbatuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e aktiviteteve që kanë të bëjnë me eksploatimin, seperimin e rërës dhe zhavorit në lumenjtë dhe hapësirat përreth lumenjëve në gjithë territorin e Kosovës.

“Gjatë vizitës inspektuese, ku të pranishëm ishin edhe inspektorët nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, është kuptuar se operatori nuk posedonte licencën e punës nga KPMM. Për më tepër, kishte refuzuar të japë informacion se nga ku është duke e marrë rërën të cilën më pas e përpunonte në seperatorin e tij”, thuhej në njoftimin e MMPH-së. Megjithatë hapat e tillë janë shumë të vegjël karshi katastrofës mjedisore që po e shkaktojnë personat dhe kompanitë e papërgjegjshme.

Vrasja e një njeriu është krim ndaj humanitetit – vrasja e një lumi është krim ndaj natyrës!

(Autori është menaxher i projektit në Institutin Demokratik të Kosovës, KDI.)

Më Shumë

Milani nis sulmin final për Zirkzee

Skuadra e Serie A, Milan-i tani po bën presion për të nënshkruar me Joshua Zirkzee nga Bologna dhe po shton përpjekjet e tyre për...

Totaj: Amerikanët janë lodhur me Albin Kurtin

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, deklaroi se amerikanët janë lodhur nga qasja e Qeverisë Kurti dhe se durimi i tyre po përfundon. “Duhet...

Lajmet e Fundit