15.8 C
Prizren
E martë, 16 Prill, 2024

Enver Hoxha i Kosovës

MehmetKrajaShkruan: Mehmet Kraja

Këtë herë gjeografia e fushëpamjes për liderin komunist ka rrokur Kosovën. Akademiku i njohur kosovar, rrëfen mënyrën e perceptimit të Enver Hoxhës nga kosovarët, para dhe pas shkëputjes prej autoritetit serb…
Enver Hoxha i Kosovës nuk është i njëjtë me Enver Hoxhën e Shqipërisë, as në bëmat e tij, as në përfytyrimin e njerëzve. Janë dy pamje që nuk i shëmbëllejnë njëra-tjetrës. Në vendin e tij, pra në Shqipëri, Enver Hoxha vriste dhe burgoste, mbante popullin e vet të izoluar dhe në mjerim, kufizonte liritë dhe të drejtat, ushtronte dhunë politike dhe ideologjike. Në raport me Kosovën, ai kishte pamje tjetër, dukej i butë dhe i këndshëm, vishej mirë, mbante cilindër, kostum gri dhe pallto kashmiri, qeshte me dhëmbin e floririt dhe, në përgjithësi, dukej i pëlqyeshëm për një lider dhe kryetar shteti. Përveç pamjes së sofistikuar, në drejtim të Kosovës, përmes Radio-Tiranës, përmes Televizionit Shqiptar, fjalimeve, komenteve, librave për marksizëm-leninizmin, letërsisë dhe muzikës, përçonte dy mesazhe kryesore, të akceptueshëm lehtë nga kosovarët: i pari ishte një qëndrim të ashpër ndaj Jugosllavisë, e cila nuk u jepte të drejta të mjaftueshme shqiptarëve; dhe, i dyti, se Shqipëria ishte nëna e kosovarëve, e dashur dhe e dhembshur deri në sakrificë.

Ambalazhi ideologjik dhe nacionalist i këtyre mesazheve nuk përbente pengesë për kosovarët, sepse atëbotë nacional-komunizmin e përdornin të gjithë. Natyrisht, kosovarët nuk ishin budallenj, as aq të paemancipuar, siç pretendohet të paraqiten tash së fundi. Ata kishin kufizimet e tyre, por në raport me Shqipërinë nuk kishin shumë zgjidhje. Ata duhej të besonin se ekzistonte një Shqipëri ideale, ndryshe do të binin pre antishqiptarizmit jugosllav, sepse alternativë e Shqipërisë dhe e Enver Hoxhës ishte Tito dhe Jugosllavia, me një fjalë shpërbërja e identitetit. Ata që sot ua ngarkojnë fajin kosovarëve se ishin të manipuluar, se shumica syresh ishin ose titistë, ose marksistë-leninistë dhe se, në raport me shqiptarët e Shqiptarët mbajnë përgjegjësi që nuk e denoncuan regjimin e Enver Hoxhës, flasin marrëzira. Ne në Kosovë mund të mos e besonim propagandën e Enver Hoxhës, mund të ishim skeptikë ose dilemorë, mund të ishim edhe naivë, por nuk kishim si të mos i besonim shkrimtarët më të mirë të Shqipërisë, gjuhëtarët më të mirë, kompozitorët më të mirë, piktorët më të mirë, të cilët, shkas e pa shkas madhëronin prijësin e tyre. Nëse ata gënjenin, dhe gënjenin mjeshtërisht, ne nuk mund të quhemi fajtorë që i besonim.

Kosovarët, për dekada të tëra, mbajtën të parrënuar mitin për Shqipërinë, mitin për Atdheun. Ata kishin nevojë të besonin në këtë mit, sepse në këtë mënyrë mbronin përbërësit kryesorë identitarë. Për nevojat e tyre, kosovarët krijua përfytyrimin e Shqipërisë ideale.

Ndonëse sot mund të duket e thjeshtë, ngritja dhe mbajtja e këtij miti nuk ishte aq e lehtë, sepse kundër tij, atëbotë, ishin ngritur të gjithë. Kundër Shqipërisë ishte Jugosllavia, politika e saj, ndikimi i saj i fuqishëm në botë, propaganda e saj. Në dukje të parë, Jugosllavia përçmonte regjimin e Enver Hoxhës, por në prapavijë vepronte me projektet antishqiptare të Çubriloviqit dhe Andriqit, të cilët asnjëherë nuk i shpalli të pavlershëm, nuk i vendosi ad acta. Po të binin pre e propagandës jugosllave, kosovarët lehtësisht do të bëheshin jo më varrmihësit e Enver Hoxhës dhe të regjimit të tij, por të vetë Shqipërisë.

Së këndejmi, pamje e idealizuar e Enver Hoxhës, për shkak të pietetit dhe të sentimentit ndaj Shqipërisë, jetoi më gjatë te kosovarët, sepse ata nuk deshën që Shqipëria të dukej e shëmtuar as më 1991, kur shqiptarët e Shqipërisë vërshuan ambasadat, mbushen anijet me refugjatë dhe u bënë vendi që eksporton më së shumti prostituta në Europë; por as më 1997, kur shqiptarët e Shqipërisë rrënuan shtetin me simbolin serb të tre gishtërinjve; dhe as sot, kur statusin e vendit kandidat në BE do ta marrin më vonë se çdo shtet tjetër i Ballkanit. Kosovarët tani kanë shtetin e tyre, por shumica syresh, paradoksalisht, edhe sot e duan Shqipërinë më shumë se Kosovën.

Tani që Shqipëria është kjo që është, kosovarët janë këta që janë dhe Enver Hoxha ishte ai që ishte, çfarë mbetet sot të sqarohet në këto relacione? Natyrisht që kosovarët kanë nevojë t’i sqarojnë disa pika shumë të ndjeshme të historisë së tyre në raport me Shqipërinë, por para se këtë ta kërkojnë nga historianët e Shqipërisë, duhet të hedhin dritë të mjaftueshme mbi disa ndodhi të errëta të pjesës së tyre të historisë në raport me Shqipërinë, që nga Lufta e Dytë Botërore dhe prapa. Së pari, ata duhet të hulumtojnë dhe të japin përgjigje, se cili ishte roli i kosovarëve në lëvizjen komuniste të Shqipërisë, që nga Ali Kelmendi e deri te Elhami Nimani, Fadil Hoxha, Emin Duraku, Ymer Pula, Hajdar Dushi etj., dhe përse ata ishin të infiltruar aq shumë në grupet komuniste, veçmas të Shkodrës dhe të Tiranës, ndonjëri syresh duke marrë pjesë edhe në themelimin e Partisë Komunsite të Shqipërisë? Së dyti, përse komunistët kosovarë, pas çdo takimi që kishin me komunistët e Shqipërisë, ngarendnin kush e kush më parë t’i raportonin Boro Vukmiroviqit dhe Pavle Joviqeviqit në Vitomiricë, ose gjetiu? Së treti, përse kosovarët, që donin bashkimin me Shqipërinë, pranuan që përgatitjet për Konferencën e Bujanit t’ua bënte Pavle Joviqeviqi dhe përse e pranuan kompromisin absurd, që garantuese e të drejtës së Kosovës për vetëvendosje të ishte edhe UNÇ e Jugosllavisë? Së katërti, përse kosovarët nuk dhanë asnjëherë një shpjegim të qartë dhe të vlershëm, si ndodhi që vendimet e Bujanit u anuluan aq thjeshtë dhe aq njëzëri, po prej tyre, në mbledhjen e “Këshillit Krahinuer Populluer” në Prizren, në korrik të vitit 1945? Së pesti, nëse Shqipëria e tradhtoi Kosovën, kur aradhet e saj shkuan në veri deri në Vishegrad, duke krijuar terren të përshtatshëm për reprezaljet e brigadave partizane-çetnike serbe-malaziase, përse nuk thuhet qartë se çfarë bëri Fadil Hoxha, si komandant, në këtë rrethanë?

Natyrisht që ka edhe shumë pika të tjera të errëta, të veprimtarisë së Enver Hoxhës në raport me Kosovën dhe ndriçimi i tyre nuk mund të bëhet as me paragjykime nihiliste dhe as me mbështetje neo-komuniste. Deri më tani, përgjatë viteve të fundit, historianët janë përpjekur të shmangin shqyrtimet historike bardh-zi, por, si pa të keq, janë akomoduar në një zonë gri, e cila, pandehin ata, iu siguron mbrojtje të mjaftueshme nga fshikullimet e dyanshme. Por e vërteta është se ata janë akomoduar në një neglizhencë lapidare, e cila nuk gjen një shembull të tillë në botën e sotme. Që të mos merren me improvizime, siç bëjnë tani, ata do të duhej, së pari, të shternin së lexuari dokumentet, që ende as i kanë parë me sy, as i kanë prekur me dorë. Si mund të flasin për Enver Hoxhën historianët e Shqipërisë, dhe të pretendojnë se janë duke bërë shkencë, kur ende nuk i kanë lexuar ditarët dhe shënimet e tij në Arkivin e Shtetit? Si mund të pretendojnë se bëjnë shkencë historianët e Kosovës, kur asnjëri prej tyre nuk i ka parë me sy dhe prekur me dorë shënimet serbisht të Miladin Popoviqit, gjatë tri viteve të qëndrimit në Shqipëri, që po ashtu tashmë dihet se gjenden në Arkivin e Shtetit? Prandaj, në mungesë të një pune të mirëfilltë shkencore, krijohet hapësirë për historianët amatorë, të cilët ngatërrojnë dëshmi, spekulojnë, shpikin, trillojnë gjëra nga më të pabesueshmet dhe mbushin hapësirat mediale të Shqipërisë dhe të Kosovës me interpretime kuturu.

Por gjithsesi, çështja e radhës, e cila tani për tani nuk po gjen hapësirë për shqyrtim, ka të bëjë me rolin e trashëgimisë historike dhe politike të komunizmit dhe të Enver Hoxhës në profilizimet aktuale politike, në Shqipëri dhe në Kosovë.

(Java)

Më Shumë

Vetaksident i rëndë trafiku në Prizren (video)

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme në qytetin e Prizrenit, raporton Gazeta Sinjali. Sinjalizues të Sinjalit...

Arrestohet një person në Prizren, dyshohet për dhunë në familje

Është arrestuar një person në Prizren. Ai akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj anëtarëve të familjes së tij dhe gjithashtu ka dëmtuar dhe demoluar...

Lajmet e Fundit