8.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Fija e fundit e këputur

Nga Danilo Taino

Mbaruan lojërat. Me përjashtim të ndonjë goditjeje të papritur nga Athina – për shembull rënien e qeverisë së majtë – të dielën grekët do të votojnë. Nominalisht, për programin e ndihmave të propozuar nga kredidhënësit e vendit, që praktikisht do të thotë për qëndrimin ose jo të Republikës helene në Bashkimin Monetar. Dy ditë më parë, kryeministri Aleksis Tsipras e këputi edhe fijen e fundit që mendohej se mund të çonte drejt një kompromisi: iu dërgoi një letër huadhënësve natën, për t’iu thënë se pranonte një pjesë të propozimeve të tyre, 15 orë më pas – përpara se të merrte përgjigje – i akuzoi në televizion se po e “kërcënonin” popullin grek. Skizofreni nga paniku e dikujt që ka humbur kontrollin e situatës. Ose propagandë për t’u përpjekur që t’i bindë grekët që të votojnë ‘jo’. Ndoshta mund të jenë të dyja gjërat.

Në qëllimet e Tsiprasit dhe të qeverisë së Syrizës, referendumi ishte opsioni bërthamor. Kërcënimi që do ta kishte vënë me shpatulla pas murit BE-në, BQE-në dhe FMN-në: me bindjen se elementët e përfaqësuar nga kapitalizmi përballë mundësisë se një vend mund të dalë nga euro do të rrëzoheshin dhe do të pranonin t’i jepnin para të tjera Greqisë në këmbim të premtimeve të përgjithshme. Edhe pse nuk janë zemërluanë, udhëheqësit europianë nuk kanë qenë gjithsesi të parët që i hodhën mbi tryezë letrat e pokerit: dy ditë më parë vazhdonin të thoshin se Greqia e ka në dorë fatin e saj dhe se do të respektojnë zgjedhjet e qytetarëve. Angela Merkel sqaroi se në këtë pikë, vendimi i takon referendumit dhe se gjithsesi, Europa është në gjendje t’i bëjë ballë çdo rezultati.

Llogaritë e Tsiprasit dhe të ministrit të tij të Financave Janis Varufakis, të cilët e konsideronin veten në një situatë të papranueshme humbjeje dhe që shihnin te huadhënësit një dëshirë për t’u dorëzuar, dolën të gabuara. Në të ashtuquajturën “game of chicken” – dy veturat që lëshohen ndaj njëra-tjetrës për të parë se kush do të mënjanohet e para – kredidhënësit nuk e lëshuan rrugën, ndërsa Athina mori kthesë nga referendumi. Dhe nxori se në qëllimet e saj nuk ka ekzistuar asnjëherë opsioni bashkëpunues. Mbi të gjitha ndodhi se, në emër të demokracisë, qeveria e majtë e përdori popullin grek si një armë, jo që të shprehet për interesat e tij, por për ta përdorur ndaj kundërshtarëve, që u përbëkan nga kapitalizmi europian që kërcënon grekët, sikurse i pëlqen Tsiprasit të thotë. Duke zhvilluar referendumin, më tepër se t’i jepet fjala popullit, i është bërë thirrje këtij të fundit që të sulmojë Pallatin Dimëror të eurozonës.

Nuk ka asgjë për t’u gëzuar. Sikurse ka thënë shumë herë në Parlament ministri gjerman i Financave, Volfgang Schauble, ka vetëm trishtim për popullin grek. Në këtë pikë, edhe ata që do të donin të votonin “jo” të dielën për t’i ridhënë vendit sovranitetin e tij, duhet të jenë shumë të tronditur nga ideja për të mbetur më pas me një qeveri, që në hipotezën më të keqe është e papërgjegjshme dhe në më të mirën, aventuriere.

Mbetet fakti se cilido qoftë rezultati i referendumit të së dielës, eurozona dhe BE-ja kanë dy përgjegjësi të mëdha. E para: të bëjnë të mundur që Athina të mbetet e kacavjerrë pas Europës dhe që populli grek të ndihmohet të dalë sa më parë nga vuajtjet në të cilat gjendet. Nuk do të jetë e lehtë, por është një detyrim të cilin europianët duhet ta marrin përsipër. E dyta: të garantojnë që kriza greke, e nisur keq dhe e administruar edhe më keq, të jetë një leksion që t’i mundësojë të gjithë zonës së euros, me 18 apo 19 anëtarë, që të ndryshojë dhe të ndërtojë një arkitekturë solide dhe të pranuar nga qytetarët. Që është gjithaq e detyrueshme.

Më Shumë

Vedat Muriqi luan sot kundër liderit të La Ligë

Real Madridi do të luajë në udhëtim te Mallorca e Vedat Muriqit dhe do ta kërkojë vazhdimësinë e rezultateve pozitive në garën për titull...

Qethja e deleve në familjen e dëshmorit të UÇK-së, Pal Paluca (Foto)

Zyrtarët e Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nw Prizren  kanë asistuar në qethjen e deleve në familjen e dëshmorit të UÇK-së, Pal...

Lajmet e Fundit