11.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

“Heroi” një film që na bënë të ndihemi të barabartë me të tjerët

opinion 23Arian Llalla, Toronto

Kur flasim për filmin, shpeshherë vihet në theks fakti se filmi është një lloj sinteze i një morie artesh (artit figurativ, letërsisë, teatrit, muzikës, etj.), disi, ashtu, siç është konsideruar në shekullin e XIX opera. Kjo do të thotë se, në një mënyrë apo tjetrën krijimtaria filmike i merr, apo më mirë thënë përvetëson elementet e arteve të tjera dhe, prej tyre e krijon një tersi të re. Besoj më së këtë kuadrat mund ta shohim edhe filmin “Heroi” të regjisorit nga Prishtina, Luan Kryeziu, të cilin, pata kënaqësinë ta shikoja sivjet, në edicionin e 38-të të Festivalit Botëror të Filmit në Montreal. Ky festival është ndër festivalet më të mëdha në botë, ndërsa vetë pjesëmarrja në të shënon sukses dhe kredibilitet për një artist dhe për veprën e tij.
“Heroi” është një film shumë shqetësues. Mbase një prej filmave më shqetësues që kanë krijuar regjisorë shqiptar deri më sot. Kjo, mbase edhe und të tingëllojë si një pohim shumë i guximshëm, por ama, mendojë se mund të jetë pohim i vërtetë. Gjithashtu, është mëse e sigurt se “Heroi” është prej filmave më të vështirë që është krijuar ndër shqiptarët ngase trajton një temë që ka ndjeshmëri të madhe për një grup shoqëror të cilin e ndeshim përditshmërisht dhe për dramën e të cilëve mund të dëgjojmë, lexojmë apo edhe shohim në televizionet tona, të thuash përditshmërisht.

Veteranët e luftës, pra. Për këtë, mbase filmi “Heroi” edhe do të mbetet filmi më i vështirë që do ta ndërtojë në karrierën e tij ky regjisor i ri dhe jashtëzakonisht i talentuar i cili ia doli të na bindë (jo vetëm neve shqiptarëve) se filmi shqiptar e ka një të ardhme.

Për dallim nga filmat që janë bërë deri më sot, në Kosovë apo edhe në Shqipëri, të cilët, rrallëherë flasin apo shprehin diçka të zakonshme dhe nga jeta (këtu përjashtim mund të bëjnë Parullat e Gjegj Xhuvanit), filmi “Heroi” flet me një gjuhë të thjeshtë, drejtpërdrejt dhe përcëllueshëm duke shkaktuar emocion dhe drithërima te shikuesit.

Është një tregim kompleks i rrëfyer në mënyrë shumë të thjeshtë dhe dramaturgjikisht saktë, aq sa e bënë edhe të kuptueshëm edhe për publikun joshqiptar me të cilin, filmi artistik shqiptar të thuash nuk ka komunikuar asnjëherë ashtu siç do të duhej dhe siç komunikojnë filmat e tjerë. Ndaj dhe nuk është e rastësishme që Stiven Shvarc, një prej liderëve të gazetarisë në ShBA, kur e kishte shikuar këtë film në një kinema të Prishtinës, kishte shkruar se “Heroi” është një prej realizimeve kinematografike më të mira që janë bërë në Ballkan ndonjëherë dhe se ka përmasë të vlerave evropiane.

Ketë më së miri e dëshmoi “Heroi” i Kryeziut edhe në Festivalin e Montrealit ku, në mesin e tërë atyre filmave, ishte përzgjedhur ndër ata katër filma që u shfaqen edhe njëherë, në programin special, atë të përmbylljes së festivalit, hapësirë kjo e rezervuar për katër filmat që kanë zgjuar interesimin më të madh të publikut. Që kanë marrë vlerësimin më të madh të kritikëve dhe të publikut, e që, thënë ndryshe, bënë pjesë në katër filmat më të mirë të festivalit.

Edhe njëherë, duhet vënë në pah këtë fakt, ngase, Festivali Botëror i Filmit ën Montreal, jo vetëm që është ndër dhjetë festivalet më të mëdha dhe më përfaqësuese të kinemasë në botë, njëherësh konsiderohet edhe si festivali më i madh i filmit në Amerikën Veriore, ku përfshihen edhe Kanadaja, por edhe ShBA-të. Por, t’i rikthehemi edhe njëherë “Heroit”!

Ky film i Luan Kryeziut, që nga fillimi, kur hapet filmi me pamje dokumentare (autentike) nga lufta e fundit në Kosovë, kur shihen barbaritë e ushtrisë dhe policisë serbe që vrasin, torturojnë, dëbojnë dhe plaçkitin shqiptarët dhe pronat e tyre të cilave ua fusin zjarrin, na e bënë të qartë se “Heroi” nuk është një film i zakonshëm, apo ordiner, siç i thonë fjalës. Dhe, derisa skenat radhiten me një saktësi të jashtëzakonshme logjike dhe dramaturgjike, zbërthehet figura komplekse e kryepersonazhit Shkëmbit, një vullnetari në luftë i cili, pas lufte, duke u përpjekur që ta ruaj ndershmërinë, çiltërinë dhe pastërtinë e idealeve të tija atdhetare, degjeneron deri në atë shkallë sa që, në fund, i shkatërrohet gjithçka, bashkë me ëndrrën e cila e kishte sjellë në luftë dhe ndjenjën e vetëflijimit për një çështje aq të madhe dhe aq të rëndësishme saç ishte liria e Kosovës. Pra, derisa në fillim, Shkëmbi pritet si një hero i vërtetë, i gjallë, i luftës, atë, shoqëria të cilës i përket, një shoqëri e pa rregulla dhe në transicion, e kundërshton aq shumë dhe aq vrazhdët, duke mos i ofruar asgjë, sa që shkalla e degradimit të tijën shpie në një imazh të dhembshëm dhe vërtetë tragjik.

Deri tek shembja e një idhulli, apo edhe e një heroi. Ashtu, sikundër mund të pandehim se do të ketë ndodhur në Kosovën e pas luftës, por jo vetëm aty. Kështu, çdo gjë e theksuar më lartë kulmon në një skenë të habitshme apo mbase edhe ngapak të papritur kur, kryepersonazhi i këtij filmi, në ëndërr apo edhe në zhgjëndërr nga heroi i idealizuar detyrohet të bëhet keqbërës, për të vazhduar në një skenë kur një person i armatosur (vetë shkëmbi) si një plaçkitës androgjen shtrihet ta përmbyll durimin e tij, idealin e tij dhe ëndrrën e tij të stërzgjatur në një kornizë varri në mesin e shokëve të tij dëshmorë, por të cilët më nuk mund të jenë të gabueshëm.

Për ta kuptuar thellësinë psikologjike të kryepersonazhit të filmit “Heroi”, mendoj se, mbase, do të na duhej që për pak kohë të distancohemi prej ngjarjes dhe rrethanës në të cilën degjeneron ai, si tërësi, që ta kuptojmë mirë dhe qartë se kthesa e tij e papritur, mbase, në fund të filmit, apo edhe krijimi i karakterit të dyfishtë nga ai, që na vjen si kulminacion i rrëfimit dramatik në këtë film, , ndoshta, për pak çaste kapërcen tek diçka që nuk mundet gjithmonë të thuhet me mjetet filmike.

Sepse, është momenti kur tregimi shkëputet dhe vetëdigjet në dinamikën dhe rrjedhën e tij dramaturgjike e që duket diçka si një lloj ftohjeje në çastin e shpërthimit më të madh të brendshëm të kryepersonazhit si bartës i tërë një veprimi dramatik, për të na përkujtuar neve se po e shikojmë një film medium i të cilit (shiriti) e dëshmon brishtësinë e vetë dhe materialitetin ngase, thellësia e shpirtit të njeriut është e ngjeshur dhe e pafundme. Heroi i L. Kryeziut, disi na vjen si një personazh nga analizat e Adlerit. Personifikon homoduplexin të cilin një person e bartë Brenda një shoqërie irracionale dhe hipokrite siç janë të gjitha shoqëritë e pasluftës. Poende, mund të themi se filmi, para së gjithash, flet për një projeksion psikologjik të individit në një shoqëri gllabëruese dhe të pakonsoliduar. Me këtë rast, mund të themi se edhe skenari i Kryeziut është i një niveli të lakmueshëm dhe impresionon me shumështresimin e vetë.

Fabula është mjaft e thjeshtë, me ç’rast, Arben Bajraktaraj, në rolin e Shkëmbit (Heroit)përmes një qetësie që vjen si forcë interpretative, por edhe ekspresionit të fytyrës interesante që ka dëshmon një talent të theksuar. Në këtë kuadër vijnë edhe karakteret e realizuara shumë mirë nga Çun Lajçi, Salaudin Bilalli, Haqif Mulliqi apo edhe Suani Raça, Xhemi Agaj, etj., që dëshmojnë një klasë të lartë aktrimi. Në veçanti impresiv janë Ç. Lajçi dhe Haqif Mulliqi. Ky i fundit antipodi i Shkëmbit (Heroit), që është një soj harbuti – dezertor dhe batakçi i cikli, pas lufte gjendet aq mirë sa që, bëhet dhe ministër, anipse se nuk kishte bërë asgjë për shoqërinë e vetë. i realizuar vjen edhe roli i fëmijës, Glauk Haxhiaj, i cili, nga një fëmijë plot shend e lumturi, mbytet në autizëm dhe i cili si i tillë vetëm sa e rëndon karakterin e babait i cilin, është evidente se me të birin ka një marrëdhënie kozmogorike më shumë se sa njerëzore.

Edhe alegoritë e filmit janë fantastike, pa ndonjë efekt special përmes të cilit sot regjisorët rrëfejnë ndodhitë e filmave të tyre, me një pompozitet të thyerjes së karakterit të kryepersonazhit dhe kthesës dramatike e cila, të thuash filmin nuk e shpie drejt fundit por e rikthen në pikën zero duke e dëshmuar një fazë të zhvillimit të një shoqërie metafizike që ecën një hap para e disa pas.

Sido që të jetë, për në fund, mund të thuhet se, më në fund, edhe me pjesëmarrjen ne Festivalin Botëror të Filmit në Montreal, edhe me cilësinë që solli, edhe me pritjen që i bëri këtu publiku i huaj dhe kritikët më të njohur të kinemasë botërore, “Heroi” i Luan Kryeziut është një krijimtari filmike që të bënë të ndihesh mirë dhe, sigurisht, i vetmi film, i cili, pas kaq vitesh pritjeje është kompetitiv, e madje pretendues për çmimet më të larta. Mbase edhe për Oskar. Kosova e ka rastin sot.

(Autori është aktor. Ka qenë pjesë e shumë filmave në Kanada, ndërsa ka punuar edhe në organizmin e Festivalit të Filmit në Toronto, i cili gjithashtu bënë pjesë në festivalet e kategorisë A.)

Më Shumë

Selmanaj synon shtrirjen e LDK-së në çdo familje të Prizrenit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prizren, Driton Selmanaj, ka bërë thirrje te të gjithë anëtarët e partisë që të bashkohen për...

E mitura që u raportua e zhdukur dyshohet se u dhunua nga dy persona në Prizren

Një e mitur e cila u raportua e zhdukur më 16 mars nga familjarët e saj, është gjetur nga policia dy ditë më pas...

Lajmet e Fundit