9.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Hyjnesha pa fron

Bekim Kupina

Betoni gjithandej, të jep ndjesinë e jetës në një qytet kazermë, ku tjetri është rreziku. S`ka më çarshi, s’ka pazar të mbuluar, të ngjashëm me Kapaliçarshinë, xhami të çarshisë, kishë katolike në mes të Prishtinës, hotel “Skënderbeg”, e shumë shenja identifikuese të kryeqytetit kosovar ndër vite. Ky urbicid ka transformuar Prishtinën tërësisht në një qytet ku ekziston dëshira, por jo edhe synimi. Kjo është dëshmuar prej vitesh që nga paslufta, kur sistematikisht qyteti i parë i është nënshtruar një agresioni tipik nga dashakeqës që cenuan drastikisht “zeitgeist” –in (frymën e kohës) e Prishtinës

Në qendër të Prishtinës ka rrugë të përbaltura, por kjo nuk e bën kryeqytetin kosovar fshat. Paçka që statusi i saj mbetet sot e kësaj dite i padefinuar. Prishtina nuk dallon përveç përkufizimit nominal si kryeqytet në asnjë mënyrë nga gjashtë qendrat e tjera kosovare. Madje, për më tepër, kasabaja e dikurshme nuk ka një datë të themelimit të saj, ndaj rrjedhimisht nuk dihet kur është themeluar kryeqyteti kosovar.

Ai nuk ka lumë, por edhe po të kishte jo se ia kishte shtuar hijeshinë, ngase mund të ishte bërë kontejnerë mbeturinash.

Ajo ka shumë ndërtime kaotike, ku mbizotëron dukshëm ngjyra e hirtë- një arketip socialist, që i jep qytetit ndjesinë e të lodhurit, e ku qytetarët vuajnë nga monotonia e qytetit gri. Pra, një tipologji e kombinuar fshat-qytet, dhe ku dyndjet e pasluftës ia kanë sforcuar karakterin dihotomik kryeqytetit të kornizuar socialist.

Ende Prishtina vuan nga ngjyra gri. Betoni gjithandej, të jep ndjesinë e jetës në një qytet kazermë, ku tjetri është rreziku.

S`ka më çarshi, s’ka pazar të mbuluar, të ngjashëm me Kapaliçarshinë, xhami të çarshisë, kishë katolike në mes të Prishtinës, hotel “Union”, e shumë shenja identifikuese të kryeqytetit kosovar ndër vite.

Ky urbicid ka transformuar Prishtinën tërësisht në një qytet ku ekziston dëshira, por jo edhe synimi. Kjo është dëshmuar prej vitesh që nga paslufta, kur sistematikisht qyteti i parë i është nënshtruar një agresioni tipik nga dashakeqës që cenuan drastikisht “zeitgeist”-in (frymën e kohës) e Prishtinës. Ajo tashmë është retushuar, ndaj në çdo skaj shtatore socrealiste të krijojnë ndjenjën e stagnimit në vitet ‘80, teksa në çdo kilometër emra sheshesh e bulevardesh të afishuara gjithandej, e shndërrojnë Prishtinën në qytet-hero.

Çdo javë erë ajvari, specash turshi apo aktivitete publike për të grumbulluar mjetet për shërim të personave, po cenojnë esencën e sheshit qendror të qytetit. Kjo hapësirë më nuk është hapësirë korzoje, por vend biznesi për shumë shitës ambulantë, ku nën tingujt e darabukës, harmonikës dhe interpretimit tallava të ndonjë vogëlushi, kryeqytetit kosovar i japin sfondin festivalesk. Në këtë defragmentim urban, Prishtina gjithashtu lehtësisht-politikisht po humb epitetin e qytetit universitar. Hapja e disa njësive akademike publike në disa qendra të tjera të Kosovës ia ka marrë këtë primat, ndaj copa Prishtine janë dërguar në pjesë të ndryshme të vendit, duke ndihmuar edhe më në zhveshjen e kryeqytetit nga tiparet e tij, duke e njëjtësuar atë me qytetet e tjera kosovare deri në përmasa miniaturale. Kësaj i ka kontribuuar edhe më shumë mosinteresimi i klasës politike ndër vite, e cila ka shpërfillur rregullimin e statusit të kryeqytetit dhe trajtimin e tij si të tillë.

Kjo është arritur duke përdorur si mjet edhe regjistrimin e popullsisë, me të cilin numri i banorëve në të del të jetë krejtësisht jashtë projeksionit të betonuar për kryeqytetin gjysmëmilionësh.

Kjo Prishtinë nuk është si ajo. Të zihet fryma nga ndërtime pa kriter, të ngjashme me shantytown, ku rrugët publike ngjasojnë me dhiare e sheshi qendror me tezgë masive pazari.

Kryeqyteti kosovar tashmë është shndërruar në një konglomerat multikulturor, i cili ka tëhuajësuar edhe më tej identitetin kundërthënës të Prishtinës.

Kësisoj, pretendimi kapriçioz për ekzistencën e species së përkufizuar si “prishtinasi”, nuk i ka rezistuar kohës, ndaj këtë referencë prepotente gjithnjë e më tepër po e zëvendëson sintagma e prejardhjes, duke e ditur se tashmë të gjithë këta që janë këtu vijnë nga dikah. Rrjedhimisht ka fare pak autoktonë- prishtinali, ndaj kryeqyteti jeton vitet në një ndeshje të ashpër ndërmjet rurales e urbanes, dihotomi tipike e kohës dhe e cila sa e fuqizon njërën po aq e ligështon tjetrën.

Prishtina i ka banorët e vet, por jo edhe dashurinë dhe kujdesin e tyre. Askush nuk angazhohet për ta rikthyer nga mbamendja ndonjë copëz të qytetit ikonik, nga fëmijëria a rinia…

Ata që kudo që shkojnë duan ta gjejnë shpirtin e qytetit në Prishtinë, zhgënjehen. Sepse ai është cenuar ashpër. Në këtë linjë, arkitekti Georgi Konstantinovski, 44 vjet pasi që ka projektuar Pallatin e Shtypit “Rilindja”, gjatë vizitës dhjetë ditë më parë me ndërhyrjet qeveritare në këtë objekt nuk e ka njohur punën e vet. Por, s`e ka pasur të zorshme që ndërhyrjet urbane në gjithë Prishtinën t`i cilësojë gabime që godasin shpirtin dhe historinë e kryeqytetit. Madje, ai e tha troç se Prishtina e ka humbur identitetin.

Kësisoj, kryeqendra kosovare të lë përshtypjen e një qyteti që duhet braktisur sa më parë, aty hetohen njerëz që nguten dikah, si në transit… Thjesht njerëz që ikin nga qyteti të cilit nuk i japin dashuri e kujdes!

Pavarësisht kësaj, Prishtina është qytet, por jo fshat. Me gjithë cenimin e trashëgimisë së saj, ajo ka arritur të ruajë format tipike të urbanes, sepse në parim fshati fle herët, qyteti rri zgjuar gjithë natën. Prishtina e ka këtë! Ajo është e tillë edhe me kaosin në trafik, kur bie shi, kur më shpejt arrin në destinacion këmbë se me taksi, kur me autobus urban vonohesh më shumë se sa kur udhëton për një qytet tjetër, kur uji të lë në pikë të ditës, e bërlloku bëhet dekor i qytetit gjithandej. Kjo është Prishtina! Të tillë e bëjnë njerëzit, të këtushëm e të ardhur, para e pasluftës.

E kjo Prishtinë tashmë s`ka opsion përpos të konservohet siç është. Me defekte evidente, të cilat sido që të jetë përbëjnë identitetin e saj. Por, këtë Prishtinë duhet ta pasojë një tjetër, sepse kjo që është nuk u bie tamam zhvillimit dhe nevojave reale të qytetarëve.

Ajo që duhet është Prishtina e Re si një kundërvënie degradimit aktual urban. Një Prishtinë funksionale, e cila në relacion me pjesën e vjetër nuk do të ishte konkurrente, porse vetëm përmbushje e nevojës për rikonceptimin e urbanes dhe nevojës për një qytet të ri. Kjo Prishtinë duhet të jetë ajo Prishtinë, e ngjashme me hyjneshën në fron, si një kthim në vendin e vet të kryeqytetit si strehë e njerëzve që jetojnë në të, duke limituar zgjerimin e mëtejmë dhe duke u dhënë përparësi commuterëve- atyre që punojnë në kryeqytet e mbrëmjeve kthehen në shtëpitë e veta në qytetet fqinje.

Prishtina ka nevojë për ajër, sepse ngufatja me beton përveçqë ka cenuar hapësirën publike ka mbytur edhe lirinë si koncept ku njerëzit nuk mund të ndihen lirshëm. Ajo nuk po bëhet, pavarësisht propagandës. E degraduan të djathtët, po e mbajnë në gjendje zombi të majtët.

Kryeqyteti kosovar ka deficit humanen si një mundësi shprehëse e shpirtit urban pa të cilin nuk bën. Prishtina është personifikim i ngadhënjimit të njeriut kosovar, ndaj me të drejtë publicisti Halil Matoshi kërkon që në juglindje të saj, në Veternik, të ngrihet Porta Triumfale, si dedikim për qytetin kundër zhbërjes.

Prishtina, po zhbëhet nga bërja. Asaj i mungon statusi, ndaj fati i saj duhet jetë njësh me Hyjneshën- simbolin e qytetit. Prishtinës i duhet froni…!

Më Shumë

Policia shqipton mbi dy mijë gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës njofton se për 24 orë, ka shqiptuar 2084 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente...

Ekrem Kastrati vendos buqetë lulesh pranë lapidarit të dëshmorit të kombit Indrit Cara

Një delegacion i kryetarëve të komunave të Kosovës, me ftesë të kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, po qëndrojnë për vizitë punë në...

Lajmet e Fundit