8.8 C
Prizren
E martë, 19 Mars, 2024

Jo Departament, por Institut për Krime të Luftës në Kosovë

SHKRUAN: PROF.DR.RIZA SMAKA

Instituti për Krime Lufte në Kosovë, si institucion publik hulumtues me qellim të mbledhjes, sistematizimit, përpunimit dhe publikimit të të dhënave për krime kundër paqes, krime kundër njerëzimit dhe akteve të gjenocidit të kryera në Kosovë gjatë vitit 1988 deri në qershor të vitit 1999, ka qenë themeluar me Vendimin e Qeverisë së Kosovës nr. 10 – 19 të datës 15 qershor 2011. Së andejmi, sikundër koha, ashtu edhe akti themelues bien në sy si të pavend, ngase ky Institut ka qenë dashur të themelohej, nëse jo më parë, atëherë së voni, gjatë vitit 2008 , pra pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe, për hir të rolit, funksionit dhe rëndësisë politike e juridike të të njëjtit,jo me vendim qeveritar, por me akt ligjor të posaçëm. Ai Institut po të ishte themeluar me akt ligjor do të kishte pasur status legal më stabil si dhe trajtim adekuat në pikëpamje të rekrutimit të kuadrit, të pajisjes së tij me mjete financiare, materiale teknike adekuate të nevojshme për ushtrimin efektiv e eficient të funksioneve të besuara. Në ish- konstitutentet e ishfederatës Jugosllave, nga të cilat një e tillë ishte edhe Kosova, ku supozohej me bazë se pas disolucionit të atij shteti të përbërë e gjatë luftërave në vijim kanë qenë kryer akte gjenocidale dhe të krimeve të luftës, kanë qenë themeluar jo me vendime qeveritare, por me akte ligjore të posaçme institute publike hulumtuese për mbledhje, sistematizime, kategorizime, cilësime dhe procedime juridike të akteve të gjenocidit dhe të krimeve të luftës. Është faktografi evidente me asgjë e kontestuar se, (para) policorët dhe (para)militarët serbë, gjatë zbatimit të politikave shtetërore antishqiptare në Kosovë, më shumë se kund do tjetër,veçanërisht gjatë vitit 1988 deri në qershorin e vitit 1999, me synimin përfundimtar për ç’ shqiptarizimin e Kosovës dhe për serbizimin e saj, nder të tjera, kanë zbatuar metoda, mjete e masa violente të mbylljes së institucioneve legale, dëbimit nga puna të mbi njëqind mijë të punësuarve shqiptarë, disfavorizimeve të llojllojshme të shqiptarëve në favor të serbëve, vrasjeve me mjete të zjarrta e të ftohta, prerjeve me thikë, sharrë, sëpatë apo me mjete tjera, granatimeve të vendbanimeve civile, minimeve të fushave e udhëkalimeve, plaçkitjeve dhe djegieve të shtëpive, stallave dhe objekteve biznesore, mbytjeve në puse të ujit dhe në lumenj, mbytjeve individuale e grupore të civilëve, çnderimeve të femrave dhe meshkujve të formave më bizare,burgosjeve arbitrare dhe trajtimeve barbare të të burgosurve, mosdhënies së ndihmës mjekësore të të sëmurëve, të të plagosurve, dëbimeve dhe përzënieve me dhunë të shfrenuar të një milion shqiptarëve e shqiptareve të të gjitha moshave nga trojet tradicionale si dhe të formave anticivilizuese tjera të papara e të padëgjuara ,në vendin tonë! Së andejmi , në vendin tonë , më parë se kudo tjetër, në vend që me akt të legjislacionit sekondar të themelohej e më pastaj me akt të tillë të “mbyllej” Instituti për Krime Lufte , do të ishte dashtë që Instituti në fjalë ,me akt ligjor të posaçëm të themelohej , organizohej dhe të financohej, në një anë si dhe, të mbështetej politikisht, financiarisht, teknikisht e materialisht , në anën tjetër.

Mbyllja” e padrejtë e Institutit për Krime Lufte në Kosovë

Kohë më parë, mbase ” në proces të reformave në Drejtësi, sipas nismës së Ministrisë së Drejtësisë , me një akt të legjislacionit sekondar qenka “mbyllur” Instituti për Krime Lufte në Kosovë nga pretekstet se, – nuk paska qenë i formuar konform me akt ligjor, por vetëm me një vendim të Qeverisë së Kosovës , – nuk paska pasur staf meritorë “me background akademik ” të kërkuar dhe – se i njëjti do të zëvendësohej , lexo e kupto, të surrogohej me dy apo një departament në kuadrin e Ministrisë së Drejtësisë! Edhe në një pyetje parlamentare, ministri aktual i Drejtësisë ,z. Abelard Tahiri ka dhënë përgjigjen e përmbajtjes së sipërthënë ,duke theksuar se tanimë ishInstituti për Krime Lufte do të zëvendësohej, esencialisht të surrogohej me departamente apo me departament në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë! “Mbyllja ” e Institutit për Krime Lufte në Kosovë, ishte një akt politik i pamatur , i paqëlluar dhe për aq i dëmshëm për interesat vendit si dhe të shumë qytetarëve kosovarë të keqtrajtuar dhe të dëmtuar fizikisht e moralisht, të plaçkitur si dhe të deprivuar nga jeta dhe pasuria në mënyrat më barbare gjatë zbatimit të politikave hegjemoniste antishqiptare dhe anticivilizuese e diskriminatore shtetërore serbe e të kryera veçanërisht gjatë periudhës 1998-99.

“Mbyllja ” e Institutit për Krime Lufte, akt politik i pamatur dhe akt juridik i gabuar

Akti i i “mbylljes” së Institutit për Krime Lufte , del të jetë teknoburokratik dhe juridikisht i paqëndrueshëm! E para,Instituti për Krime Lufte në Kosovë , as në procedurë të përgatitur dhe të drejtuar sa dhe si kërkohet nuk ka mund të ” mbyllet”, por eventualisht të suprimohet dhe të definohet statusi juridik – punësor i stafit profesional e drejtues në atë Institut si dhe të përcaktohet trajtimi i materialeve dhe dokumenteve të punës së të njëjtit. Në akte ligjore aplikative apo në ligjin e aplikuar as në praktikat juridike të mira , nuk ekziston as nuk njihet termi ” “mbyllje” e institutit, institucionit, organit apo organizatës , i cili paska qenë përdorur në rastin e mbylljes së Institutit për Krime Lufte! Në raste të tregimit të nevojës praktike të diktuar nga çështje financiare apo riorganizative të mirëfillta, institucioni publik , në procedurë të përcaktuar me ligjin e aplikuar , mund të suprimohet por kurrsesi “të mbyllet” e aq më pak nga hire individuale të natyrës dubioze. E dyta, pavarësisht së në çfarë baze juridike ka qenë i themeluar Instituti për Krime Lufte, i njëjti nuk ka mund ” të mbyllej” në mënyrën e sipërthënë por me dispozita kalimtare të ligjit të miratuar referuar krimeve të luftës në vendin tonë. E treta, po qe se paska qenë defekti të fakti se Instituti për Krime Lufte paska qenë themeluar me vendim qeveritar por jo sipas ligjit, Ministria e Drejtësisë ka qenë dashtë të projektonte Ligjin për Krime të Luftës dhe në procedurë legjislative nëpërmjet Qeverisë së Kosovës ta sponsoronte deri në miratim por kurrsesi jo që të “mbyllte” atë Institut të rëndësishëm për vendin dhe interesat e qytetarëve të vendit tonë. Tek pas miratimit të ligjit në fjalë, Ministria e Drejtësisë , në zbatim të të njëjtit , do të mund të aplikonte (ri)organizime funksionale të Institutit për Krime Lufte , të cilat, në parim kurdoherë janë të nevojshme dhe për aq të justifikuara. E katërta, nuk qëndron thënia as e Ministrit të Drejtësisë as e kujto do tjetër se Instituti për Krime Lufte qenka dashtë të mbyllej nga se nuk paska staf me “background” profesional të kërkuar, nga se, pikërisht në atë segment, Instituti në fjalë kishte ekspertë të mirëfilltë -profesorë universitarë të të fushave të kërkuara si dhe staf profesional të kualifikuar dhe të treguar afirmativisht në përkushtim për punë serioze! E pesta, po qe se qenka kërkuar të “mbyllej” Instituti për Krime Lufte, ngase nuk paska qenë i themeluar sipas ligjit, por sipas vendimit qeveritar, atëherë justifikimi i tillë del kontradiktor madje tërësisht. Në përgjigjën në një pyetje parlamentare, ministri i Drejtësisë paska theksuar se tanimë ish-Instituti për Krime Lufte do të themelohej sipas ligjit por në formë të një apo dy departamenteve në kuadrin e Ministrisë së Drejtësisë! Formimi i një apo dy departamenteve në kuadrin e cilësdo ministri, pra edhe të Ministrisë së drejtësisë, sipas praktikave qeveritare të deritashme aplikohet me organogramin e përgatitur nga ministria përkatëse e miratohet nga Qeveria. Pra, transformimi i Institutit për Krime Lufte i “mbyllur” pasi që nuk paska qenë i themeluar sipas ligjit por sipas vendimit qeveritar, del Contracictio In Adiectio ,në një anë dhe si i degraduar nga Instituti që do të duhej të ishte i karakterit shkencor – hulumtues në një apo dy departamente të cilat kurdoherë janë të natyrës administrative -profesionale. Bile ai apo ato departamente administrative – profesionale , sipas deklaratës së theksuar më parë, nuk do të themeloheshin sipas aktit ligjor por përkundrazi konform me një akt organizativ nënligjor të Ministrisë së Drejtësisë. Kjo edhe nga shkaku i thjeshtë se, për themelim të një apo të disa departamenteve, nuk kërkohet ligji e aq më pak ligj special ,çfarë ,do të ishte Ligji për Themelimin dhe Organizimin e Institutit për Krime Lufte! E gjashta, akti i mbylljes së Institutit për Krime të Luftës pashmangshëm evokon periudhën e vrugët dhe të mugët gjatë viteve 1989 – 99 kur autoritetet autoritare serbe , pa ndjek procedura ligjore as pa përfillë baza ligjore , një nga një i mbyllnin arbitrarisht institucionet publike e legale të Kosovës-sic.

Disa nga veprimet e ngutshme, të nevojshme

Në vendin tonë është nevojë imediate, fillimisht , për hulumtimin, konstatimin, grumbullimin , klasifikimin, kategorizimin dhe analizimin kritik të krimeve të luftës tok me aktet gjenocidiste nga aspekti historik, nacional , socioekonomik, ushtarak, juridik, sociologjik e rrjedhimisht, për përpunimin metodik e teknik të të dhënave për krime lufte e akte gjenocidiste, verifikimin e saktë e të plotë të krimeve të luftës dhe të akteve gjenocidiste si dhe të kryesve të tyre, grumbullimin, klasifikimin, kategorizimin , arkivimin , publikimin dhe dhe për të përgatitjes së rasteve për procedimin politik e juridik të krimeve të luftës dhe të akteve gjenocidiste si dhe të kryesve të të njëjtave në vendin tonë gjatë vitit 1989 – qershor 1999. Për t’u realizuar ky objektiv, Ministria e Drejtësisë do të duhej që ,ngutshëm, me përparësi dhe seriozisht të projektonte , kurrsesi vendimin por Ligjin për Krime Lufte dhe Akte Gjenocidiste të kryera në Kosovë gjatë periudhës 1998- qershor 1999 dhe të njëjtin ta sponsoronte në procedurën legjislative deri në miratim dhe rrjedhimisht të njëjtin ta zbatonte plotësisht dhe pa zvarritje. Ministria e Drejtësisë me pëlqimin e Qeverisë së Kosovës do të duhej që stafin ekzistues të Institutit në fjalë të mundësonte juridikisht, materialisht e teknikisht për të ushtruar punën shkencore e profesionale – teknike në funksion të objektivave të sipërthënë deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të sipërtheksuar e rrjedhimisht të ndërmerrte masa për organizimin e stafit shkencor, profesional e teknik të po atij Instituti konform me Ligjin në fuqi. Njëkohësisht Ministria e Drejtësisë do të justifikohej ta ndihmonte Organizatën “Ngritja e Zërit” që seriozisht punon që disa vjet në funksion të objektivave të sipërthënë por nuk ndihmohet institucionalisht.

Më Shumë

Ballkani-Llapi, dueli i sotëm mund të vendos titullin

Sot do të zhvillohen dy ndeshje interesante në kuadër të xhiros së 26-të në Superligën e Kosovës në futboll. Kryendeshja kryesore e ditës do të...

Muhadri, MVP e gjysmëfinales së dytë

Bashkimi ka arritur që të triumfoj 2:0 në seri ndaj Penzes në fazën e parë të playoff-it, në Superligen Femrat. Aulona Muhadri ishte lojtarja më...

Zotërit e fjalës

Lajmet e Fundit