7.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Jo dialog pa liberalizim

IMER MUSHKOLAJ

Do të ishte vetëvrasje politike që dialogu të vazhdojë pa heqjen e vizave. Kjo është më e pakta që Kosova mund ta kërkojë nga BE. Edhe ashtu gjithçka ka shkuar në favor të Serbisë. Qytetarët e Kosovës nuk mund të mbeten edhe më tutje peng as i BE’së, as i politikanëve që i udhëheqin

Serbisë po i ngutet që të fillojë fazën finale të dialogut me Kosovën, në mënyrë që t’i kryejë sa më herët obligimet për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Por, ndryshe nga Serbia, e cila e di se çfarë mund të përfitojë, Kosova nuk ia ka dalë ende të marrë as datën për liberalizimin e vizave.

Ndërkohë që zyrtarët institucionalë kosovarë shprehen të gatshëm për vazhdimin e dialogut, ndonëse ende pa një platformë të qartë dhe pa koncensusin e nevojshëm politik, BE nuk e ka shpërblyer Prishtinën në fund të një procesi të gjatë të plotësimit të kritereve për heqjen e vizave.

Kosovës i ishte vendosur dyfishi i kritereve që duhej përmbushur, karahasuar me vendet tjera të rajonit gati një dekadë më parë. I parafundit ishte ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, që për shkak të kalkulimeve e përfitimeve partiake, u zvarrit pa nevojë për gati tre vjet.

Kur procesi është thuajse në fund, BE po heziton të ndërmarrë veprimin e shumëpritur që edhe kosovarët, si gjithë europianët tjerë, të lëvizin lirshëm në zonën e Schengenit.

Tash kur po diskutohet më të madhe për mundësinë e përfundimit të dialogut me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, udhëheqësit shtetërorë kosovarë janë të gatshëm, si rëndom, të bëjnë të tjera koncesione. Dhe, në këmbim të kësaj, ndryshe nga Serbia, Kosova të mos përfitojë asgjë.

Nëse Beogradit i ngutet që të përfundojë sa më shpejt dialogun, Prishtina nuk ka nevojë për kurrfarë ngutie. Dialogu nuk duhet vazhduar pa hartimin e një platformë të qartë dhe pa arritjen e një koncensusi të nevojshëm. Por, po ashtu, do të ishte vetëvrasje politike që dialogu të vazhdojë pa heqjen e vizave. Kjo është më e pakta që Kosova mund ta kërkojë nga BE. Edhe ashtu gjithçka ka shkuar në favor të Serbisë.

* * *

Tregimi për 1.7 milion qytetarë që kanë mbetur të ngujuar në mes të Europës është tregim i turpit në radhë të parë për udhëheqësit e institucioneve kosovare, e së dyti edhe për BE’në. Një proces i tejzgjatur dhe aspak i drejtë, krahasuar me obligimet e shteteve të tjera, ka ardhur koha që të përfundojë.

Kosovës iu vunë kritere për t’i plotësuar të atilla çfarë nuk ishin njohur më parë, madje edhe të atilla që shtete të caktuara të BE’së nuk i kishin të plotësuara kur u bënë pjesë e familjes europiane, e disa nga to ende ende nuk i kanë plotësuar.

Me probleme, sfdia e zvarritje, kriteret u plotësuan. Për fajin e politikëbërësve u humbën gati tre vjet me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, që sërish u ratifikua si në versionin fillestar.

Megjithatë, gjithë kjo punë nuk u vlerësua nga BE. Përkundrazi, qasja e Brukselit ngre dyshime se ende ekzistojnë dilema për heqjen e vizave. Ende nuk ekziston vullneti i duhur për t’u ndërmarrë veprimi i nevojshëm.

Serbia, ndërkaq, ka avancuar në rrugën e integrimit. Çdo marrëveshje e nënshkruar me Kosovën i është shpërblyer me hapa përpara. Nga shtet përgjegjës për të gjitha vuajtjet, qindra-mijëra viktimat e miliarda shkatërrimet e luftës në rajon, Serbia është kthyer në shtetin që ka përfituar më së shumti. E viktimat më të mëdha të saj, Bosnja e Kosova, kanë ngelur prapa, me probleme funksionaliteti e integriteti, pikërisht shkaku i Serbisë.

* * *

Kosova vazhdimisht ka pranuar çfarëdo që është propozuar nga Brukseli. Por tash është koha që të kundërshtojë vazhdimin e dialogut pa e marrë liberalizimin e vizave. Ky do të ishte veprimi më normal i mundshëm në një situatë kur frustrimi i kosovarëve ka arritur kulmin, ndërkohë që koncesionet e bëra kanë dëmtuar vendin dhe e kanë ndihmuar Serbinë.

Është e padrejtë që edhe më tej liberalizimi të mbetet kërcënim për të tjera koncesione, për të tjera kompromise të dhimbshme që po paralajmërohen. Përtej deklaratave politike e kurtoazie, kosovarët kanë nevojë imediate që të lëvizin lirshëm sa më shpejt. Sikur të gjithë popujt tjerë. Nuk po kërkojnë privilegje, por vetëm një të drejtë që po vazhdon t’iu mohohet me fajin e klasës politike në njërën anë, por edhe me një pjesë të fajit të Brukselit, në anën tjetër.

Se çfarë ka fituar Kosova e çfarë Serbia pas shtatë vjetësh dialogimi nuk është e vështirë të dihet. Kosovarët kanë mbetur të izoluar, si në burg, e qytetarët e Serbisë hapërojnë drejt BE’së. Kosova ka rrezik të bëhet edhe më jofunksionale – por “me perspektivë europiane”, e Serbia e di saktë se kur mund të bëhet pjesë e familjes europiane.

Nuk duhet lejuar që koncesione e kushtëzime të tjera të bëhen në emër të liberalizimit të vizave, proces që edhe ashtu nuk ka lidhje me integrimet europiane, por është shumë i rëndësishëm, i domosdoshëm, jetik për kosovarët.

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/oped/jo-dialog-pa-liberalizim-545721/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Më Shumë

Vdekja e 60-vjeçares nga Rahoveci

Mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës raportoi se ka vdekur një grua nga Komuna e Rahovecit pasi e njëjta është rrëzuar nga një lartësi...

Barcelona refuzon një ofertë të majme për Raphinhan, kërkon 20 milionë më shumë

Raphinha pritet të largohet nga Barcelona në afatin kalimtar të verës, por vetëm për ofertën e duhur. Sulmuesi brazilian ka shpërthyer në javët e fundit...

Lajmet e Fundit