7.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Kandiq na nderon

Imer MushkolajShkruan: Imer Mushkolaj

Gjakova duhet të mos hezitojë për ta shpallur “Qytetare Nderi” Natasha Kandiqin. Ky akt nuk është ofendim, por nder për gjakovarët dhe të gjithë kosovarët. Ajo ka bërë dhe vazhdon të bëjë shumë për drejtësinë, për Kosovën. Ajo e meriton të jetë bashkëqytetare jona

Ajo vazhdon të punojë për të zbardhur të vërtetat e dhimbshme të luftërave në ish-Jugosllavi. Nuk e ka lehtë ta bëjë një gjë të tillë, pasi është qytetare e shtetit që ishte urdhërdhënës dhe planifikues i tragjedive që morën jetët e dhjetëra-mijëra njerëzve të pafajshëm. Është qytetare e shtetit, udhëheqësia e të cilit ende heziton të marrë përgjegjësinë për krimet e kryera.

Në Serbi e shohin si tradhtare, e quajnë me epitete nga më të pështirat, por ajo nuk zbrapset. Natasha Kandiq është simbol i guximit dhe vendosmërisë që, pavarësisht çmimit që duhet të paguajë, të gjejë të vërtetat që dikush është përpjekur t’i fusë në dhe bashkë me trupa njerëzish të pafajshëm.

Kandiq ka provuar mbi kurriz gjithë mllefin dhe frustrimin e shoqërisë serbe, e cila te ajo ka parë njeriun që nuk ia do të mirën vendit të vet, që përkrah “kriminelët” e jo “viktimat”, që punon ditë e natë për t’i vënë para drejëtsisë “heronjtë” kombëtarë, por që nuk janë gjë tjetër veç kriminelë.

Në sytë e serbëve të verbuar nga nacionalizmi që solli tragjedi përgjatë një dekade, ajo është gjithçka tjetër, përveç serbe. Ajo është “shiptare”, boshnjake – veç serbe jo. Veç tamam serbe jo.

Sepse, serbes së “vërtetë” as që do t’i bënte për viktimat e Kosovës, Bosnjës. Serbja “e vërtetë” do të duhej t’i thurë lavde Karaxhiqëve e Mladiqëve dhe do të duhej t’i duatrokasë trashëgimisë kriminale të tyre.

Kandiq nuk është e tillë. Ajo nuk iu duatroket kriminelëve, por troket në dyert e institucioneve të drejtësisë për të dorëzuar fakte që dëshmojnë krimet e kryera nga “heronjtë e gjallë”, të cilat veprat e tyre kriminale i kanë lartësuar si heroike.

* * *

Natasha Kandiq ka bërë shumë për zbardhjen e krimeve të Serbisë në Kosovë. Ajo ka bërë shumë që përgjegjësit për këto krime të sillen para drejtësisë, për të dhënë llogari. Si veprimtare për të drejtat e njeriut dhe humaniste, ajo do të duhej mirëpritur në çdo cep të Kosovës. Sepse e meriton. Në mos për asgjë tjetër, të paktën për punën e madhe që ka bërë në realizimin e projektit “Libër Kujtimi i Kosovës”, si kontribut madhor që të tregohet e vërteta dhe të ndihmohen gjykatat për t’i ndjekur ata që kanë urdhëruar dhe kanë kryer krime.Bazuar në më shumë se 31 mijë dokumente, është dokumentuar vdekja ose zhdukja e më shumë se 13 mijë kosovarëve.

“Kjo çka po bëjmë ne është arma më e fortë kundër harresës, kundër gënjeshtrave, kundër krimeve… Një ditë kjo do të pranohet, por kjo nuk do të ndodhë pa një luftë më të fuqishme për të treguar të vërtetën”, tha ajo me rastin e prezantimit të këtij projekti në Prishtinë. E ky është veç një kontribut i vogël, karahasuar me atë që Kandiq ka bërë gjatë gjithë viteve të pasluftës për të zbardhur krimet në Kosovë. Kontribut që do të duhej ta kishim dhënë ne për bashkëqytetarët tonë, por që nuk e kemi bërë.

Andaj iniciativa e Kuvendit Komunal të Gjakovës, për ta shpallur “Qytetare Nderi” të vendit që ka pësuar më së shumti nga lufta, është më tepër se simbolikë. Dhënia e këtij titulli, me plot meritë, nuk do të ishte nder vetëm për atë, por për të gjithë ne.

Pavarësisht ndjeshmërisë që mund ta ketë dikush për faktin se Kandiq është serbe dhe nuk u dashka të nderohet një bashkëkombase e Aleksandar Jablanoviqit, iniciativa duhet të kurorëzohet me vendimin e Kuvendit Komunal të Gjakovës për dhënien e tiullit të nderit asaj. Sepse ajo nuk ka asgjë, ama asgjë të përbashkët me Jablanoviqin e as nuk është “rod” i tij.

Ideja për ta shpallur Kandiqin qytetare të Gjakovës nuk ka as karakter antishqiptar, as antinjerëzor, e as ofendues. Përkundrazi, është akt patriotik që asambleistët gjakovarë nuk do të duhej të hezitonin për ta ndërmarrë.

Kandiq nuk e përfaqëson Serbinë kriminale, por ajo e kundërshton, e lufton atë. Ajo nuk e përfaqëson krimin, por lufton ta dënojë atë, pa marrë parasysh nga kush është kryer. Dhe për këtë meriton të nderohet.

* * *

Në valën e inflacionit të çmimeve e dekoratave, Gjakova ka shpallur disa “qytetarë nderi” viteve të fundit, në mesin e tyre edhe Sali Berishën, Bamir Topin e Stipe Mesiqin.

Mund të supozojmë se Berisha e Topi e kanë marrë këtë titull veç pse janë shqiptarë, e jo se kanë dhënë ndonjë kontribut të veçantë për Gjaovën e gjakovarët. Edhe për rastin e Mesiqit besoj se kriteri i etnisë ka qenë kryesori për ta nderuar.

Nëse gjakovarët ndihen krenarë pse bashkëqytetarë të tyre janë Berisha, Topi e Mesiq, pse do të duhej të mos ndiheshin të tillë për Kandiqin? Arsyetimi për përkatësinë e saj etnike është banal dhe i paqëndrueshëm.

Më shumë na nderon dhe i bën mirë Kosovës Natasha Kandiq, që është serbe, sesa plot shqiptarë që në emër të patriotizmit nuk lënë gjë pa bërë në dëm të vendit të vet. Gjakovarët dhe të gjithë kosovarë duhet të dinë ta çmojnë këtë./Gazeta Express/

Më Shumë

Juventusi nis punën për transferimin e Zhegrovës

Juventusi në verë mund të nënshkruaj me yllin e Kosovës, Edon Zhegrova. “Zonja e Vjetër” rikthehet në Ligën e Kampionëve, prandaj do të investojë në...

Nesër ditë zie në Kosovë

Nesër do të mbahet ditë zie në Kosovë. Kështu ka bërë të ditur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. “Nesër do të jetë ditë zie shtetërore në...

Lajmet e Fundit