22.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Kapuçkuqi

AG APOLLONI

(Shënime personale për Ditën e Librit)

Sot u zgjova, si çdo ditë, në atë pjesë të ditës që korrespondon me emrin tim. Por, ndryshe nga herët më të shpeshta, kur zgjohem i tmerruar nga ëndrrat, ose i turbulluar nga pamundësia për ta kujtuar ëndrrën që jam i sigurt se e kam parë, sot u zgjova i buzëqeshur. E pashë në ëndërr dramaturgun George Bernard Shaw. S’di çka do të mund të thoshin psikanalistët për këtë, por në këtë rast unë jam krejt i pafajshëm: as nuk e thirra, as nuk e përmenda dje, as nuk e lexova këtë javë. Thjesht erdhi. Po e jap skenën, sado që është e pamundur të jepet besnikërisht, sepse, siç thotë J. L. Borges, “ëndrra shihet, prandaj nuk mund të rrëfehet”, që, ndryshe i bie, ëndrra është mimetike, prandaj s’mund të kthehet në diegjetike, apo ëndrra është film dhe s’mund të kthehet në tregim. Po e tregoj për aq sa e mundësojnë ligjet e rrëfimit. Në fakt, më shumë se rrëfim, është përshkrim: Ishte sallë e madhe, që më ngjante me fakultetin ku jap mësim. Unë u afrova te dritarja (këtu pak prishet koncepti i fakultetit “tim”, pasi aty mund të shohësh nga xhami i derës, por jo nga xhami i dritares, pasi unë jap mësim në kat të dytë dhe pa flatra s’mund ta vëzhgosh sallën. Nejse! Është ëndërr dhe ëndrrat kanë ligjet e veta fantastike). Pra, pasi u afrova te dritarja, pashë sallën plot me studentë, por çuditërisht, asnjë nuk e njihja dhe të gjithë ishin mbi pesëdhjetë vjeçarë. Të gjithë dëgjonin me shumë vëmendje, me fytyra serioze, ndërsa para tyre fliste krejt cullak George Bernard Shaw. Çuditërisht, ndonëse ashtu cullak, ai dukej se fliste seriozisht. Nuk më bëri përshtypje pse kishte vendosur të fliste “ex cathedra” pa rroba, por pse fliste seriozisht. Gjithmonë, e kisha paramenduar si njeri që kur fliste, ose e mbyllte njërin sy, ose buzëqeshte me njërin cep të buzës. Nuk e di pse e kam paramenduar kështu, por ndoshta nga humori shpesh tallës që është shenjë dalluese e karakterit të tij. Pra, ëndrra ishte thjesht imazh. Mua s’më lejohej të hyja brenda në sallë (edhe pse s’më ndalonte kush, ma ndalonin ligjet e ëndrrës!) dhe … më doli gjumi.

Duke mbajtur sytë në tavan, u mundova një copë herë ta zbërtheja ëndrrën. Vrava mendjen pse Shaw jepte “show” në subkoshiencen time dhe pse kësaj ëndrre i mungonte tallja, edhe pse protagonist i saj ishte tallësi më i madh irlandez. Pastaj, më vetëtiu një ide, që nuk jam i sigurt se është shpjegimi i duhur: dramaturgu kësaj here nuk kishte zgjedhur të tallej me fjalë, por me paraqitje. Dhe s’di pse m’u dhimbsën ata që e dëgjonin me aq seriozitet.

Pasi mendova se e deshifrova ëndrrën, mora një libër që kisha te kryet me shpresë që të lexoja diçka që i shkonte kësaj dite të shënuar të letërsisë. Lexova kapitullin “Mrekullia e librit”. Aty, në atë kapitull, Borges citon pikërisht atë mysafirin e ëndrrës sime (o, zot, edhe këtu paska hyrë ky!), i cili paska thënë se biblioteka e Aleksandrisë është kujtesa e njerëzimit. Natyrisht, vizionari i verbër argjentinas shton se libri ka diçka më tepër se kujtesën, ai mban edhe imagjinatën e njerëzimit. Mandej, dihet ku hyn e ku del ky autor: prej lashtësie deri në ardhmëri. Thotë se libri një kohë shihej si surrogat i fjalës së shkruar, prandaj as Pitagora, as Sokrati, as Buda s’pranonin të shkruanin, por ngulitnin fjalimet e tyre në kujtesën e nxënësve të tyre. Prandaj, thotë se dëgjuesit që shkruan mësimet e mësuesve duhet të shihen si pavdekësia e mësuesve. Mandej, përmend dy armët e Aleksandrit të Maqedonisë, të cilat heroi dybrirësh (domethënë Aleksandri) i mbante nën jastëk: shpatën dhe “Iliadën”. Tregon, po ashtu si erdhi koncepti për librin si diçka të shenjtë dhe tregon se si një libër mund të zëvendësojë atdheun, duke parafrazuar thënien e poetit Heinrich Heine se atdheu i çifutëve është Bibla. Tregon se si besohej që librat i shkruante Shpirti i Shenjtë dhe, pastaj, prapë i kthehet ironikut George Bernard Shaw (prapë ky!), i cili, i pyetur nëse besonte se Bibla ishte shkruar nga Shpirti, ishte përgjigjur: “Çdo libër që ia vlen ta rilexosh, është shkruar prej Shpirtit”.

Pastaj, ndërsa lexoja idetë e tij për librin “Don Kishoti”, s’di pse m’u kujtuan do vargje të gjyshes sime. Pse e bëra këtë lidhje, mos kërkoni shpjegim, se ashtu si m’u shfaq befasishëm dramaturgu në ëndërr, më erdhën edhe vargjet e gjyshes në kujtesë. Kur isha i vogël dhe mezi kuptoja fjalët e njerëzve, gjyshja më merrte në prehër dhe më thoshte një vjershë. Vjersha ishte kjo:

Kapuçkuqi te mullini

Kujtoj maca se â’ mini

Nuk ish mini, po ish zhapini

Kjo poezi “dadaiste” e gjyshes më bënte të shkrihesha gazit. Dhe gjyshja qeshte bashkë me mua. E kuptoj se ju që po e lexoni këtë tekst, mund ta shihni thjesht si një përçartje, pasi nuk jeni në moshën që isha unë atëherë kur kjo poezi më kënaqte. Kjo vjershë për mua ka qenë poezia e parë, drama e parë, filmi i parë. Kishte të gjitha elementet dramatike të mjaftueshme për një fëmijë. Kishte fillimin, por ky fillim ishte mashtrues. Na shfaqet Kapuçkuqi, që unë e mendoja si një mullixhi me tesha pak a shumë si të Babadimrit (nuk di pse e mendoja kështu, ndoshta pse të vetmet ngjyra që shoh në këtë poezi, janë ato që shohim edhe te veshja e Babadimrit: bardh, sepse mulliri lidhet me miellin, mielli me të bardhën; kuq, sepse ishte Kapuçkuq. Nuk e di pse macen, minin dhe zhapinin s’i paramendoja me ngjyra). Pas fillimit, Kapuçkuqi zhdukej (si një aktor që thotë prologun në një shfaqje të Shekspirit) dhe fillonte filmi “Tomy and Jerry”, versioni i gjyshes. Dhe, pasi Tomy ishte budalla, kurse Jerry gjeni, fundi do të ishte në kurriz të maces. Në vend të “minit”, “maca” gjen “zhapinin”. Suspansa shtrihet në vargun e dytë, surpriza në të tretin. Edhe nëse isha nervoz apo duke qarë për arsye foshnjore, a fëminore, kjo poezi më bënte të buzëqeshja, ndërsa vargu i fundit i saj më bënte të qeshja tepër. Herën e parë kam qeshur sepse edhe unë jam befasuar si macja, sepse s’kishte asnjë element paralajmërues që poezia do të përfundonte me një zhapin. Por, tevona, kur e dëgjoja të përsëritur (unë nuk e di sa qindra, apo mijëra herë ma ka përsëritur gjyshja), qeshja me surprizën, sepse unë e dija fundin, kurse macja jo.

Kam dëgjuar se shumica e fëmijëve janë rrritur me përrallën e Kësulëkuqes. Unë jam rritur me “përrallën” e Kapuçkuqit, të cilin gjyshja kurrë s’ma ka përshkruar. Me nje stil eliptik, ajo kishte menduar se përshkrimi metonimik ishte i mjaftueshëm. Ndoshta, është pikërisht misteri që e shoqëron atë figurë arsyeja pse Kapuçkuqi për mua mbetet më i dashur se Kësulëkuqja. Kësulëkuqen e njoh të gjithën: vajzë e vogël, me fustan e kapele të kuqe, me një shportë në dorë. Kapuçkuqin veç e marr me mend që është mashkull, por asgjë tjetër. Dhe është ky që më tërheq më shumë, ndoshta sepse gjithmonë më ka tërhequr misteri.

Natyrisht, secili shkrimtar, madje secili njeri, ka një depo me kujtime dhe ëndrra, apo me kujtime dhe dëshira (në psikanalizë, ëndrra është dëshirë). Unë zgjodha këtu vetëm dy inserte që më erdhën pa i kërkuar në Ditën Botërore të Librit, që festohet për nder të dy gjenive: Servantesit dhe Shekspirit, njëri prej të cilëve tregon ëndrrën (dëshirën) e “heroit” për ta ndryshuar botën, ndërsa tjetri paraqet makthin që prodhojnë ëndrrat tona, ndërsa të dy së bashku bëjnë pjesë në kujtesën e njerëzimit. Fundja, vetë Shekspiri e ka thënë se ne jemi bërë nga i njëjti brum prej të cilit janë bërë edhe ëndrrat.

Sigurisht, për Ditën e Librit, do të duhej të thosha ndonjë gjë më të mençur. Dhe ju mund të pyesni pse e thashë pikërisht këtë. Po ia jap fjalën shpotitësit G. B. Shaw që t’ju përgjigjet: Ju të gjithë thoni “pse?”, kurse unë them “Pse jo?”.

Më Shumë

Osmani: Më 24 mars të ’99-ës aleancat e botës demokratike u bënë bashkë për të parandaluar shfarosjen e popullit të Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani ka falënderuar aleancën veri-atlantike, NATO-n dhe ushtarët e saj për kontributin që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për Kosovën. Sot në...

Ndërmarrja “3D-Fesali” në Prizren, partneri më i besueshëm për çdo projekt ndërtimi

Ndërmarrja “3D-Fesali” në Prizren ofron shërbime të ndryshme në sektorin e ndërtimit. “3D-Fesali” është partneri juaj i besueshëm për çdo projekt ndërtimi. Këto shërbime përfshijnë: Projektim Ndërtim Mbikëqyrje Revidim Demolimi i...

Lajmet e Fundit