16.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Keqkuptimi estetik i Rugovës!

Visar K. Berisha

Rugova ishte socialdemokrat dhe nacionalist. Nacionalist atipik! Idetë e tij kombëtare ishin me brumë social. Ai i besonte shtresës së mesme dhe intelektualit (LDK e fillesës). Ishte atipizmi i tij ai që i ka ngjallur më së shumti probleme. Ai ishte keqkuptimi i tij më i madh.

Njerëzit inteligjentë me prejardhje provinciale kanë gjithmonë një epsh shpërthyes, dalës. Ata kanë një paranjohje për realitete që duhet jetuar. Intensiteti i kërkesës te ta është infinitizmal. Dhe kur ata prekin majat marrin titullin e mjeshtrit. Mjeshtër i njohjes së shenjave. Por para kësaj vjen rënia (disheza) e paragjykimeve, moralit të rremë, mësimeve koniunkturale… Shumë prej nesh nuk e kalojmë këtë pengesë, prandaj edhe mbesim te shumica. Ata të paktit dalin në krye. Dhe tërheqin qerren e madhe të ideve. Ndërtojnë konstruksione letrare, kombëtare… Fishkëllejnë atë melodinë e bukur që të gjithëve na rri ndër buzë e nuk dimë ta nxjerrim.

Rugova ishte ndoshta i vetmi produkt i dendësuar iluminist (akuzohet edhe Kadare) ndër shqiptarët e njohur në vend.

Çka përfaqëson ky koncept? Ndoshta fitoren reale të Luftës së Dytë Botërore. Lirinë e ideve, dekolonializmin, barazinë shoqërore, raciale, gjinore. Ose ndryshe, krejt këto kanë prodhuar aklamimin e së drejtës individuale për t’u barabarësuar qysh në gjenezë. Te iluminizmi janë përfaqësuar liritë themeltare të individit, në intimitetin e vet (edhe revolucioni seksual, po). Nuk janë përkryer ato liri por shpërthyer kanë. Rrugës edhe kanë rënë moralisht. Por parimet iluminuese kanë mbetur: barabarësi për të gjithë, deri në fund.

Metodat e perfeksionimit të lirive dhe rikthimit në qendër të dinjitetit të personit nëpërmjet mosdhunës, janë thesari më i çmuar që detashmenti filozofik ka prodhuar atëherë. E, Rugova para se kritik letrar ai ishte filozof. Filozof që e laton lirinë e njerëzve të vet me latën e padhunë. Ai ka konstruktuar së pari ide, i ka proklamuar ato pastaj me një intensitet të butë por të pandalshëm i ka mbrojtur ato.

Rugova ishte socialdemokrat dhe nacionalist. Nacionalist atipik! Idetë e tij kombëtare ishin me brumë social. Ai i besonte shtresës së mesme dhe intelektualit (LDK e fillesës). Ishte atipizmi i tij ai që i ka ngjallur më së shumti probleme. Ai ishte keqkuptimi i tij më i madh. Rruga, metodat… Pak kush e kishte kapur qëllimin e tij për ta konstruar idenë e re nacionale. Për më shumë se pesëdhjetë vjet njerëzit e tij kishin mbetur te metodat e njëmijenëntëqindedymbëdhjetës. Një pushkë e fikur diku, më pas një këngë dhe në fund një mit. Rugova kishte obligim përpara historisë ta shpërbënte këtë mentalitet dhe ta nxiste një rrugë të re çliruese. Çlirimin e ideve. Konstruimin e një kaste të re frymëzuesish. Intelektualin sartrian. I cili, sa radikal në parime aq do ishte qytetar në metoda. Rugova dëshironte të ndërtonte një shoqëri të pavarur. Me ide të veta. Ai e kishte kuptuar se njerëzit e tij do të duhej ta këpusnin kërthizën me Shqipërinë nëse një ditë do të donin të bashkoheshin me të. Në një marrëdhënie o do hysh i barabartë, o do ta dështosh atë. Kishte ardhur koha ta konsideronim vetën qendër dhe jo më periferi. Rugova po i lironte njerëzit e vet nga kompleksi i inferioritetit.

Ai u keqkuptua në krejt këtë rrugë nga getot e majta brenda shoqërisë. Gjithë ai konstruksion ideologjik i ethur nga një totalitarizëm stalinist, nuk mund t’ia falte atij dështimin e vet. Të mos e harrojmë faktin se destalinizmin Rugova e kishte struktural. Ai mund të krahasohet me personazhin kryesor të Orwellit, te 1984.

Rugova kishte një defekt dhe një armik. Defekti ishte substancial. Ai nuk ishte politikan praktik! Dhe ishte krejt normale. Nuk kishte qenë në leksionet ku mësohej pushtetmbajtja. Pushteti i tij ishte i ideve. E kundërta iu ndodhte getove majtiste. Ata nuk e kishin fituar kurrë pushtetin e ideve por ishin të regjur në pushtetin mbi njerëzit (liritë). Për ta thelluar problemin Rugova shumë shpejt e kuptoi mangësinë e tij dhe në vend se të bënte përpjekje për ta zgjidhur, hoqi dorë krejt. Aty mori goditjen e parë.

Armiku i tij ishte koha. Askush jashtë Kosovës nuk kishte kohë të priste barazimin tonë me shoqëritë e pjekura. E kjo donte kohë. Së paku një gjeneratë. Konstelacionet ndërkombëtare kërkonin zgjidhje brenda logjikës së tyre. Kështu ato gjetën një tjetër rrugë, atë të vjetrën, për t’i ndërruar epokat. Nuk është se Rugova nuk e njihte qarku historik të përsëritjes së zgjidhjeve por ishte tepër i zënë me iluminimin shoqëror. Që nënkuptonte dekontaminim e ideve për të ardhur deri te zgjidhja. E kush kishte kohë për këtë. Kjo ishte goditja e dytë.

Në fund i mbeti veç një mjet. Krijimi i iluzionit se po e jetonim paqen (që s’ishte e tij) edhe pse goditeshim për shkëmbinjtë e luftës civile.

Sot rugovistë (njohës/bartës) gjen shumë pak. Ata janë të heshtur. Këta që zhurmojnë janë një telefon i prishur që kurrë s’e kishte kapur mesazhin.

Sot jetojmë në një shoqëri që ka keqkuptuar vetveten!

Më Shumë

Memli Krasniqi propozon Bedri Hamzën për kryeministër

Kryetari i Partisë Demikratike të Kosovës, Memli Krasniqi pritet ta propozojë sot Bedri Hamzën kandidat për kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Kreu i PDK-së ka...

Jasharaj: Po përgatitemi për grevë

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari ka deklaruar se nëse qeveria aktuale në vend nuk merret me kërkesat dhe shqetësimet e paraqitura nga kjo sindikatë,...

Lajmet e Fundit