14.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Koalicioni PDK- LDK është model austriak- e jo gjerman!

Beq CufajBeqë Cufaj

Koalicioni mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është quajtur dhe po quhet si “model gjerman”- model që i ngjet CDU/CSU-së dhe SPD. Them që kjo nuk qëndron. Jo vetëm pse Kosova nuk e ka luksin gjerman por edhe për shumë shkaqe tjera.
Por para se të them mendimin tim pse kjo s’është e vërtetë kujtoj që do të ishte e rëndësishme të thuhet diçka për atë që dikur i thoshim Bllok. Blloku tashmë mund të quhet vetëm si një histori së cilës askush s’do t’ia ketë më dëshirën t’i kthehet. Është thjesht tragjikomike mënyra sesi një grupim mëse heterogjen politik nuk arriti jo vetëm të ruante unitetin por në ndërkohë edhe të nisë me akuza e kundërakuza publike të cilat nuk u kanë hije njërës- apo palës tjetër. Tekefundit janë këta politikajë që tashmë për gadi një dekadë e gjysmë sa janë bashkë e sa armiqësohen… kurse mvartësit e tyre vuajnë pasojat e (gjoja) grindjeve të tyre. Më duket që sot e kishte thënë më së miri Arben Qirezi në Koha Ditore kur e quante këtë sistem si një lloj karteli të elitave politike të Kosovës.

Kjo mund të thuhet sidomos për ish-Bllokun kur në pah dolën kokëfortësia e Haradinajt dhe dredhia e Mustafës. Por të jemi realist: Mustafa iku në çastin e fundit (dikush po e quan tradhti e dikush po i thotë mjeshtri- them që të dyja qëndrojnë ngapak) kur më nuk kishte nga t’ia mbante. Sepse nëse Haradinaj do të kishte lëvizur atëherë për LDK-në do të mund të thuhej ajo që përkrahësit e Haradinajt por edhe Kurtit por edhe këta të dy po e thonë.
Në fakt, ajo që në këta pesë muaj amullie ngjau është se nga ky proces i vështirë dolën disa mësime. Po i numëroj disa që i shoh si të arsyeshme të përmenden.

Sistemi kushtetues i Kosovës nuk lejon koalicione paszgjedhore. Një absurd por për këtë një mësim që në të ardhmen duhet të kihet parasysh kur shkohet në zgjedhje të reja. Edhe sot e kësaj dite e vlerësoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese si të padrejtë por ai u respektua dhe kjo është për t’u shënuar- si nga ish-Blloku por sidomos qytetarët e Kosovës të cilët duronin ato mbledhje absurdi që i bënin çdo ditë.
Së dyti them se me këtë Koalicion të ri, i cili nëse jetësohet siç është arritur në parim, atëherë Kosova po hyn në një etapë të koalicionit të dy partive më të mëdha dhe më popullore të vendit të cilat, për dallim prej shumë kolegëve dhe sidomos politikanëve, po mundohen ta emërtojnë si një “model” gjerman, them që shumë më tepër i shkon modelit austriak. Kjo duhet thënë ngase historia politike e Gjermanisë tregon që në këtë vend koalicionet e mëdha janë jo vetëm të padëshirueshme por në fakt edhe të panatyrshme. Deri më tashti në historinë 60 vjeçare të Gjermanisë kanë ekzistuar vetëm tri këso koalicionesh dhe ky i tashmi që është mes Zonjës Merkel dhe Zotit Gabriel vështirë që do të shkojë deri në fund. Vitin që vjen sipas gjase në Gjermani do të mbahen zgjedhje të parakohshme sepse socialdemokratët duan të bashkëqeverisin me ish-komunistët e DDR-it edhe në Berlin dhe kjo do t’ju mjaftonte ta dërgojnë Merkelin në opozitë.

Për këtë shkak dhe jo vetëm, modeli i Kosovës kur dy partitë më të mëdha të vendit qeverisin është me atë të Austrisë. Në këtë vend, prej pas luftës së dytë Botërore, dy partitë e mëdha, ÖVP dhe SPÖ kanë qeverisur së bashku për më shumë se 50 vite. Kthejmë kokën prapa drejt historisë së re politike të Kosovës dhe shohim që në fakt LDK e PDK kanë qeverisur shumicën e kohës së bashku. Edhe nën UNMIK kur quheshin “institucione të përkohshme” por edhe pas pavarësisë.
Tashti kur LDK bëri eksperimentin me AAK dhe nuk shkoi edhe aq mirë dhe kur PDK bëri eksperimentin me Pacollin dhe përfundoi siç edhe dihet ishte logjike që dy të mëdhenjtë të hidhen në përqafim të njëri-tjetrit.

Po me VV!, AAK, Nismën… si opozitë? Po. Do të jenë opozitë por në rrethanat e tashme, të përçarë siç janë dhe pa ndonjë gjasë të nxisin votues të ri- them që e kanë zor të kalojnë mbi limitet e tashme të numrave dhe sidomos qasjes. Sepse të mëdhenjtë, në një peisazh politik siç e ka Kosova, megjithatë do të gjenerojnë edhe më tej me klientelizmin e votës e cila mban stabilitetin e plus-minusit por mbi 25 përqindshin e votave që i bëjnë parti popullore. Asgjë s’do të ngjajë më ndryshe as në legjislaturën e ardhshme e cila këtyre dy partive të mëdha do t’ua jep.

Ky është realiteti-na pëlqeu ai apo jo.
Dhe ky mund të prishet vetëm nëse këto dy parti bëjnë gabime fatale në qeverisje dhe nëse nuk e (ri)nisin me vrull projektin e bashkëqeverisjes… i cili tash për tash nuk po shihet.
Në gjendjen në të cilën Kosova, shteti më i ri, më i varfër, më i izoluar, me një imazh katastrofal që është… ndoshta ky koalicion është edhe e vetmja përgjigje, i vetmi realitet i mundshëm politik. Përtej idealizmave dhe dëshirës në mendim: PDK e LDK e kanë rastin që në këtë fazë qeverisëse o të fillojnë ta rregullojnë këtë shtet dhe me këtë edhe nisin një etapë të re të ekzsistencës së tyre politke o të falimentojnë të dyja së bashku dhe hapin rrugë njëherë trazirave e mëpas kurimit të tyre./Gazeta Blic/

Më Shumë

Lajmet e Fundit