22.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Koha e AAK-së për zhvatje

“Ka ardhë koha” ishte sllogani i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në fushatën e fundit zgjedhore. Tash, gati dy vjet më vonë, partia po e gëzon pjesën e vet të përfitimeve nga pushteti. Zyrtarë të lartë të saj e kanë mbushur Telekomin me familjarë, ndërkohë që thonë se kompania është në prag të falimentimit. Nesër kështu mund të falimentojë edhe shteti. Por, me rëndësi taksa 100%.

Imer Mushkolaj

Djali i deputetes, burri i një deputeteje tjetër, motra e deputetit, djali i një deputeti tjetër, e reja e ministrit… Nuk janë me rëndësi emrat, e rëndësishme dhe e përbashkët e të gjithëve është se i takojnë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të gjithë janë rehatuar në Telekomin e Kosovës, një ndërmarrje që politika dhe grupet e interesit e kanë sjellë buzë falimentimit. Janë këta vetëm disa nga familjarët e zyrtarëve të AAK’së që kanë gjetur punë në këtë kompani, ndërkohë që lista është shumë më e gjatë dhe vazhdon me kompani e institucione të tjera publike.

“Ka ardhë koha” ishte sllogani i partisë së kryeministrit aktual në fushatën e fundit zgjedhore. Propagandohej se ka ardhë koha që vendi, më në fund, të qeverisej ashtu si duhet nga Ramush Haradinaj. Flitej për qeverisje ndryshe, qeverisje të pastër e efikase. Nuk vonoi shumë e qytetarët patën mundësi t’i shohin frytet e para të kësaj qeverisjeje, e mbushur plot skandale që nuk kanë të ndalur, me fokus në shpenzimin e parasë publike dhe punësime partiake.

Pas PDK’së e partive të tjera që ishin në pushtet, radha i erdhi AAK’së që ta marrë “hisen që i takon” nga të qenët në qeverisje. Nisi me punësime nëpër institucione e agjenci të ndryshme dhe vazhdoi, po ashtu me punësime nëpër kompani publike. Natyrisht, bashkë edhe me partnerët e koalicionit “të vendimeve të mëdha” që premtonin “fillim të ri” e “një të punësuar nga çdo familje”.

“Fillimi i ri” i PDK’së do të jetë veç vazhdim i zhvatjes së deriatëhershme, premtimet për punësim të Nismës dolën të jenë të realizueshme vetëm për familjarë e militantë të partisë, e sllogani “ka ardhë koha” i AAK’së dëshmon më së miri atë që po ndodh – i ka ardhë koha kësaj partie që të zhvat e përfitojë poste e privilegje, ashtu si shumica e partive të tjera.

* * *

Të enjten, në një debat televiziv, Ramush Haradinaj në njëfarë forme i arsyetoi punësimet e militantëve partiakë nëpër institucione e kompani publike, duke thënë se AAK nuk kishte qenë në pushtet 12 vjet dhe se aktivistët po i kërkonin punë. Logjikë e papranueshme për një vend me nivel të lartë papunësie, me mijëra të rinj që çdo ditë bëhen pjesë e tregut të punës, por nuk ia dalin të punësohen sepse nuk i takojnë një subjekti politik – AAK’së në këtë rast.

Njëri nga deputetët e AAK’së e arsyetoi punësimin e djalit të tij në Telekom duke thënë se ai kishte një përgatitje fantastike, thua se mijëra të tjerë si djali i tij nuk dinë gjë dhe, çuditërisht, pikërisht djali i tij doli të jetë më i miri. Një deputete e AAK’së tha se burri i saj nuk kishte punuar 20 vjet dhe la të kuptohet se është mirë që, më në fund, ka gjetur punë, e një deputete tjetër tha se nuk do të dëshironte që djali i saj të ishte punësuar në Telekom, por ja që kishte ndodhur.

Hipokrizi, arsyetime koti, pa fije brejtjeje të ndërgjegjes se i kanë rehatuar familjarët në një kompani për të cilën, po këta, çdo ditë thonë se është në gjendje të rëndë dhe në prag të falimentimit. Siç çdo ditë, bashkë me shefin e tyre, flasin për situatë jo të favorshme ekonomike e sociale në vend, por nuk ngurrojnë ta ngarkojnë buxhetin modest të Kosovës me miliona euro për pagesa të dhjetëra skemave sociale, nuk ngurrojnë t’i harxhojnë rezervat shtetërore, nuk ngurrojnë të shpërndajnë para gjithandej me vendime qeveritare. Sikurse Telekomi, nesër mund të falimentojë edhe shteti.

Pra, flasin për qeverisje të mirë ata që mbushin kompani e institucione me familjarë, ata që marrin paga të majme e të tjera beneficione për të cilat kanë votuar vetë. Edhe mund të konsiderohet qeverisje e mirë, por vetëm për ata dhe të afërmit e tyre. Të tjerët, në pamundësi për të gjetur një vend pune, kanë zgjedhur rrugë të tjera. Ata po e braktisin këtë vend të kapur e të zhvatur nga një kastë politike që nuk e di kur është boll.

* * * Katër muajt e fundit debatin në vend e ka dominuar taksa ndaj Serbisë. Ndërkohë, ka vazhduar rehatimi i militantëve partiakë nëpër institucione, shpërndarja e parave të buxhetit e trashja e luksit për zyrtarët. Gjithçka nën petkun e taksës e diskursit populist. Gjithçka në kurriz të qytetarëve që naivisht mendonin se “ka ardhë koha” për ta./gazeta express/

Më Shumë

Hajnat futen në tri shtëpi në Rogovë, vjedhin mijëra euro dhe stoli ari

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur mbesin...

“Guraziu” në Prizren, me 20 vjet përvojë pune në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes

Ndërmarrja “Guraziu” është specializuar në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes. Pronari, Arton Guraziu, ka një përvojë prej 20 vjetësh. Adresa e...

Dhimbja

Lajmet e Fundit