10.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Kosova nuk më do

Edison Ypi

Çikat e Kosovës gjatë bisedave të lira flasin një Shqipe me të lujt menia e kres. Mjaltë e tëra. Muzikë, sinfoni, Shtraus, Danub, Drin, vals. Aq e ëmbël, aq mahnitsëse, është Shqipja e tyre, sa duke e dëgjuar të ndalet fryma. Ndërkohë, Shqipja komunikative mediatike e çikave dhe çunave të Kosovës, një mballosje snobiste e dialektit kosovaresk me Shqipen standarde, është aq katastrofike sa bindem se Kosova, njëra nga gratë e mia më të hirshme, më të hatashme, të cilën prej shekujsh e dashuroj dhe më dashuron, tash sa kohë nuk më do më.

Kosova vend i lirë, do duhej të qeverisej, begatohej e lartësohej në të gjitha nivelet, nga krema e saj, intelektualët e ndershëm që Kosova i ka, të rinjtë e fuqishëm që Kosovës nuk i mungojnë, të shkolluarit mendjendritur ardhur nga aulat e universiteteve. Por Kosova kontrollohet në çdo skutë nga hajnat, dishepujt e kurvit ardhur nga bodrumet e marksiszëm leninizmit që po e bëjnë Kosovën lesh arapi, ekzakt ashtu si shkaut i konvenon, pa Bogdan, Bud, Lasgush, Kadare, Dante, Beethoven, Shekspir, plot me pëllitje arabike imamësh nëpër minare. Prandaj jam i mërzit, dhe uluras; Mua që për Kosovën qaj, Kosova që më ka dash, nuk do me më pa më me sy.

Gaz lotsjellës në Parlament, është një kujë dhe një llahtarë e papërfytyrueshme që nuk duhet të ndodhë kurrën e kurrës në asnjë rrethanë, sado dramatike. Megjithatë ndodh. E meqënse ndodh, për mua që për Kosovën vdes, ka vetëm një kuptim; Kosova mua nuk më do.
Humori televiziv kosovaresk është aq qesharak sa të vjen turp me e pa e me e nigju. Debati televiziv në Kosovë është më gdhë se i Shqipërisë. Komentet e kosovarëve nëpër rrjeta socjale, janë më të trasha se vetë trashësia. Sado ta dua unë, një vend me nivel komunikimi të tillë, nuk mundet me më dash mua.
Përditshmëria e bën televizionin. Televizioni nuk e bën dot përditshmërinë. Kosovarët dhe kosovareshat e pispillosura televizive, vetëm me biseda të sheqerosura, batuta pa kripë, modë, muzikë, kuzhinë, pa asnjë lidhje me faktet e përditshmërisë, pa diell që lind, pa erë që fryn, shi që lag, pa pula që kakarisin, pa gjela që këndojnë, qen që lehin, vrasës dhe të vrarë, rrahës dhe të rrahur, vjedhës dhe të vjedhur, sado të lodhen e përpëliten nuk e bëjnë dot televizionin.

Rrjedhimisht Kosova mua nuk më do.

Me ardh në gusht në Durrës me u rrezit pranë detit. Me ndejt në diell aq gjatë sa lëkura me tu përzhit me shpesë se dielli të ka hy në brendësi të mishit dhe deri gushtin tjetër aty do rrijë, keq më vjen ta them, por Ti Kosovë këtë e bën. Domethënë që mua nuk më do. Po të më doje, nuk do ta bëje.
Ti Kosovë bën çdo ditë e më tepër pica, bifteqe hamburgera, për snobat që janë pakicë, dhe çdo ditë e më pak Pasul për kosovarët autentikë dhe për mua që jemi shumicë. Ky është një krim i shëmtuar që, mes tjerash, provon se nuk më do.

U lirua Ura në Mitrovicë. Bukur. Mezi e pritëm. Por shembën Xhaminë. Më mirë të kishin shembur gjysmën e Prishtinës se Xhaminë e vjetër të Mitrovicës. Xhaminë e Tiranës as kurvi nuk guxoi ta preki. Xhamia e vjetër nuk duhej shembur. Kosova nuk më do, prandaj e shembi.

E kam provu me ju afru Xhulietës time Kosovë, natën si Romeo, ditën si Don Juan, në mëngjez si dashuror, në mesditë si gentleman, nëpër ëndërra si Engjull, nga Morini si teptil, nga Maqedonia si patriot kafeneje, nga Luma si luftëtar çiftelie. E pa mundur. Ajo prej grave për të cilën më së shumti digjem ta kem afër t’ja shpreh dashurinë, ta përkëdhel, ta puth, sa më tepër i afrohem, aq më tepër më largohet. Sa herë nisem në Kosovë përfundoj në Myzeqe, Devoll, Dibër, Pukë, Tepelenë, nëpër maja, gërrxhe, përrenj, shkëmbinj, humnera.

Kosova nuk më do. Kosovën nuk mund ta vizitoj. Në Kosovë nuk mund të shkoj. Në Kosovë s’kam çfarë të bëj. Mua që fill pas bombardimeve udhëtova nëpër Kosovë tre dit e tre net me lot në sy, sot në Kosovë nuk ka kush më pret.
mapo 27 shtator 2016

Më Shumë

Guardiola me çdo kusht e dëshiron transferimin e Musialas

Pep Guardiola raportohet se ka vendosur për objektivin kryesor të afatit kalimtar veror për Manchester Cityn. “The Guardian” raporton se City pritet që të bëjnë...

Moti sot: Me rrebeshe shiu dhe shkarkime rrufesh

Të enjten mbi Kosovë parashihet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell.   Sipas Meteo Kosova, gjatë orëve të para...

Lajmet e Fundit