13.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Kur poshtërohesh nga Hashim Thaçi

IMER MUSHKOLAJ

Më shumë se nga Beogradi, artistët dhe sportistët kosovarë që po ndalen e keqtrajtohen në kufi janë poshtëruar nga Hashim Thaçi. Ai e ka udhëhequr dialogun me Serbinë dhe, nëse për shtatë vjet nuk ia ka dalë që me Aleksandër Vuçiqin të merren vesh për lëvizje të lirë dhe shkëmbime të ndërsjella kulturore e sportive, atëherë për çka ka shërbyer ky dialog?

Një vit pasi ish-presidentja Atifete Jahjaga nuk u lejua të jetë pjesë e festivalit “Mirëdita, dobar dan” që mbahet në Beograd, në kufirin Kosovë-Serbi policia ndali tri fotografi të artistes Eliza Hoxha që do të duhej të ishin pjesë e ekspozitës në kuadër të po të njëjtit festival. Në fotografi shiheshin flamujt e Kosovës e Shqipërisë, si dhe logoja e UÇK’së.

Tre javë më parë, karateistët kosovarë u ndaluan dy herë në kufi dhe nuk u lejuan të marrin pjesë në kampionatin europian që mbahej në Novi Sad. Pak ditë përpara kësaj Kuvendi i Serbisë anuloi ftesën për pjesëmarje të tre deputetëve kosovarë në një konferencë që mbahej në Beograd.

Në fund të marsit, ndërkaq, henbollistet e përfaqësueses kosovare udhëtuan në Serbi për të luajtur kundër përfaqësueses serbe, por ndeshja u anulua.

Gjithë këto veprime janë ndërmarrë nga Beogradi vetëm brenda një viti – shtatë vjet prej se ka filluar dialogu ndërmjet dy vendeve dhe pas një sërë marrëveshjesh të arritura. Kosovën në dialogun që do të duhej të normalizonte marrëdhëniet me Serbinë e ka përfaqësuar Hashim Thaçi, i cili edhe ka nënshkruar marrëveshjen e famshme të Brukselit.

Kaq vjet pas fillimit të dialogut Serbia ndërmerr veprime të tilla poshtëruese, pavarësisht deklarimeve politike të Thaçit dhe të të tjerëve se bisedimet do të sillnin një tjetër situatë dhe do të përmirësonin marrëdhëniet ndërshtetërore.

Por vullnetit politik e kompromisit të Prishtinës, Beogradi në vazhdimësi po i përgjigjet me shantazhe, ndalesa e shpërfillje. Vetëm se për poshtërimin që iu është bërë sportistëve e artistëve përgjegjësi mban edhe Hashim Thaçi. Madje është përgjegjësi më i madh.

Ai e ka udhëhequr dialogun bashkë me homologun e tij serb dhe nëse nuk ia kanë dalë të merren vesh për lëvizje të lirë dhe shkëmbime të ndërsjella kulturore e sportive, atëherë për çka ka shërbyer ky dialog?

* * *

Është hipokrite që pas këtyre ngjarjeve të reagosh në Facebook dhe të thuash se sjelljet e tilla të autoriteteve të Serbisë qenkan në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit që po ndërtohet në rajon, siç bëri Thaçi. Siç është qesharak kërcënimi i Enver Hoxhajt në Tëitter se nëse Beogradi nuk i ndalon veprimet e tilla, do të pasojë reciprociteti. “Si mund të flasim për normalizim, kur Serbia bllokon artistët për të marrë pjesë në ekspozita?”, pyet Hoxhaj.

Këtë pyetje ai është dashur që të ia bëjë me kohë shefit të tij, i cili mban përgjegjësinë për gjithçka që është arritur deri më tash. Kur është dashur të vendosej reciprociteti ose që dialogu të kushtëzohej, kjo nuk është bërë. Për këtë shkak vendi është në situatë aspak të favorshme, me mundësi për kompromise të reja, të dhimbshme përpara. Për këtë shkak qytetarët kosovarë sot keqtrajtohen në kufi. Për këtë shkak Serbia nuk i zbaton marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, ndërkaq liderët kosovarë mjaftohen me reagime në rrjete sociale.

Më shumë se Beogradi, po na poshtërojnë këta tanët me mënyrën si kanë dialoguar, si dhe çfarë marrëveshjesh kanë arritur dhe çfarë kanë prodhuar ato.

Nëse Beogradi nuk lejon artistë e sportistë të prezantohen në Serbi, vetëm mund të paramendohet se si do të realizojë në praktikë obligimet e marrë për çështje shumë më të rëndësishme.

Hashim Thaçi dhe të gjithë të tjerët që kanë qenë pjesë e dialogut duhet t’ia bëjnë vetes disa pyetje të thjeshta: si po i penguaka Beogradit flamuri i Kosovës në një fotografi, ndërkohë që në të gjitha vendbanimet e banuara me serbë valon pa u penguar flamuri i Serbisë? Si po i penguakan Beogradit sportistët kosovarë, kur ata nga Serbia vijnë dhe zhvillojnë takime pa u penguar në Kosovë? Për këtë shkak kanë qenë të nevojshme reciprociteti dhe kushtëzimet në dialog, që tash i përmend Enver Hoxhaj. Vonë shumë, profesor!

* * *

Poshtërimi edhe më i madh nga Hashim Thaçi për shqiptarët e Kosovës ka gjasë të vazhdojë. Së fundi ai ka përmendur arritjen e një kompromisi në dialogun me Serbinë dhe nevojën për një akomodim “më afirmativ” për serbët në Kosovë. Ky lloj akomodimi nënkupton themelimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive. Pra, serbëve do t’iu jepet një lloj autonomie dhe në këtë mënyrë, bashkëqeverisja e Serbisë në Kosovë do të legjitimohet, duke e kthyer shtetin në një krijesë jofunksionale.

Përgjegjësi kryesor për çfarëdo epilogu në raportet Kosovë-Serbi është Hashim Thaçi. Këtë nuk duhet harruar. Por, mbetet në dorën e ghjithësecilit të mos lejojë që edhe më tej të poshtërohet nga ky njeri, vetëm për shkak të ambicieve të tij. Vetëm për shkak të fatit të tij politik.

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/oped/kur-poshterohesh-nga-hashim-thaci-542986/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Më Shumë

Qethja e deleve në familjen e dëshmorit të UÇK-së, Pal Paluca (Foto)

Zyrtarët e Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nw Prizren  kanë asistuar në qethjen e deleve në familjen e dëshmorit të UÇK-së, Pal...

Paraqitje e jashtëzakonshme: KFF Liria triumfon kundër KFF Intelektualeve

Në ndeshjen mes KFF Lirisë dhe KFF Intelektualeve, skuadra e KFF Lirisë triumfoi me një rezultat të thellë, 6:1. Trajneri Sinan Osmani drejtoi vashat e Lirisë,...

Lajmet e Fundit