12.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Ladi

Nga Edison Ypi

Ladi ishte njeri i qeshur. E vetmja gjë që Ladi e shqiptonte i ngrysur ishte kjo; Jeta gjatë së cilës nuk bën dot asgjë të madhe për të tjerët, nuk është jetë, është vdekje.

Ladin e kam pasur shok klase katër vjet në Politeknikum. Katër vjet në një klasë i bie që ta njihja dhe të më njihte mirë. Mirpo, mirë e bukur e këndshëm në Ferrin dhe tmerrin e Shqipërisë së asaj kohe njiheshin ata që gjallonin pa ndonjë preokupim madhor, pa ndonjë brengë që i gërryente, ata që e kalonin mirë, bënin plazh, fejoheshin me një “gocë të mirë” që e kishte babain drejtor ose oficer sigurimi, këmbenin vizita, thurnin miqësira për punë të rehatshme dhe ngritje rroge.

Për ishullarët si Ladi dhe të tjerë të cilëve burgu i madh u rrinte ngushtë dhe i tërhiqte burgu i vogël ku sigurimi i fuste ndonjëherë për t’ua plotësuar dëshirën, njohja nuk funksiononte me proporcionalitet kalendarik, nuk ishte parësore, nuk ishte gjithpërfshirëse dhe e cekët, por specifike dhe e ngushtë, vetëm për çështje themelore.

Gjatë viteve të Politeknikumit, vetëm për një “antikonformizëm” nuk rashë kurrë dakord me Ladin; Ladi i tallte pedagogët. Unë jo. Për mua, mësimdhënësit, për shembull ata të matematikës, fizikës, astronomisë, edhe komunista dhe spiuna po të ishin, ishin dhe mbetën gjithë kohën të shenjtë.

Kur një herë gjatë një behari shkolla iku në një “aksion rinor” Ladi vajti, unë jo. Si atëhere dhe më pas në raste të ngjajshme luajta rolin e budallait. Ladi vazhdimisht më lutej t’ia mësoja rolin e budallait por kurrë nuk munda. Ndoshta sepse rolin e budallait nuk e luaja, budalla isha.

Pas Politeknikumit, na morën ushtar. Ladi në Marinë, unë në një repart kundërajror, të dy nga tre vjet.

Pas ushtrie i rrëfenim njëri-tjetrit grotesket militare të kohës.

Katera silurues me motorra të ndryshkur gjysëm të fundosur, nëndetse me bateri të thara dhe marinarë të alivanosur brenda, alarme pa asnjë shkak, rreziqe imagjinare nga NATO, e të tjera e të tjera, Ladi të shkulte gazit me hajvanllëqet e marinës detare, asaj karakatinës ujore së cilës sot e kësaj dite ca plehra i thurin lavde.

Ladi tallte gjithë kohës nomenklaturën dhe Bllokun për të cilët tregonte vazhdimisht qyfyre dhe barcaleta të forta. Rrëfimin e bënte, si aso kohe ishte në modë, mes të qeshurash, që të lije shteg dalje në rast rreziku.

Sipas një rregulli të pa shprehur por të nënkuptuar, ishullarët e një ishulli mund të takoheshin dhe komunikonin lirisht me ishullarë të ishujve të tjerë. Bisedat dhe vizitat e ndërsjellta bëheshin brenda një lloj aleance ndërishullore për ta mbajtur të gjallë dhe forcuar arqipelagun. Në këtë kontekst, unë dhe Ladi, ishullarë që u përkisnim ishujve të ndryshëm, takoheshim dhe bënim gallatë. E dinim që me gallatë sigurimit i hanim munë. Gallatën e kishim të domosdoshme si ilaçet për parandalimin e çmendjes ose atakut të zemrës.

Ladi e kishte shtëpinë te “Rruga e Barrikadave” përballë “Muzeumit të Luftës Nacionalçlirimtare”. Vetë emrat e asaj rruge e atij muzeumi, por sidomos alternimi i tyre, si “Rruga e Muzeumit të barrikadave” ose “Muzeumi i rrugës së luftës” etj. na bënim të shqyheshim së qeshuri.

Lad, i thashë një ditë, ma arrestuan vëllain.

Ladi ia plasi gazit. S’ka problem tha, vëllai yt do rrijë ca vjet në një burg të vogël, ne do vazhdojmë të gjallojmë në burgun e madh. Madje sa mirë që vëllait yt bëri një gjë të madhe për të tjerët. Unë e ti ende asgjë.

Dhe vazhdoi me një profeci; Ti, si vëllai i të dënuarit, do heqësh picirin. Vëllai yt, meqënse nuk do ketë vëlla të dënuar, do vuaj më pak se ty.

Qëllonte që nuk takoheshim me muaj.

Një nga këto intervale u zgjat aq tepër sa u detyrova të pyes. Pyet njërin pyet tjetrin, askush nuk e dinte ku ishte zhdukur Ladi.

Kaluan edhe disa muaj të tjerë.

Ishullarët që pyeta vazhdonin të thoshin se nuk e dinin ku ishte Ladi. Por jo me vendosmërinë e parë. Këtë herë në një mënyrë të mjegullt që të linte të dyshoje se e vërteta rreth Ladit ndrynte brenda diçka dramatike që nuk ta thoshin ngaqë nuk donin të të brengosnin.

Pasi kaloi një vit e ca që s’dihej ku ishte, u muar vesh se Lad Toto nuk ishte gjallë, ama se çfarë kishte ndodhur askush s’e dinte.

Po bëheshin më tepër se dy vite nga zhdukja e Ladit, kur u duk se pakngapak e vërteta po dilte nga errësira;

Ladi kishte vajtur një mbrëmje tek disa kushurinj të tij në Laprakë që banonin në një parafabrikat peskatësh.

Kaq. Asgjë me tepër nuk u muar vesh për vite të tëra.

Gjatë atyre viteve fati i Ladit rrëfehej nëpër ishuj me një solemnitet manastiresh, si rrëfim murgjësh të ngeshëm, që nuk nguten, rrëfejnë ngadalë me fragmente kohore medituese disavjeçare në mes.

U desh të kalojnë vite të tjera për tu marrë vesh se atë natë pasi kishte qëndruar fare pak tek kushurinjtë Ladi ishte larguar. Nuk kishte zbritur shkallët për të vajtur në shtëpi por ishte ngjitur në terracë. Atje, pra në terracën e parafabrikatit të Laprakës, kishte ndejtur i strukur në një qoshe i mbështjellë me pallto deri në mëngjez. Në të zbardhur kishte dalë nga strukja, kishte hequr pallton, i ishte afruar ngadalë bordurës, dhe ishte hedhur nga terraca në tokë ku e gjetën të vdekur mbytur në gjak.

Për shumë kohë rrëfimit të kësaj llaftarie, nuk ju shtua asgjë, nuk u tregua asnjë shkak, nuk u bë asnjë interpretim, nuk u shqiptua asnjë hamendje. Gjithçka mbeti e shurdhët dhe e mbytur si muzikë daullesh që vjen nga larg.

E vërteta e plotë u mësua pas shumë vitesh të tjera. Sigurimi i kishte kërkuar Ladit ta informonte për ishullarët. Ladi nuk e la t’i ikte nga duart Fati i shumpritur. Ëndrrën e kahershme për të bërë diçka të madhe për të tjerët, e realizoi duke u vetflijuar.

Më Shumë

Sot diplomon gjenerata e 59-të e Policisë së Kosovës

Sot me fillim nga ora 09:00 në sallën “1 tetori” do të mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Në...

143 vjet nga beteja më e rëndësishme e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot 143-vjetorin e Betejës së Shtimes dhe Slivovës. Kjo konsiderohet si beteja më e rëndësishme që zhvilloi ushtria e Lidhjes Shqiptare...

Lajmet e Fundit