18.8 C
Prizren
E martë, 16 Prill, 2024

Lavdi dëshpërimit të brendshëm!

Bardh Frangu

Nuk ka parti në Kosovë që shpërfaq më bindshëm se LVV-ja tipin e shoqërisë së mbyllur, çfarë është kjo jona. E strukturuar si një sekt politik, demokracia e brendshme në të mund të jetë sall një farsë, gjë kjo e provuar në vazhdimësi brenda këtij subjekti, i cili u rrit nëpërmjet vullnetit refuzues të elektoratit ndaj subjekteve tjera, të cilat në mënyrë permanente dëshmuan dhe po dëshmojnë se më shumë ngjajnë në banda plaçkitëse.

Pas rritjes së LVV-së nga zgjedhjet e kaluar në nivel qendror, pata shkruar kolumnën me titull “Lavdi dëshpërimit!”, duke vënë theksin pikërisht në sasinë e madhe të votave që nuk ishin për LVV-në, por për dëshpërimin, përkatësisht refuzimin. Tani pas zhvillimeve aktuale në LVV sërish më duhet t’i referohem dëshpërimit, i cili tani buron nga brenda këtij subjekti dhe si i tillë e zvogëlon forcën e tij. Pra e bën të kundërtën e rritjes. Sigurisht që edhe në këtë rast duhet thurur lavdi dëshpërimit. Kjo mbase për shumë arsye.

LVV-ja është dashur të shpërthejë si një tullumbace e fryrë dhe në këtë mënyrë të hapet një dritare për të parë se çfarë vërtet ka brenda saj. Tani të gjithë po e shohim dhe përfundimisht po bindemi se brenda këtij subjekti nuk ka dhe nuk mund të ketë vend për personalitete që besojnë se uniteti në dallime është motori i demokracisë, përkatësisht pluralizmi i ideve dhe mendimeve është ajo që do të duhej ta karakterizonte një subjekt me premisa demokratike. Në LVV mund të jesh numër, por jo më shumë. Edhe të larguarit vazhdojnë të konsiderohen si të tillë; iku një, ikën pesë, ikën njëmbëdhjetë, po kjo nuk e dëmton Lëvizjen, përkundrazi, thonë militantët e saj që këtë subjekt e kanë shndërruar në një mulli për bluarjen e njerëzve.

Madje këtë fakt më në fund e ka pranuar edhe lideri i saj shpirtëror, duke bërë thirrje nga burgu që subjekti i tij t’i hapë dyert për të urtit, për ata që në një formë do të ndërtonin një kurs politik, i cili do të qëndronte mbi militantët, të cilët në veprimet e tyre i bart kryesisht inercia e dëshpërimit me gjendjen që kemi në vend, natyrisht duke ia shtuar këtu edhe mbështetjen për konceptet etnonacionaliste, të cilat në formë simbolike shpërfaqen nëpërmjet shqiponjave të vendosura nëpër jakat e palltove të tyre! Madje kjo shpërfaqje, për fatin tonë të keq ndodh edhe me flamurin në hyrje të kryeqendrës sonë, që jo vetëm krijon një pamje të papranueshme, por edhe të dëmshme për rrugën e ndërtimit të shtetit tonë të ri.

Sigurisht që pakënaqësitë e individëve, për shumë arsye dhe motive janë të pranishme edhe nëpër të gjitha subjektet tjera dhe kjo mbase është shumë e natyrshme, por kur pakënaqësitë e individëve strukturohen në grupe, siç është rasti tash me LVV-në, kjo gjë merr kuptimin e një fenomeni, i cili veç sa na vjen i përsëritur nga subjektet tjera. Ishte akademik Daci ai i cili ia mori një copë të madhe LDK-së, por që dështoi në përpjekjet e tij alkimiste për ta stabilizuar si subjekt. Një test të tillë e kaloi me sukses Fatmir Limaj me partinë Nisma. Edhe Alternativa e Ilir Dedës dhe Mimoza Kusarit, që në fakt është një fenomen më ndryshe, vazhdon të qëndrojë në skenën politike. Sigurisht këtë gjë do ta provojnë edhe grupi i larguar nga LVV-ja, mbase me gjasa më të mëdha se të gjitha grupet pararendëse.

Kundruar nga ky aspekt, nuk kemi arsye të mos i gëzohemi kësaj ndarjeje, madje nuk kemi as arsye të mos shpresojmë se ky grup të ketë vullnetin që rreth vetes të grumbullojë edhe njerëz të tjerë, të cilët do të mundnin të jepnin kontributin e tyre në ndërtimin e një subjekti, ku dija, profesionalizmi dhe përkushtimi me përgjegjësi do të ishin tipar dallues i tyre. Sepse, thënë figurativisht, Albinit i kanë mbetur ata që dinë të rrokullisin kamionë e të rrënojnë, ndërsa Visari është me ata që dinë të ndërtojnë ide.

Ndryshe, si shoqëri e mbyllur, neve na karakterizon konspiracioni, për të cilin harxhojmë energji të pafundme. Në bazë të kësaj logjike edhe po i kundrojmë zhvillimet në LVV. Po nuk duhet harruar faktin se, ta quaj kushtimisht, grupi i Visarit nuk përbën ndonjë grup idealistësh, por një grup pragmatistësh. Dhe kjo është gjë e mirë, sepse idealet në këtë vend i përdhosën pikërisht ata që edhe bënë karrierë në emër të tyre dhe nëpërmjet institucioneve e shndërruan vendin në plaçkë.

Sigurisht që frika nga interesat e ndryshme, nga ambiciet e pakontrolluara dhe nga egot me logjikë fisnore është e natyrshme të jetë e pranishme edhe në këtë rast të grupit të ndarë të LVV-së, por është në natyrën e njeriut të shpresojë në më të mirën. E unë po shpresoj.

Më Shumë

“Shkrepi dhjetë plumba drejt viktimës”, aktakuzë ndaj të pandehurit për vrasjen në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.G., për shkak të dyshimit për vrasje të rëndë. Sipas aktakuzës, pasditen e 3 shtatorit në...

Digjet një veturë në autostradën “Ibrahim Rugova”, në aksin Suharekë-Prizren

Një veturë është kapluar nga zjarri në autostradën "Ibrahim Rugova", në aksin Suharekë-Prizren.  Indeksonline ka siguruar pamjet e djegies së automjetit, të tipit ”Mercedes”, ku...

Lajmet e Fundit