5.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Manipulimet specifike me specifikacione

Enis Veliu

Manipulimi i proceseve të prokurimit përmes vendosjes së specifikave favorizuese në favor të një prodhuesi ose kompanie të caktuar thuajse është bërë standard i ri i prokurimit në shtetin tonë. Ata që manipulojnë me paranë publike, kryesisht persona të zyrave të prokurimit, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal po e përdorin këtë formë si më të suksesshme për të kontrolluar si duhet procesin e keqpërdorimit të taksave publike, të atyre bizneseve të ndershme, por edhe të atyre punëtorëve të sigurimit që marrin rrogë më të vogël se 200 euro në muaj dhe me ato mjete nuk mund të ngopen as për bukë sa duhet. Por për abuzues të tillë ky fakt nuk ka fare rëndësi.

Për këta (zyrtarët e zyrave të prokurimit) e për shefat që ata i kontrollojnë në të shumtën e rasteve nuk është me rëndësi realizimi si duhet i projektit, ashtu siç parashihet me dosje të tenderit, por konsiderohet si proces i kryer, kur ata arrijnë që për vete të marrin “tallën” dhe gjithçka mund të konsiderohet si “happy end”.

Në këtë formë këta zgjedhin të preferuarin e tyre, caktojnë çmimin para kohe, pasi operatorët tjerë ekonomikë më nuk janë në lojë.

Kanë mjaftuar tri specifika të vendosura në dosjen e një tenderi të shpallur nga Komuna e Suharekës, në tetor të vitit që lamë pas, për blerjen e një automjeti për nevoja të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) që i tërë procesi të kontrollohet ashtu siç e kanë planifikuar “projektuesit”.

Çuditërisht në dosje mungonte vetëm emri i automjetit dhe i kompanisë me të cilën më vonë Komuna e nënshkroi kontratën, por këtë praktikë në një proces tjetër e aplikoi edhe Komuna e dytë më e madhe në Kosovë, Prizreni, e cila në atë kohë drejtohej nga Ramadan Muja.

Në dosjen e këtij tenderi, më saktësisht në specifikacionin 34, thuhej se gjatësia e automjetit duhet të jetë në minimum 5300 milimetra deri në 5320 milimetra, përderisa më vonë automjeti i përzgjedhur nga Komuna përmes tenderit publik kishte një gjatësi prej 5304 milimetra.

Favorizues po ashtu ishte se edhe specifikacioni 35 i përshtatej veturës së prodhuesit gjerman (VW), pasi kërkohej që automjeti të jetë i gjerë prej 1900-1930 milimetrash, derisa automjeti që tashmë është në shfrytëzim të QKMF-së së Suharekës ka një gjerësi prej 1904 milimetrash, saktësisht qysh kërkohej me tender.

Ndërsa specifikacioni 36 kërkonte që automjeti ta ketë një lartësi prej 1980-1998 milimetrash, ndërsa kjo veturë i ka 1990 milimetra.

E me këto tri specifika që kanë qenë të vendosura nga Zyra e Prokurimit e Komunës së Suharekës në mënyrë automatike të gjitha kompanitë që përfaqësojnë prodhues të caktuar të automjeteve janë nxjerrë nga loja, pasi asnjë veturë tjetër përpos “Volkswagen”-it nuk i plotëson tri specifikat e vendosura nga autoriteti kontraktues.

Favorizimi i operatorëve ekonomikë përmes përdorimit të kritereve të specifikuara, sipas ekspertëve të fushës konsiderohet edhe vepër penale e “Shpërdorimit të detyrës zyrtare”, pasi që, siç thonë ata, me dashje është shkelur Ligji i Prokurimit. Por, çuditërisht me ta thuajse nuk po merret askush, madje ka pasur edhe raste kur edhe është identifikuar shkelje e rëndë derisa nga ata që duhet ta zbatojnë ligjin është cilësuar si gabim administrativ.

Por vendosja e specifikave teknike si mënyrë klasike për të manipuluar me procesin e prokurimit është aplikuar dhe aplikohet edhe nëpër komunat tjera të Kosovës, ku kontrolli institucional nuk është ai që duhet të ishte.

Në Komunën e Prizrenit, në kohën kur ajo drejtohej nga Ramadan Muja, ishte vepruar në këtë formë në zgjedhjen e një operatori ekonomik për blerjen e një veture, të cilën më pastaj ajo e kishte blerë prej 9.800 eurosh.

Kriteret e përdorura në procedurën e prokurimit për “Furnizim me një veturë të përdorur” ishin në kundërshtim me LPP-në. Kriteret e tenderit ishin favorizuese duke përcaktuar që vetura duhet të jetë e përdorur, viti i prodhimit të jetë 2009 dhe të ketë 129.000 km të kaluara, edhe në këtë rast në dosje të tenderit ka munguar vetëm emri i pronarit të automjetit. Madje këtë shkelje të rëndë e kishte evidentuar edhe Zyra Kombëtare e Auditimit dhe e cila ka alarmuar për rrezik pasi caktimi i kritereve favorizuese përveçqë paraqet shkelje të LPP-së shton rrezikun e mosarritjes së vlerës për para dhe për mundësinë e mashtrimit. Në këtë rast praktika të tilla e dëmtojnë reputacionin e Komunës dhe humbin besimin e ofertuesve potencialë në një proces të prokurimit të drejtë dhe transparent.

Por për opinionet e Auditorit më nuk e çajnë kokën zyrtarët e tillë të prokurimit, pasi për ta vlerë në këtë botë ka vetëm paraja.

Është koha dhe momenti i fundit kur institucionet e drejtësisë nuk duhet të qëndrojnë spektatorë karshi rasteve të tilla, ku bëhet abuzim i rëndë i taksave të qytetarëve të Kosovës, pasi këta po trashen duke e holluar buxhetin, edhe ashtu të lodhur të shtetit tonë.

Më Shumë

Shkolla ‘Bajram Curri’ në Romajë të Hasit, drejt një fushe sportive të re

Shkolla fillore “Bajram Curri” në Romajë të Hasit, shumë shpejt do të bëhet me fushë të sportit. Drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit...

Moti sot: Me rrebeshe shiu dhe shkarkime rrufesh

Të enjten mbi Kosovë parashihet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell.   Sipas Meteo Kosova, gjatë orëve të para...

Lajmet e Fundit