7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

“Mantelzinjtë”

Alban Selimi

Kundër lirisë së shtypit dhe pro hajnisë. Ky është shpjegimi i vetëm që mund t’i bëhet protestës së kirurgëve dhe anesteziologëve të QKUK-së, që u mbajt mëngjesin e së hënës, ku si “kulaç i ngjeshur” u gjet udhëheqësi i Kirurgjisë Abdominale, Rifat Bajrami.

Protestuesit numëroheshin me gishtërinj të duarve për nga numri, por arsyeja e protestës së tyre është më banale sa vetë qëllimi i saj.

Mjekët u shprehën kundër publikimit të emrave të doktorëve pas arrestimit që ndodhi fundjavën që shkoi, kur me urdhër të Prokurorit u arrestuan kirurgu Kushtrim Gashi dhe bashkëshortja e tij, anesteziologia Sebehate Gashi.

Ata, pos që u kapën duke punuar në institucionin e tyre ilegal, para arrestit u gjetën prova të bazuara se të dyshuarit kishin vjedhur ilaçe esenciale të QKUK-së dhe të njëjtat i kishin dërguar në qymezin e tyre privat, ku kryenin ilegalisht operacione.

Ata nuk u arrestuan nga mediat, por këto vetëm raportuan se dy mjekët janë arrestuar për shkak të dyshimeve të bazuara të Policisë dhe Prokurorisë.

A ka pasur apo jo bazë Prokuroria për t’i arrestuar mjekët, është kryekëput çështje e organit të akuzës. Provat e siguruara për ilaçet e vjedhura, sigurisht se kanë peshuar më shumë se ana humane që e ka secili mjek.

Mediat kanë obligim vetëm të raportojnë sa më saktë, sa më shpejt dhe sa më konkretisht se çka po ndodh. Janë gjashtë pyetje të shenjta në ndërtimit e lajmit, procedurë kjo, sikurse të gjitha procedurat normale që i ka edhe anestezioni edhe kirurgjia.

Kush, çka, kur, ku, pse dhe si, janë pyetjet që u duhet dhënë përgjigje në ndërtimin e secilit lajm gazetaresk.

Unë nuk e di se si bëhet një intervenim kirurgjik apo anestezioni. As nuk do të protestoja kundër asnjë procedure normale kirurgjike apo të anestezisë. Nuk e di as si vidhen ilaçet nga mjekimi intensiv. Por do të protestoja kundër kësaj, qoftë edhe në ëndërr, kur jam në gjendje t’u përgjigjem pyetjeve për ndërtimin e lajmit.

Dhe shablloni i pyetjeve është i njëjtë, sikur kur arrestohet mjeku, mësuesi, inxhinieri, boksieri, këngëtari, gazetari…

Përgjigja është e thjeshtë për fillimin e lajmit: Kush?! – “Kirurgu Kushtrim Gashi dhe anesteziologia Sebehate Gashi u arrestuan nga policia…”, apo lajmi tjetër: “Kirurgët e QKUK-së protestuan kundër publikimit në gazeta të emrave të mjekëve të arrestuar…”.

Procedura e shkrimit të lajmit, vazhdon duke iu përgjigjur pyetjeve të radhës.

Ky është një rregull i pazbuluar në Kosovë, që vlen për gazetarët e gjithë botës dhe për shkrimin e secilit lajm. Sikur ai rregulli që operacioni nuk mund të kryhet para anestezionit. Nuk ka rregull për shkrimin e lajmit për mjekun e dyshuar për hajni, dhe rregull për shkrimin e lajmit për boksierin që rrihet në ring nga kundërshtari. Sikurse nuk ndryshon rregulli për kryerjen e operacionit të zorrës qorre për personin që me profesion mund të jetë gazetar apo për atë tjetrin që është inxhinier.

Gazetari duhet të jetë i qartë, i përgjegjshëm, i pavarur, i guximshëm, i shpejtë, ekskluziv dhe mbi të gjitha etik. Sikurse edhe doktori. Pavarësisht kësaj, nuk do të thotë se edhe profesionistët e gazetarisë nuk gabojnë. Profesionistët e vërtetë dhe të mirë, vazhdimisht mësojnë, madje edhe nga gabimet që mund të bëjnë. Por, protesta e së hënës është vërtetë një mësim i keq.

Në vend të leksionit se një grup i mjekëve të mirë dhe të përgjegjshëm po distancohen nga hajnia e ilaçeve përmes protestave, mësimi është se një grup përkrahin të arrestuarit për hajni ilaçesh me protesta.

Është e dhimbshme që në emër të “solidaritetit” të shohësh në protesta edhe njerëz të respektuar. Kosova ka mjekë shumë të mirë, që është koha të distancohen nga e keqja, e jo të dalin e ta mbrojnë atë, siç ndodhi.

Nëse vazhdimisht raportohet se ka mungesë të barnave esenciale dhe goditet publikisht Ministria e Shëndetësisë për mossigurimin e tyre, pse të mos dihet se kush janë mjekët që po i vjedhin ato ilaçe.

Në vend se të kërkohet të bëhet pastrimi nga të korruptuarit, hajnat dhe mafiozët e shëndetësisë, degjenerimi kolektiv shkon në atë masë sa që një kategori njerëzish kërkojnë të jenë mbi ligjin, duke kërkuar ndërhyrje edhe në formën e ndërtimit të lajmit. Vërtet ky është lajm. Njerëzit po e bindin veten se duhet të jenë të paprekshëm. Pos lajm, ky është edhe turp, kur ne si qytetarë iu besojmë mjekëve trupin dhe shëndetin tonë, si gjënë më të shtrenjtë që kemi. Shteti është e vërtetë që s’ka bërë maksimumin për këtë kategori të shkolluar njerëzish, por nuk do të thotë se ata duhet të jenë mbi ligjin.

Më Shumë

Totaj: Amerikanët janë lodhur me Albin Kurtin

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, deklaroi se amerikanët janë lodhur nga qasja e Qeverisë Kurti dhe se durimi i tyre po përfundon. “Duhet...

Policia në Prizren realizon 47 urdhëresa gjyqësore për vepra penale

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren shpalli rezultatin e realizimit tw urdhërave gjyqësore për periudhën kohore 15 prill - 19 prill 2024. "Gjatë kësaj periudhe,...

Lajmet e Fundit