21.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Mediat sociale, rrezik për sigurinë dhe shoqërinë

MOMENTI AKTUAL NË HISTORINË BOTËRORE ËSHTË I DHEMBSHËM

Konsumatorët e vërtetë të mediave sociale janë reklamuesit e tyre

Ngritja dhe sjellja monopoliste e kompanive amerikane të gjigantëve të internetit, është duke i kontribuuar me të madhe impotencës së qeverisë amerikane. Këto kompani shpesh kanë luajtur një rol inovativ dhe çlirues. Por, derisa “Facebook” dhe “Google” janë bërë gjithnjë e më të fuqishme, ato janë bërë pengesa për inovacione dhe kanë shkaktuar shumë probleme

George Soros

Nevojitet një përpjekje e konsiderueshme për të vlerësuar dhe mbrojtur atë që John Stuart Mill e ka quajtur ‘liri të mendjes’. Dhe, ka gjasa reale që, njëherë të humbura, ata që rriten në epokën digjitale, do ta kenë vështirë për ta rifituar atë. Momenti aktual në historinë botërore është i dhembshëm. Shoqëritë e hapura janë në krizë dhe, forma të ndryshme të diktaturave dhe shteteve mafioze, sikur që është puna e Rusisë së Vladimir Putinit, janë në ngritje e sipër. Në SHBA, presidenti Donald Trump do të dëshironte që ta themelonte shtetin e vet të stilit mafioz, por nuk mundet, meqë Kushtetuta, institucionet e tjera dhe një shoqëri e gjallë civile, nuk e lejojnë një gjë të tillë. Nuk është në pyetje vetëm mbijetesa e shoqërisë së hapur; në rrezik është tërë civilizimi ynë. Ngritja e liderëve, si Kim Jong-un në Korenë e Veriut dhe si Trump në SHBA, kanë shumëçka të bëjnë me këtë. Që të dy duken të gatshëm që të na fusin në një luftë bërthamore, me qëllim që të mbesin në pushtet. Por, rrënjët e problemit duket se janë edhe më të thella. Aftësia e racës njerëzore që t’i shfrytëzojë fuqitë natyrore, si për qëllime konstruktive, po ashtu edhe destruktive, vazhdon që të rritet, derisa aftësia jonë për ta qeverisur veten ashtu si duhet, ndryshon, ku tani ajo është në pozitën më të ulët të mundshme. Ngritja dhe sjellja monopoliste e kompanive amerikane të gjigantëve të internetit, është duke i kontribuuar me të madhe impotencës së qeverisë amerikane. Këto kompani shpesh kanë luajtur një rol inovativ dhe çlirues. Por, derisa “Facebook” dhe “Google” janë bërë gjithnjë e më të fuqishme, ato janë bërë pengesa për inovacione dhe kanë shkaktuar shumë probleme, për të cilat vetëm tani kemi filluar që të bëhemi të vetëdijshëm. Kompanitë sigurojnë përfitimet e tyre duke shfrytëzuar ambientin. Kompanitë e minierave dhe të naftës shfrytëzojnë ambientin fizik; kompanitë e medieve sociale shfrytëzojnë ambientin social. Kjo është sidomos e ulët për shkak se këto kompani ndikojnë në mënyrën sesi njerëzit mendojnë dhe sillen, pa qenë ata fare të vetëdijshëm për një gjë të tillë. Kjo interferon me funksionimin e demokracisë dhe me integritetin e zgjedhjeve.

Fitimet e jashtëzakonshme

Meqë kompanitë e platformave të internetit janë rrjete, ato përfitojnë nga fitimet margjinale, gjë që ndikon në rritjen fenomenale të tyre. Efekti i rrjetit me të vërtetë është i paprecedent dhe transformues, por është edhe i paqëndrueshëm. “Facebook”- ut iu deshën tetë vjet e gjysmë që të ketë 1 miliard përdorues dhe, gjysma e kësaj kohe për ta arritur miliardin tjetër. Me këtë hap, “Facebook” do të përdoret nga të gjithë njerëzit në botë, për më pak se tri vjet. “Facebook” dhe “Google” kontrollojnë në mënyrë efektive mbi gjysmën e të gjitha të ardhurave nga reklamat. Për ta ruajtur dominimin e tyre, ata kanë nevojë për zgjerimin e rrjeteve dhe rritjen e hises së tyre, të vëmendjes së përdoruesve. Aktualisht, ato e bëjnë një gjë të tillë duke i furnizuar përdoruesit me një platformë të dobishme. Sa më shumë kohë që përdoruesit kalojnë në platformë, aq më të vlefshëm bëhen ata për këto kompani. Për më tepër, meqë ofruesit e përmbajtjes nuk mund ta evitojnë përdorimin e platformave dhe duhet të pranojnë të gjitha kushtet që ofrohen nga to, ato po ashtu kontribuojnë ndaj profiteve të kompanive të medieve sociale. Në fakt, fitimet e jashtëzakonshme të këtyre kompanive, kryesisht janë një funksion i evitimit të përgjegjësisë së tyre dhe pagesës, për përmbajtjen në platformat e tyre. Kompanitë thonë se ato, thjesht, shpërndajnë informata. Por, fakti që ato janë distributorë thuajse monopol, i bën ato shërbime publike dhe duhet t’i bëjë subjekt të rregullave më të ashpra, që kanë për qëllim ruajtjen e konkurrencës, inovacionit dhe qasjes së drejtë dhe të hapur. Konsumatorët e vërtetë të mediave sociale janë reklamuesit e tyre. Por, një model i ri i biznesit është duke u paraqitur dalë-ngadalë, i bazuar jo vetëm te reklamimi, por edhe te shitja e produkteve dhe shërbimeve, direkt te blerësi. Ato shfrytëzojnë të dhënat që i posedojnë, bashkojnë shërbimet që i ofrojnë dhe përdorin çmimet diskriminatore për të mbajtur një pjesë më të madhe të fitimit, sesa kur do ta ndanin atë me konsumatorët. Kjo rritë fitimet e tyre edhe më shumë, por edhe rrezikon efikasitetin e ekonomisë së tregut. Mediat sociale mashtrojnë përdoruesit e tyre duke manipuluar vëmendjen e tyre, duke e drejtuar atë kah qëllimet e tyre komerciale dhe duke shkaktuar vartësi të qëllimshme ndaj shërbimeve që ato i ofrojnë. Kjo mund të jetë tepër e dëmshme, sidomos për adoleshentët. Ka një ngjashmëri midis platformave të internetit dhe kompanive të bixhozit. Kazinotë kanë zhvilluar teknika për të joshur konsumatorët deri në atë masë sa që ata bëjnë rrush e kumbulla të gjitha paratë e tyre, bile edhe paratë që nuk i kanë.

Qeveria e Kinës është mjaft e fuqishme, sa të mbrojë kampionët e saj nacionalë

Diçka e ngjashme dhe potencialisht e pakthyeshme, është duke ndodhur me vetëdijen njerëzore në epokën tonë digjitale. Kjo nuk është thjesht çështje e tërheqjes së vëmendjes, apo vartësisë; kompanitë e mediave sociale bëjnë që njerëzit ta dorëzojnë autonominë e tyre. Dhe, kjo fuqi për ta formësuar vëmendjen e njerëzve, është duke u përqendruar gjithnjë e më shumë në duart e pak kompanive. Duhen përpjekje të konsiderueshme për të vlerësuar dhe mbrojtur atë që John Stuart Mill e quante liri të mendjes. Pasi që të humbet njëherë, ajo kthehet me vështirësi nga ata që janë rritur në epokën digjitale. Kjo do të ketë pasoja të mëdha politike. Njerëzit pa liri të mendjes mund të manipulohen me lehtësi. Ky rrezik nuk ka të bëjë vetëm me të ardhmen; ai tanimë ka luajtur një rol me rëndësi në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016. Në horizont është një perspektivë edhe më alarmante: një aleancë midis shteteve autoritare dhe monopoleve të mëdha të teknologjisë informative, të pasura me të dhëna, duke krijuar së bashku sisteme të mbikëqyrjes nga korporatat, me sisteme tani të zhvilluara të përgjimit të sponsorizuar nga shteti. Kjo mund të rezultojë me një rrjet të kontrollit totalitar nga tipat të cilët nuk do të mund t’i imagjinonte as George Orwell. Vendet në të cilat ‘martesat’ e tilla jo të shenjta kanë të ngjarë që të paraqiten së pari, janë Rusia dhe Kina. Kompanitë IT kineze në veçanti janë krejt të barabarta me platformat amerikane. Ato po ashtu gëzojnë një mbështetje dhe mbrojtje të plotë nga regjimi i presidentit Xi Jinping. Qeveria e Kinës është mjaft e fuqishme, sa që të mbrojë kampionët e saj nacionalë, sidomos brenda kufijve të saj. Monopolet IT me seli në SHBA tanimë janë të tunduara që të komprometohen, me qëllim të sigurimit të qasjes në tregjet e tilla të mëdha dhe me rritje të shpejtë. Liderët diktatorë të këtyre vendeve mund të jenë vetëm tepër të lumtur që të bashkëpunojnë me ta, në interes të përmirësimit të metodave të tyre të kontrollit ndaj popullsive të tyre dhe të zgjerimit të fuqisë dhe ndikimit të tyre në SHBA dhe në pjesën tjetër të botës. Ekziston po ashtu një vetëdijesim në rritje rreth lidhjes midis dominimit të monopoleve të platformave dhe rritjes së pabarazisë. Përqendrimi i posedimit të aksioneve në duart e pak individëve, luan njëfarë roli, por pozita bizare që zënë gjigantët IT, ka edhe më shumë rëndësi. Ato kanë arritur fuqi monopole duke konkurruar po ashtu edhe midis veti. Vetëm ato janë mjaft të mëdha për të gëlltitur kompanitë e reja të cilat më pas mund të shndërrohen në konkurrentë dhe vetëm ato i kanë burimet për të invaduar territorin e njëra-tjetrës.

BE-ja përdor një definicion të ndryshëm të fuqisë së monopolit, krahasuar me SHBA-në

Pronarët e gjigantëve të platformave e konsiderojnë veten zotërinj të gjithë- sisë. Në fakt, ata janë skllevër të ruajtjes së pozitës së tyre dominuese. Ata janë të përfshirë në një betejë ekzistenciale për të dominuar zonat e reja të rritjes, të cilat i hapë inteligjenca artificiale, sikur që janë psh veturat pa shofer. Ndikimi i inovacioneve të tilla në papunësi varet nga politikat qeveritare. BE-ja, e sidomos vendet nordike, janë shumë më largpamëse në politikat e tyre sociale, sesa SHBAja. Ato mbrojnë punëtorët, e jo vendet e punës. Ato janë të gatshme që të paguajnë ritrajnimin apo pensionimin e punëtorëve të zhvendosur. Kjo ua jep punëtorëve në shtetet nordike një ndjenjë më të madhe të sigurisë dhe i bën ato më mbështetëse ndaj inovacioneve teknologjike, sesa punëtorët në SHBA. Monopolet e internetit nuk e kanë as vullnetin e as prirjen që ta mbrojnë shoqërinë nga pasojat e veprimeve të tyre. Kjo i shndërron ato në rreziqe publike dhe është përgjegjësi e autoriteteve rregullatore që ta mbrojnë shoqërinë nga to. Në SHBA, rregullatorët nuk janë mjaft të fuqishëm për ta kundërshtuar ndikimin politik të monopoleve. BE-ja është në një pozitë më të mirë, meqë nuk ka gjigantë të vet të platformave. BE-ja përdor një definicion të ndryshëm të fuqisë së monopolit, krahasuar me SHBA-në. Derisa zbatimi amerikan i ligjit përqendrohet kryesisht te monopolet e krijuara me anë të blerjes, ligjet e BE-së ndalojnë abuzimin e fuqisë së monopoleve, pa marrë parasysh se si është arritur ajo. Evropa ka ligje shumë më të forta sesa Amerika në lidhje me mbrojtjen e privatësisë dhe të të dhënave. Për më tepër, ligji i SHBA-së ka miratuar një doktrinë të çuditshme, e cila e matë dëmin si rritje të çmimit të paguar nga konsumatorët, për shërbimet e marra. Por, kjo është thuajse e pamundur që të përcaktohet, duke pasur parasysh faktin se shumica e platformave gjigante të internetit ofrojnë shumicën e shërbimeve të tyre falas. Për më tepër, kjo doktrinë nuk merr parasysh të dhënat e dobishme të cilat kompanitë e platformave i marrin nga përdoruesit e tyre. Komisionerja e BE-së për konkurrencë, Margrethe Vestager, është kampione e qasjes evropiane. BE-së iu deshën shtatë vjet që ta ndërtonte një rast kundër kompanisë “Google”. Por, si rezultat i suksesit të saj, procesi i vënies së rregullave adekuate, është përshpejtuar me të madhe. Për më tepër, falë përpjekjeve të Vestager-it, qasja evropiane ka filluar që të ndikojë në sjelljet në SHBA. Është vetëm çështje kohe para se të thyhet dominimi global i kompanive amerikane të internetit. Rregullimi dhe taksimi, të paraprira nga Vestager, do të jenë egjeli i tyre.

(George Soros është kryesues i Menaxhmentit të Fondacionit “Soros” dhe i fondacioneve “Shoqëria e hapur”)

Ky shkrim është botuar në Project Syndicate.

Më Shumë

Nga 1 prilli nëse nuk e pastron baltën nga mjeti, gjoba do të jetë 1 mijë euro

Në fillim të prillit pritet të fuqizohet Ligji i ri për rregullat në trafik. Kështu, parashihen gjoba të ashpra ndaj shkelësve. Iniciuesit e këtij ligji...

Totaj priti në takim përfaqësuesit e Shoqërisë Kulturo-Artistike “Dogru yol”

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj priti sot përfaqësuesit e Shoqërisë Kulturo-Artistike “Dogru yol”, të këtij qyteti. Kjo shoqëri mban gjallë që 73 vjet...

Lajmet e Fundit